E mërkurë, 4 Mars, 2026

Pas KESCO-s, edhe KEDS paraqet kërkesën tarifore: rrjeti, humbjet dhe importi shtyjnë koston e shpërndarjes

Ndaj

Pas aplikimit të KESCO-s për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, edhe Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, KEDS, ka dorëzuar në ZRRE kërkesën e tij tarifore për vitin 2026, duke kërkuar njohjen e kostove reale të rrjetit, humbjeve teknike, shpenzimeve operative dhe rritjes së kostos së fuqisë punëtore. Edhe pse kjo kërkesë nuk paraqitet drejtpërdrejt si rritje çmimi, ajo prek një komponent kyç të faturës së rrymës, tarifën e shpërndarjes, shkruan Kujdestari.info.

Kompania përgjegjëse për shpërndarjen e energjisë elektrike në Kosovë, KEDS, i është drejtuar Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) me aplikimin për të hyrat e lejuara maksimale për vitin 2026, duke kërkuar që në tarifa të përfshihen kostot e shtuara të operimit të rrjetit, humbjet e energjisë, importi i shtrenjtë dhe presioni në rritje i pagave dhe shërbimeve mbështetëse. Vendimi i ZRRE-së për këtë kërkesë do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në komponentin e shpërndarjes së faturës së energjisë elektrike.

Edhe pse kërkesa e KEDS-it nuk paraqitet drejtpërdrejt si “rritje çmimi” për konsumatorët, ajo përbën një komponent thelbësor të formulës tarifore, pasi tarifat e shpërndarjes janë pjesë e pandashme e faturës përfundimtare të rrymës. Rrjedhimisht, çdo rritje apo njohje shtesë e kostove të KEDS-it reflektohet në rritjen e tarifave të rrjetit dhe, në fund, në faturat që paguajnë qytetarët dhe bizneset.

Sipas dokumentit zyrtar të dorëzuar në ZRRE, KEDS kërkon që për vitin 2026 t’i njihen kostot reale të operimit, të cilat, sipas kompanisë, kanë tejkaluar ndjeshëm nivelet e lejuara gjatë periudhës së tretë rregullative (2023–2027). KEDS argumenton se rritja e çmimeve të materialeve teknike, shërbimeve operative dhe fuqisë punëtore, si dhe procesi i liberalizimit të tregut të energjisë, kanë krijuar një hendek serioz mes kostove reale dhe të hyrave të aprovuara nga rregullatori.

DOKUMENT

Në thelb të kërkesës së KEDS-it qëndron kostoja e operimit dhe mirëmbajtjes së rrjetit të shpërndarjes. Kompania thekson se gjatë vitit 2025 ka pasur rritje të ndjeshme të shpenzimeve operative, të cilat për disa kategori kanë shkuar deri në dyfishim krahasuar me vitin bazë 2022, mbi të cilin janë ndërtuar llogaritjet e mëparshme tarifore. Sipas KEDS-it, indeksimi me inflacion i aplikuar nga ZRRE nuk ka qenë i mjaftueshëm për të mbuluar këto rritje reale, duke e detyruar operatorin të funksionojë me nën-mbulim strukturor të kostove dhe duke rrezikuar realizimin e mirëmbajtjes së domosdoshme të rrjetit.

Një pjesë e rëndësishme e arsyetimit të KEDS-it lidhet me procesin e hapjes së tregut të energjisë elektrike. Sipas dokumentit, liberalizimi i tregut ka sjellë detyrime krejtësisht të reja për operatorin e shpërndarjes, të cilat nuk kanë qenë të përfshira në strukturën ekzistuese të tarifave. Këto përfshijnë verifikime të shumta në terren, shkyçje dhe rikyçje të konsumatorëve, lexime jashtë planit të zakonshëm, përpunim të dhënash në kohë reale, si dhe mbështetje operative për furnizuesit e rinj që kanë hyrë në treg. Për shkak të këtyre proceseve, stafi i KEDS-it ka qenë i detyruar të punojë me orare të zgjatura, përfshirë fundjavat, duke rritur ndjeshëm shpenzimet operative.

Një tjetër shtyllë e rëndësishme e kërkesës së KEDS-it është rritja e kostos së personelit. Kompania argumenton se rritja e pagës minimale, e cila në vitin 2026 parashihet të shkojë nga 425 euro në 500 euro, ka krijuar presion të drejtpërdrejtë mbi kostot e shërbimeve të kontraktuara, si sigurimi fizik, pastrimi, mirëmbajtja dhe shërbime të tjera mbështetëse, ku paga përbën komponentin kryesor të kostos. Për më tepër, KEDS thekson se pagat e inxhinierëve dhe teknikëve të saj mbeten ndjeshëm më të ulëta krahasuar me kompani të tjera të sektorit energjetik, gjë që ka nxitur largimin e stafit profesional dhe ka rritur rrezikun për qëndrueshmërinë operative të rrjetit.

Dokumenti ndalet gjerësisht edhe te kostoja e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes, e cila për vitin 2026 parashihet të arrijë në mbi 107 milionë euro. Sipas llogaritjeve të KEDS-it, energjia që hyn në rrjetin e shpërndarjes pritet të jetë rreth 6,601 GWh, ndërsa niveli i lejuar i humbjeve është 12.10 për qind, që përkthehet në mbi 914 GWh energji të humbur. Kjo energji duhet të blihet nga tregu, shpesh përmes importit, me një çmim mesatar të parashikuar prej 117.45 euro për MWh, duke e bërë humbjen financiare jashtëzakonisht të rëndë për operatorin.

KEDS thekson se gjatë vitit 2025 ka importuar mbi 16 milionë euro më shumë energji sesa niveli i lejuar nga ZRRE, kryesisht për shkak të parashikimeve të pasakta të prodhimit vendor. Sipas kompanisë, çdo devijim nga plani i prodhimit vendor e detyron operatorin e shpërndarjes të mbulojë mungesën përmes importit me çmime dukshëm më të larta, duke krijuar presion të drejtpërdrejtë financiar dhe rrezik për stabilitetin e sistemit.

Në këtë kontekst, KEDS kërkon që ZRRE t’i njohë këto kosto si të paevitueshme dhe jashtë kontrollit të operatorit, duke theksuar se mosnjohja e tyre do ta detyronte kompaninë të operojë me humbje të vazhdueshme, gjë që në afat të mesëm dhe të gjatë do të rrezikonte cilësinë e furnizimit dhe sigurinë e rrjetit. Përveç kësaj, në aplikim përfshihen edhe kostot kapitale shtesë, përfshirë investimet në modernizimin e rrjetit, sistemet e matjes dhe përmirësimin e infrastrukturës në pjesën veriore të Kosovës, të cilat nuk kanë qenë të parashikuara në planet fillestare të investimeve.

ZRRE tashmë ka nisur shqyrtimin e aplikimit të KEDS-it në kuadër të procesit tarifor për vitin 2026, ndërsa vendimi përfundimtar për njohjen ose refuzimin e këtyre kostove do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në nivelin e tarifave të shpërndarjes. Nëse kërkesa e KEDS-it miratohet në masë të plotë ose të konsiderueshme, ajo do të reflektohet në rritjen e komponentit të rrjetit në faturën e energjisë elektrike, duke u shtuar presionit financiar që tashmë po përballin qytetarët dhe bizneset në Kosovë. /Kujdestari.info/

Lexo edhe:

Pse po kërkohet shtrenjtimi i rrymës: KESCO rendit importin, remontet e KEK-ut dhe kostot e bartura

Lexo më shumë

Të tjera