Pas vendimit të Gjykatës Komerciale dhe njoftimit të pranuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE), KESCO ka njoftuar bizneset në tregun e hapur të energjisë elektrike se procesi i zgjedhjes së furnizuesit vazhdon sipas afateve të përcaktuara në njoftim.
Në mënyrë që të sigurohet furnizimi i pandërprerë me energji elektrike gjatë fundjavës, KESCO ka marrë vendimin që “të punojë me kapacitete të shtuar për pranimin e konsumatorëve që nuk kanë nënshkruar ende kontratë, deri më 15 gusht 2025 (e premte), ora 12:00 në mesditë”.
“Nga e hëna, procesi i nënshkrimit të kontratave do të vijojë rregullisht, në përputhje me afatet kohore të përcaktuara në rregullat e tregut”, njofton KESCO.
KESCO fton të gjithë konsumatorët biznesorë që të mos vonohen në procedurat për nënshkrimin e kontratave.
“Ju ftojmë të veproni pa vonesë për të siguruar vazhdimësinë e furnizimit tuaj me energji elektrike”, thuhet në njoftim.