E martë, 16 Dhjetor, 2025

Platforma për shërbimet financiare, Ismaili: Hap strategjik drejt një tregu më transparent

Ndaj

Banka Qendrore e Kosovës ka lansuar të mërkurën platformën për krahasimin e produkteve dhe shërbimeve financiare. Ky shërbim u tha se është një hap konkret drejt rritjes së transparencës në tregun financiar, fuqizimin e konsumatorit si dhe ofrimin e qasjes së barabartë në informata të sakta dhe të përditësuara.

Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, tha se platforma përmban të dhëna për pesëdhjetë institucione financiare, përfshirë bankat, institucionet mikrofinanciare dhe kompanitë e sigurimeve.

Ai theksoi se lansimi i kësaj platforme është një hap strategjik i BQK-së drejt një tregu financiar më transparent, konkurrues dhe më të drejtë për të gjithë.

“Platforma përfaqëson një hap konkret drejt rritjes së transparencës në tregun financiar, fuqizimin e konsumatorit dhe ofrimin e qasjes së barabartë në informata të sakta dhe të përditësuara. Në këtë projekt BQK dëshmon përkushtimin e saj në avancimin e objektivave strategjike drejt digjitalizimit, promovimit të konkurrueshmërisë dhe gjithëpërfshirjes financiare. Platforma përfaqëson një instrument kyç për realizimin e këtyre objektivave strategjike duke siguruar shfrytëzuesve një qasje të drejtë, të sigurt dhe të thjeshtë. Një informacion i detajuar për produktet dhe shërbimet financiare të cilat lehtësisht ndihmojnë në marrjen e vendimeve. E zhvilluar nga BQK-ja, platforma është e lehtë për t’u përdorur duke ofruar të dhëna të standardizuara, të sakta dhe të përditësuara mbi normat e interesit, tarifat, komisionet dhe kushtet e produkteve më të përdorura nga qytetarët dhe njësitë të ofruara nga institucionet financiare,” tha ai.

Lansimin e platformës e mirëpriti edhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav.

Ai tha se Kosova përmes këtij veprimi po ndërmerr një hap të rëndësishëm për të lëvizur drejt transparencës financiare.

“Kosova po merr një hap të rëndësishëm për të lëvizur në drejtimin e duhur duke realizuar këtë platformë. Kjo iniciativë është një shembull i fuqishëm i asaj sesa transparenca mund të funksionojë në praktikë. Sido që të jetë, informacioni si i tillë është i pamjaftueshëm. Edukimi dhe mbrojtja e konsumatorit kërkon që njohuritë të zhvillohen përmes shkollave, fushatave të vetëdijesimit në mënyrë që të gjithë të përfitojnë nga këto instrumente,” theksoi ai.

Në anën tjetër, menaxherja e portofolios të Fondit Evropian për Evropën Juglindore (EFSE), Venera Hoxha, tha se lansimi i kësaj platforme nuk është vetëm një projekt teknik, por strategjik pasi është thelbësor për sistemin financiar.

“Ky nuk është vetëm një projekt teknik, por është një projekt strategjik sepse nuk mbështet vetëm klientët në këtë rast, por të gjithë akterët e sistemit financiar dhe është thelbësor për sistemin financiar,” deklaroi ajo.

Kanadaja njofton pako ushtarake për të ndihmuar Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë

Platforma për Krahasimin e Produkteve dhe Shërbimeve Financiare (https://krahaso.bqk-kos.org/) është një aplikacion i zhvilluar nga BQK-ja për t’u mundësuar qytetarëve informimin dhe krahasimin e normave të interesit dhe tarifave të produkteve dhe shërbimeve më të përdorura që ofrohen nga institucionet financiare në Republikën e Kosovës.

Lexo më shumë

Të tjera