E martë, 19 Gusht, 2025

OSHP ndëshkon “LG Project”: Diskualifikim 6-mujor për mosdorëzim dokumentesh në tenderin e Policisë së Kosovës

Ndaj

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ka miratuar kërkesën e Policisë së Kosovës për diskualifikimin e kompanisë “LG Project” Sh.p.k. nga pjesëmarrja në të gjitha procedurat e prokurimit publik për një periudhë prej gjashtë muajsh, duke filluar nga data 7 gusht 2025 deri më 6 shkurt 2026, shkruan Kujdestari.info.

Vendimi është marrë pasi kompania nuk iu përgjigj kërkesave zyrtare për dorëzimin e dokumenteve të pranueshmërisë brenda afatit ligjor.

Sipas vendimit të panelit shqyrtues të OSHP-së, rasti ka të bëjë me aktivitetin e prokurimit për “Furnizimin dhe punimin e ndarjeve të sallës në objektin e administratës së Policisë së Kosovës” (ritender, nr. 214-25-4208-1-3-6), ku “LG Project” ishte tenderuesi me ofertën fituese. Pas njoftimit për synimin e dhënies së kontratës, autoriteti kontraktues i kërkoi kompanisë dokumentet e përshtatshmërisë, por ajo nuk i dorëzoi brenda pesë ditëve të parashikuara nga neni 25.9 i Rregullores për Prokurim Publik Nr. 001/2022.

Në mungesë të përgjigjes, Policia e Kosovës e konsideroi këtë veprim në kundërshtim me rregulloren, refuzoi ofertën e kompanisë dhe vazhdoi procedurën me tenderuesin e renditur të dytin. Po ashtu, AK-ja kërkoi nga OSHP-ja marrjen e masës së diskualifikimit në bazë të nenit 99.2 të Ligjit për Prokurimin Publik (LPP).

OSHP njoftoi se edhe vetë i kishte kërkuar “LG Project” që të paraqiste argumentet e saj mbi pretendimet e Policisë, por kompania nuk u përgjigj. Pas shqyrtimit të provave dhe dokumentacionit, paneli shqyrtues konstatoi se shkelja ka qenë e provuar dhe vendosi diskualifikimin për një periudhë 6-mujore, që ndalon pjesëmarrjen në çdo fazë të procedurave të prokurimit publik gjatë kësaj kohe.

Ky vendim është i detyrueshëm për të gjitha autoritetet kontraktuese dhe zbatohet për çdo lloj kontrate publike, duke përfshirë edhe rastet kur kompania mund të paraqiste ankesa në procedura të tjera. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera