Pas shkrimit të publikuar dje nga Kujdestari.info lidhur me gjendjen e rënduar të rrugës Komoran-Drenas-Skenderaj, ka reaguar edhe Komuna e Drenasit, duke e cilësuar këtë segment si tejet problematik dhe me rrezik për pjesëmarrësit në trafik.
Në artikullin e publikuar më 23 shkurt 2026, Kujdestari.info ngriti shqetësimin për një gropë të madhe në magjistralen Komoran-Drenas-Skenderaj, në afërsi të fshatit Zabel, e cila prej muajsh paraqet rrezik serioz për qarkullimin e automjeteve. Sipas raportimit, dëmtimi ndodhet në mes të korsisë dhe bëhet veçanërisht i rrezikshëm gjatë natës për shkak të mungesës së sinjalizimit.
Miliona për tenderë, por gropa gjigante në Komoran-Drenas-Skenderaj vazhdon të rrezikojë shoferët
Pas këtij publikimi, Komuna e Drenasit ka reaguar përmes një njoftimi zyrtar, duke theksuar se ankesat e qytetarëve për dëmtimet serioze në këtë rrugë janë plotësisht të arsyeshme. Sipas komunës, gjendja e rrugës është përkeqësuar ndjeshëm, me gropa dhe dëmtime të mëdha që po rrezikojnë sigurinë e pjesëmarrësve në trafik dhe po vështirësojnë qarkullimin e përditshëm.
Komuna ka sqaruar se ky segment rrugor është nën menaxhimin e nivelit qendror, përkatësisht të Ministrisë së Infrastrukturës, dhe se përgjegjësia për mirëmbajtjen dhe sanimin e tij i takon këtij institucioni. Megjithatë, sipas reagimit, Komuna e Drenasit ka dërguar disa herë kërkesa zyrtare për ndërhyrje urgjente dhe do të vazhdojë të kërkojë me ngulm marrjen e masave konkrete për riparimin e menjëhershëm të dëmtimeve.
Në reagimin e saj, komuna ka publikuar edhe fotografinë e mediumit për të ilustruar gjendjen reale në terren, duke theksuar se siguria e qytetarëve mbetet prioritet dhe se priten veprime të shpejta nga institucionet përgjegjëse.
Rruga Komoran-Drenas-Skenderaj është një nga segmentet më të frekuentuara në këtë zonë, ndërsa dëmtimet e vazhdueshme kanë ngritur shqetësime të vazhdueshme tek drejtuesit e automjeteve dhe banorët lokalë. /Kujdestari.info/
