Tender

Përparim Rama emëron drejtor kontraktorin e Tulltores dhe mikun e tij të afërt

Nga Kujdestari Media

Kur Bekim Ramku po festonte në dasmën e Përparim Ramës në vitin 2012, vështirë se mund ta kishte imagjinuar se vite më vonë do të emërohej drejtor nga miku i tij i kahershëm. Para emërimit, kompania e Ramkut ishte bërë pjesë e konsorciumit që fitoi kontratën milionëshe për projektimin e Tulltores, një proces që ishte shoqëruar edhe me dyshime, shkruan Kujdestari.info.

Përparim Ramës ka liruar nga detyra e drejtorit të Drejtorisë së Planifikimit Strategjik, Arbër Sadikun. Ramku nuk është emër i panjohur për Komunën e Prishtinës. Kompania e tij O.U.D. Architects SHPK ishte pjesë e grupit të operatorëve ekonomikë që u shpall fitues në konkursin ndërkombëtar për projektimin e kompleksit “Art & Technology Hub – Tulltorja”, një projekt me vlerë rreth 1.2 milionë euro.

Si ishte lidhur kontrata

“Konkurs projektimin – Art&teknology Hub – Tulltorja”. Kështu quhej tenderi, fitues i të cilit në një vlerë prej 1.2 milionë euro ishte shpallur grupi i kompanive “ORG Urbanisum& Architecture BV”; “Rafi Segal Architecture Urbanisem”; “O.U.D -ARCHITECTS SHPK”.

Dy ofertuesit e parë janë të huaj, ndërsa e treta “O.U.D -ARCHITECTS SHPK” është me pronar kosovar. Ajo është në pronësi te Bekim Ramkut.

Ramku, i cili është i involvuar edhe në projektin e Sallës Koncertale të kryeqytetit, është mik shumë i afërt i kryetarit të Prishtinës, Përparim Ramës.

Kjo tregohet edhe nga fotografitë përbashkëta të të dyve.

Ramaku ka qenë prezent edhe në dasmën e Ramës në vitin 2012.

Po ashtu, ai shihet në fotografi më Ramën edhe pasi ky i fundit është bërë kryetar i kryeqytetit.

Në këtë konkurs, që ishte hapur më 28 gusht 2023, shihet se ofertën e vetme me çmim e ka dorëzuar vetëm konzorciumi pjesë e të cilit është edhe kompania e ‘dostit’ të Ramës.

Deri sa fituesi ka ofertuar më 1.2 milionë euro, Komuna e Prishtinës kishte vendosur një çmim prej 1.3 milionë euro, çmim ky që është mjaft i lartë kur kihet parasysh se do të bëhet vetëm një plan arkitektonik urban për të gjithë kantierin, i cili përmban restaurimin e strukturave ekzistuese dhe projektimin e strukturave të reja dhe hapësirës së hapur publike.

Udhëtimi i përbashkët i Përparim Ramës me Bekim Ramkun te profesori Rafi Segal, që më pas solli tenderin 1.2 milionë euro

Rama bashkë me Ramkun kishin udhëtuar për në SHBA në vitin 2022, për të mbajtur një ligjëratë në Universitetin “MIT Massachusetts Institute of Technology”.

Njëri nga partnerët në konzorcium për tulltoren, “Rafi Segal Architecture Urbanisem” është Rafi Segal, i cili është profesor i asociuar i arkitekturës dhe urbanizmit në Departamentin e Arkitekturës në MIT, aty ku Bekim Ramku kishte organizuar konferencën si udhëheqës i Fondacionit Kosovar të Arkitekturës.

 

Vetëm pak kohë pas kësaj konference, Bekim Ramku dhe Rafi Segal do të lidhnin kontratë me Përparim Ramën.

Katedra e fakultetit të Raif Segal kishte shkruar për këtë.

Shokët e Ramës, vlerësuan tenderin e shokut

Vetëm pak ditë i janë dashur kompanive fituese që ta bëjnë projektin për tulltoren e Prishtinës.

Në fotografinë e mëposhtme janë pronari i kompanisë fituese për tulltoren, vlerësuesi i tenderit dhe nënshkruesi i tenderit Përparim Rama.

Personi i shënuar me numrin 2 është Bekim Ramku, fituesi i tenderit. Ndërsa, me numrin 1 është arkitekti Visar Geci, i cili ka qenë njëri nga vlerësuesit e tenderit. Dhe, po ashtu, numrin 3, kryetari Rama. Është vet kryetari Përparim Rama, i cili e ka nënshkruar tenderin. Kjo fotografi është shkrepur kohë më parë, para se të nënshkruhej kontrata.

Demokracia.com kishte siguruar qasje në Raportin e Vlerësimit për këtë tender. Aty shihet se personat që e kanë bërë vlerësimin nuk kanë qenë fare zyrtarë të Komunës së Prishtinës, por ishin tre arkitektë të angazhuar nga jashtë, për të cilët nuk dihet mënyra e angazhimit në këtë tender.

Arkitektja Vildane Maliqi, arkitekti Gzim Kastrati dhe arkitekti Visar Geci kanë qenë ata që e kanë bërë vlerësimin e tenderit. (RAPORTI)

 

Visar Geci me Gzim Kastratin janë arkitektë që më të ardhur Rama në krye të komunës ishin shfaqur mjaft të afërt me të.

Geci dhe Kastrati për shumë vite kanë qenë bashkëpronarë te kompania “Innarch”. Pra, nga rreth 1000 arkitektë sa ka Kosova, Komuna e Prishtinës ka gjetur t’i marrë në vlerësim të tenderit dy shokë, ish bashkëpronarë në një kompani, të cilët janë shokë edhe të kryetarit Përparim Rama, ndërsa në bazë të fotografisë Geci njihet edhe me fituesin e tenderit, Bekim Ramkun.

Pjesë e komisionit ka qenë edhe Vildane Maliqi. Ajo është mësimdhënëse në Kolegjin UBT. Ky kolegj ka marrëveshje bashkëpunimi me organizatën e Bekim Ramkut.

Në nëntor të vitit 2024, Gëzim Kastrati, ishte emëruar nga Rama në pozitën e drejtorit të Drejtorisë së Transformimit.

Saga e Visar Gecit nuk përfundon me përfshirjen e tij në tenderin, ku ai ishte pjesë e komisionit vlerësues. Kontrata e tij me Komunë  e Prishtinës vjen edhe nga një në një tjetër rast i dyshimtë, ku janë shpërndarë para publike pa procedura dhe pa asnjë transparencë. Bëhet fjalë për marrëveshjen që Komuna e Prishtinës ka lidhur më 7 maj 2024 me UNDP-në, përmes së cilës janë shpenzuar 80 mijë euro për angazhimin e disa “ekspertëve”, të cilët supozohej të ndihmonin në menaxhimin e aseteve, planifikimin urban dhe çështje ligjore.

Kompania ishte shpall fituese pa i plotësuar kriteret

Sipas raportit vjetor të auditimit për Komunën e Prishtinës për vitin 2024, Zyra Kombetare e Auditmit evidentonte qartazi se gjatë procesit të vlerësimit të ofertave për këtë projekt, është shpallur fitues një operator ekonomik i papërgjegjshëm, në kundërshtim me nenin 59.4 të Ligjit për Prokurimin Publik (LPP) dhe nenin 26.6 të Rregullores 001/2022 për prokurim publik.

Në dosjen e tenderit për këtë projekt, autoriteti kontraktues kishte kërkuar që operatorët të dëshmonin përvojë dhe kapacitete teknike, përfshirë:

  • Dy (2) inxhinierë të diplomuar të arkitekturës me përvojë mbi pesë vjet në projekte të ngjashme;
  • Certifikata për sigurimin e cilësisë, bazuar në standarde kosovare, evropiane ose ndërkombëtare.

Por gjatë auditimit, ZKA vërente se operatori i shpallur fitues nuk i kishte dorëzuar dëshmitë e kërkuara, përfshirë referencat për projektet e mëparshme të stafit të propozuar, duke e bërë ofertën e tyre të papërgjegjshme sipas ligjit.

Edhe më shqetësues është fakti se komisioni vlerësues i përbërë nga persona të njohur si të afërt me Ramën dhe të angazhuar në projekte tjera të menaxhuara nga ai ka injoruar këtë mangësi, duke u fokusuar vetëm në vlerësimin e “koncepteve kreative”, dhe jo në dokumentacionin e plotë teknik e ligjor.

“Gjatë intervistave me zyrtarët përkatës, është vërejtur se komisioni i vlerësimit kishte analizuar vetëm pjesën e konceptit të projektit dhe jo tërë dokumentacionin e ofertës”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Problemet me këtë projekt nuk ndalen te vlerësimi i ofertave.

Sipas ZKA-së, komuna ka lidhur këtë kontratë për projektim ndonëse kishte një kontratë ekzistuese për shërbime të njëjta, të lidhur një vit më parë në mars 2023 me vlerë 12 milionë euro, për të ashtuquajturin “Arkitekt i Kryeqytetit”.

Sipas ZKA, kontrata 12-milionëshe përfshinte, ndër të tjera, konsulencë dhe projektime arkitektonike, organizim të konkurseve, përgatitje të dokumentacionit teknik dhe ndihmë profesionale për Drejtorinë e Urbanizmit. Pra shërbime që përputhen me përmbajtjen e projektit për “Art & Technology Hub – Tulltorja”.

ZKA konstaton se nuk është ofruar asnjë arsyetim ligjor apo funksional për lidhjen e kësaj kontrate shtesë në shkurt të vitit 2024, duke ngritur dyshime serioze për mbivendosje të shërbimeve dhe shpenzim të dyfishtë të buxhetit publik.

“Kjo kishte ndodhur si rezultat i mungesës së kontrolleve lidhur me vlerësimin dhe vendosjen e specifikave për projekte në procesin e tenderimit”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Komuna e Prishtinës, në përgjigje ndaj ZKA-së, ka pranuar të gjitha gjetjet dhe është pajtuar me rekomandimet. /Kujdestari.info/