Policia e Kosovës sërish ka hapur tender për furnizim me ushqim dhe pije freskuese për organizimin e koktejëve nga Drejtori i Përgjithshëm i PK-së, Gazmend Hoxha, shkruan Kujdestari.info.

Sipas publikimit të tenderit, Policia ka paraparë 52 mijë e 99 euro për furnizim me ushqim dhe pije për tri vjet.
Në bazë të tenderit, furnizimi me ushqim dhe pije do të bëhet me rastin e diplomimit të gjeneratave në Policinë e Kosovës, pensionimin e policëve dhe për organizimin e koktejëve nga drejtori i përgjithshëm Gazmend Hoxha.
Për organizimin e koktejëve, Policia ka kërkuar mijëra pije freskuese joalkoolike, biskota të ndryshme, mantia me mish dhe djath, brusketa të freskëta, lajthia, e tjera.

Ky tender ka paraparë organizimin e kokejëve për pensionimin e zyrtarëve të PK-së për tri vjet, ku në vitin e parë do të organizohen 70 koktej me nga 50 pjesëmarrës, në total 3500 pjesëmarrës.
Kurse në vitin e dytë 60 koktejë, derisa të tretin sërish 70 koktejë.
Po ashtuj janë paraparë organizimi i tri koktejëve për drejtorin e Policisë Gazmend Hoxha për fundvit me nga 200 pjesëmarrës.

Ky tender, Policisë së Kosovës i kishte dështuar shtatë herë me radhe, pasi nuk ka arritur që të gjejë një kompani të përgjegjshme për furnizim me ushqim dhe pije për organizimin e koktejëve brenda këtij institucioni të sigurisë. /Kujdestari.info