Komuna e Prishtinës, e udhëhequr nga Përparim Rama, ka thirrur për 11 shtator një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kryeqytetit, ndërsa në mesin e 22 pikave të rendit të ditës është futur edhe “Propozim-vendimi për bashkëpunim operacional dhe shërbime të tjera me UNDP-në”, shkruan Kujdestari.info.
Propozimi i ri për bashkëpunim me UNDP-në vjen pasi marrëveshja e mëparshme e Komunës së Prishtinës me këtë organizatë ishte bërë objekt i gjetjeve serioze të Zyrës Kombëtare të Auditimit.
Në raportin për vitin 2024, ZKA kishte konstatuar se Komuna, në shtator të atij viti, kishte hyrë në marrëveshje me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) për realizimin e dy projekteve: Sallës multifunksionale në Tulltore dhe Sallës koncertale në ish-objektin e Gërmisë.
Për realizimin e tyre, Komuna ishte dakorduar t’ia transferonte UNDP-së, në formë të parapagimit, 5 milionë e 120 mijë euro.
ZKA kishte konstatuar se marrëveshja ishte në kundërshtim me kërkesat ligjore, pasi Komuna ia kishte deleguar UNDP-së zhvillimin e procedurave të prokurimit dhe njëkohësisht kishte transferuar paraprakisht fondet për projektet.
Auditori kishte evidentuar edhe një problem tjetër: 5.12 milionë eurot ishin transferuar pa raporte për pranimin e furnizimeve, punëve dhe shërbimeve.
Situata ishte bërë edhe më problematike pasi, sipas raportit tremujor të progresit të hartuar në shkurt, projektet pothuajse nuk kishin filluar. ZKA kishte kërkuar edhe ekzaminim fizik, ndërsa vetë Komuna kishte konfirmuar se punimet nuk kishin nisur as në Tulltore dhe as në ish-objektin e Gërmisë, ndonëse të dy projektet ishte planifikuar të përfundonin deri më 31 gusht 2025.
Sipas Auditorit, parregullsitë ishin pasojë e moszbatimit të kërkesave ligjore dhe kontrolleve të dobëta të brendshme. ZKA kishte konstatuar gjithashtu se marrëveshjet e bashkëpunimit nuk përcaktonin qartë të drejtat dhe detyrimet e palëve, duke krijuar paqartësi për mënyrën e zbatimit dhe verifikimit të shërbimeve.
Për këtë arsye, ZKA i kishte rekomanduar kryetarit Përparim Rama që shpenzimi i fondeve publike të bëhej në përputhje me legjislacionin për menaxhimin e financave publike dhe që çdo kontraktim i punëve apo shërbimeve të realizohej përmes procedurave të rregullta të prokurimit.
Tash, pak më shumë se një vit pas këtyre konstatimeve, administrata e Ramës po e sjell sërish UNDP-në para Kuvendit të Kryeqytetit. Në seancën e jashtëzakonshme të 11 shtatorit, pika e tretë e rendit të ditës është “Propozim-vendimi për bashkëpunim operacional dhe shërbime të tjera me UNDP-në”.
Mbetet të shihet nëse propozim-vendimi i ri përmban mekanizma të ngjashëm me marrëveshjen e kritikuar nga Auditori, apo Komuna ka ndryshuar mënyrën e bashkëpunimit për t’iu përgjigjur problemeve të evidentuara nga ZKA.
Përveç UNDP-së, në seancën e 11 shtatorit do të shqyrtohen edhe dhënia në shfrytëzim afatgjatë e pronës komunale në Tulltore dhe themelimi i ndërmarrjes publike lokale “Pastrimi Prishtina” Sh.A.
Pjesa më e madhe e rendit të ditës lidhet me caktimin e lokacioneve për projekte të reja. Në mesin e tyre janë “Fshati Olimpik”, “Fusha e Golfit”, “Kuzhina Qendrore”, “Parku Botanik”, “Plani i Regjionit të Gollakut”, “Platforma Kalabri-Dardani”, “Tregu i Gjelbër”, “Tulltorja”, “Unaza e Qytetit” dhe “Zona e Ambasadave”.
Në rend dite janë gjithashtu caktimi i lokacioneve për “Hajvalia Sports Center”, “Parku Eko-industrial dhe Qendra Kreative”, “Qendra Multisportive Vertical Gym”, “Rezidenca për kujdesin ndaj të moshuarve”, “Rigjenerimi i Kodrës së Trimave 2”, “Rigjenerimi i Pallatit të Rinisë dhe Sportit”, “Rrjeti i Parkingjeve Nëntokësore”, “Spitali i Prishtinës” dhe “Rigjenerimi i Tregut të Ri dhe Parkim Nëntokësor”.
Dokumenti për thirrjen e seancës mban datën 7 shtator 2026, ndërsa seanca është caktuar vetëm katër ditë më vonë. /Kujdestari.info/
