E mërkurë, 17 Dhjetor, 2025

Policia mbetet pa uniforma të reja – tenderi prej 2.7 milionë eurosh anulohet pasi nuk u nënshkrua nga autoritetet shtetërore

Ndaj

Policia e Kosovës nuk ka arritur të sigurojë uniforma të reja. Tenderi i madh prej 11.3 milionë eurosh ishte bllokuar për disa vite në Organin Shqyrtues të Prokurimit, për shkak të shkeljeve të evidentuara, ndërsa si alternativë kishte mbetur vetëm një procedurë e negociuar pa publikim, shkruan Kujdestari.info.

Përmes kësaj procedure, ishte rekomanduar e njëjta kompani që ishte favorizuar edhe në tenderin e mëparshëm, ndonëse ekspertët kishin konstatuar se nuk i plotësonte kriteret teknike. Madje, i njëjti operator ishte shpallur fitues edhe në një tender me negocim në dhjetor, i cili u anulua për shkak të mangësive në specifikimet teknike.

Duke parë se tenderi i vlerës së madhe për furnizim me uniforma nuk po mund të realizohej, Zyra e Prokurimit të Policisë së Kosovës shpalli më 10 shkurt 2025 fitues grupin e kompanive “Grup i Operatorëve Ekonomik Seyntex NV; Seynkos L.L.C.”, në vlerë prej 2,763,600 euro.

Por tenderi mbeti i bllokuar për gjashtë muaj, pasi nuk u nënshkrua nga autoritetet shtetërore përkatëse, ashtu siç kërkohet me ligj. Si rezultat, Policia është detyruar ta anulojë tërësisht procedurën.

Në vendimin e anulimit, theksohet se:

“Sipas Ligjit të Prokurimit Publik, neni 26 – Nënshkrimi i kontratave publike, paragrafi 2: Përveç nënshkrimit të zyrtarit përgjegjës të prokurimit të përmendur sipas nenit 26 paragrafi 1 i LPP-së, kontratat me vlera të mëdha të autoriteteve kontraktuese duhet që gjithashtu të nënshkruhen, në emër të autoritetit kontraktues, nga Zyrtari Kryesor Administrativ, si dhe Ministri ose autoriteti tjetër përkatës publik. Nga kjo rregull përjashtohet Presidenti, Kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri. Nënshkrimet e përcaktuara sipas këtij neni konfirmojnë dhe pranojnë të drejtat dhe detyrimet e përcaktuara në kontratë. Kontratat që nuk nënshkruhen në pajtim me paragrafin 1 dhe 2 të këtij neni janë të pazbatueshme”.

Pra, sic shihet dikush nga autoritete shtetërore përgjegjës nuk e ka nënshkruar kontratën.

Për pasojë, edhe kjo përpjekje për të siguruar uniforma për Policinë e Kosovës ka dështuar, duke e lënë institucionin në gjendje të pasigurt për furnizim me pajisje bazike për pjesëtarët e saj.

Më 7 shkurt 2025, Policia e Kosovës publikoi tenderin e ri të titulluar “Furnizim me Uniforma të Rregullta Policore Ritender”, me një vlerë prej 2,763,600 euro. Ky tender përfshinte të njëjtat kompani që ishin pjesë e procesit të mëparshëm, konkretisht grupin e kompanive Seyntex NV dhe Seynkos L.L.C.

Është interesante se policia e kishte anuluar tenderin me negocim në dhjetor të këtij viti, ku i kishte shpallur fituese kompanitë me të cilat lidhi kontratë vetëm pak javë më vonë. Pas një gare me vetëm një ofertues – të njëjtin konsorcium të përzgjedhur – tenderi përfundoi i anuluar. Arsyeja? Kapela policore nuk kishte shiritat e djersës, sipas specifikimeve teknike.

Policia kishte ftuar për ofertim vetëm konsorciumin “Consortium Seyntex NV; Seyntex LLB”, i cili dorëzoi një ofertë prej 2,763,600 eurosh, vetëm 800 euro më pak se buxheti i përcaktuar. Megjithatë, tenderi u anulua për shkak të mospërmbushjes së specifikimeve teknike – një mungesë dokumentacioni për “shiritat e djersës” në kapele mjaftoi që gjithë procedura të rrëzohej.

Që nga viti 2021, Policia e Kosovës nuk ka blerë uniforma të reja. Drejtoria e Logjistikës ka dështuar në realizimin e furnizimit të rregullt, duke lënë zyrtarët policorë të improvizojnë në terren me uniforma të stërvjetëruara. Këtë fakt e ka pranuar vetë Zyra e Prokurimit të Policisë në një sqarim drejtuar kompanive në garë.

Tenderi i hapur fillimisht ishte shpallur në shtator të vitit 2023, por u shoqërua me probleme të theksuara, të evidentuara nga ekspertët e OSHP-së.

Gjetjet kryesore të ekspertit të OSHP-së për tenderin e hapur:

  • Dokumentacioni teknik nuk ka qenë i qartë dhe ka përfshirë kërkesa të paqarta, që krijuan hapësirë për subjektivizëm në vlerësim.
  • Kriteret ishin hartuar në mënyrë që i jepnin avantazh kompanisë Seyntex NV dhe partnerëve të saj, duke diskriminuar operatorët e tjerë ekonomikë.
  • Testet laboratorike të produkteve nuk ishin kryer në mënyrë të rregullt nga laboratorë të akredituar. Disa prova nuk u realizuan fare ose u bënë nga institucione pa certifikim të plotë.
  • Disa elementë të ofertuar nuk përputheshin me specifikat teknike të kërkuara, por Policia vazhdoi vlerësimin e tyre si të vlefshme.

Eksperti ka konkluduar se procesi ka pasur parregullsi serioze, duke minuar konkurrencën e ndershme dhe duke lënë hapësirë për dyshime mbi transparencën institucionale.

Megjithatë, Policia përsëri rekomandoi të njëjtën kompani për një procedurë të negociuar pa publikim.

Paneli i OSHP-së fillimisht miratoi gjetjet e ekspertit, duke urdhëruar ritenderim dhe anulim të tërësishëm të aktivitetit. Por më vonë, vendimi u ndryshua nga “anulim” në “rivlerësim”, duke zvarritur procesin për muaj të tërë.

Edhe pas rivlerësimit, Policia e anuloi aktivitetin, duke deklaruar mungesë të ofertave të përgjegjshme. Pas kësaj, u paraqitën disa ankesa të tjera në OSHP. Vendimi i fundit i Panelit, në qershor, ishte që tenderi të kthehej sërish në rivlerësim.

Sot, katër vite pas dështimeve të njëpasnjëshme, Policia e Kosovës vazhdon të mbetet pa uniforma të reja. Në terren, policët punojnë me një këmishë të vetme me mëngë të gjata për dimër, një tjetër me mëngë të shkurtra për verë, një palë pantallona dhe një xhaketë – të cilat qarkullojnë nga viti në vit pa përmirësim. /Kujdestari.info

Lexo më shumë

Të tjera