Punësimet dhe transferimet në institucionet publike në Kosovë rregullohen me dispozita të qarta ligjore, të ndërtuara për të garantuar transparencë, barazi dhe meritokraci. Megjithatë, hulumtimi i Kujdestari.info ka identifikuar mospërputhje serioze procedurale në një rast punësimi në Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA), ku nga dokumentet dhe rregulloret në fuqi rezulton se procedurat e ndjekura nuk përkojnë me kuadrin ligjor ekzistues.
Kujdestari.info, bazuar në dokumente zyrtare dhe rregulloret në fuqi, ka evidentuar mospërputhje serioze procedurale në një rast punësimi në Zyrën Kombëtare të Auditimit, konkretisht në plotësimin e pozitës Drejtore e Departamentit për Çështje Juridike dhe Kundër Mashtrimit.
Sipas të dhënave të disponueshme, në qershor të vitit 2024, Minire Begaj ka filluar punën në Zyrën Kombëtare të Auditimit në pozitë drejtuese, pa u zhvilluar procedurë e hapur rekrutimi apo konkurs publik.
RREGULLORJA (ZKA) NR. 01/2024 PËR PRANIMIN DHE KARRIERËN NË ZYRËN KOMBËTARE TË AUDITIMIT përcakton se pranimi në marrëdhënie pune në ZKA duhet të bëhet përmes procedurave të rregullta dhe konkurruese, në përputhje me parimet e transparencës dhe meritokracisë. Në këtë rast, punësimi është realizuar përmes një marrëveshjeje ndërmjet palëve, Minstrisë së Finacave dhe ZKA pa shpallje publike të vendit të punës, gjë që nuk përbën praktikë standarde për pozita të larta drejtuese në një institucion të pavarur kushtetues.
Çështja e transferimit dhe kufijtë ligjorë
Punësimi në fjalë është trajtuar si transferim nga Ministria e Financave në Zyrën Kombëtare të Auditimit. Mirëpo, RREGULLORJA (QRK) NR. 02/2024 PËR TRANSFERIMIN E NËPUNËSVE CIVILË, në nenin 2, paragrafi 3, përcakton shprehimisht se kjo rregullore nuk zbatohet për institucionet e pavarura kushtetuese, përfshirë ZKA-në.
Zyra Kombëtare e Auditimit, sipas Kapitullit XII të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (Neni 157 – Auditori i Përgjithshëm), gëzon statusin e institucionit të pavarur kushtetues. Rrjedhimisht, mekanizmi i transferimit të nëpunësve civilë nga administrata qeveritare nuk mund të aplikohet në këtë institucion mbi bazën e kësaj rregulloreje.
Kjo do të thotë se rregullorja për transferimin e nëpunësve civilë rregullon transferimet brenda institucioneve të Qeverisë, por jo transferimet drejt institucioneve të pavarura kushtetuese.
Kufijtë e rregullores së brendshme të ZKA-së
Nga ana tjetër, RREGULLORJA (ZKA) NR. 01/2024, në nenin 2, përcakton se fushëveprimi i saj zbatohet për personelin e Zyrës Kombëtare të Auditimit. Kjo nënkupton se rregullorja rregullon marrëdhëniet e punës brenda ZKA-së, por nuk shtrihet automatikisht mbi nëpunësit civilë të administratës qeveritare.
Neni 32 i kësaj rregulloreje, që trajton transferimin e përhershëm, parasheh mundësinë e transferimit të nëpunësve nga institucione të tjera shtetërore në ZKA vetëm mbi bazë marrëveshjeje dhe pëlqimi. Sipas interpretimit juridik, kjo dispozitë është e aplikueshme kryesisht për transferime ndërmjet institucioneve të pavarura kushtetuese me status të ngjashëm, si Avokati i Popullit, KQZ apo Banka Qendrore e Kosovës, por jo për nëpunës civilë të administratës qeveritare, për shkak të dallimeve në sistemin e karrierës dhe marrëdhënien e punës.
Përveç procedurës së punësimit, ka dyshime për shklje edhe lidhur me ndryshimin e koeficientit të pagës. Sipas informacioneve, koeficienti i pagesës së Minire Begaj është rritur nga 10 në 12, pa u bërë publik ndonjë procedurë formale apo arsyetim i bazuar në RREGULLOREN (ZKA) NR. 03/2024 PËR KLASIFIKIMIN E VENDEVE TË PUNËS NË ZYRËN KOMBËTARE TË AUDITIMIT, e cila përcakton kriteret për klasifikim dhe pagëzim të pozitave në ZKA.
Kujdestari.info ka dërguar pyetje zyrtare në adresë të Zyrës Kombëtare të Auditimit për sqarim lidhur me procedurat e ndjekura në këtë rast. Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk ka pranuar përgjigje zyrtare nga institucioni.

Duke qenë se ZKA ka rol kyç në mbikëqyrjen e ligjshmërisë dhe shpenzimit të parasë publike, transparenca dhe respektimi rigoroz i procedurave ligjore në vetë këtë institucion mbetet thelbësor për besimin publik. /Kujdestari.info/