Komuna e Prishtinës ka nënshkruar kontratë prej 689 mijë eurosh për projektimin e parkut përkujtimor “Dr. Ibrahim Rugova” dhe bibliotekës presidenciale përmes një procedure të negociuar, pasi projekti kishte dështuar më parë në një konkurs të hapur. Konkursi i vitit 2025 ishte anuluar pasi juria profesionale me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë kishte vlerësuar se asnjë nga projektet e dorëzuara nuk i përmbushte kriteret e kërkuara. Në procedurën e dytë të zhvilluar në vitin 2026, komuna ndryshoi edhe përbërjen e komisionit vlerësues dhe zhvilloi negociata me një konsorcium të vetëm kompanish, me të cilin më pas u lidh kontrata për projektimin e projektit, shkruan Kujdestari.info.
Pas më shumë se një viti zvarritje dhe pas anulimit të konkursit të parë, Komuna e Prishtinës e përmbylli procesin për projektimin e parkut përkujtimor “Dr. Ibrahim Rugova” dhe bibliotekës presidenciale përmes një procedure të negociuar me vetëm një ofertues. Kontrata është nënshkruar më 9 mars 2026 me një konsorcium kompanish në vlerë prej 689 mijë eurosh, sipas njoftimit për nënshkrimin e kontratës të publikuar nga komuna.
Në këtë procedurë është pranuar vetëm një ofertë dhe ajo është shpallur fituese, ndërsa vlera e kontratës është vetëm pak më e ulët se vlera e parashikuar nga vetë komuna, e cila ishte llogaritur në 698 mijë euro.
Operatori ekonomik fitues është një grup kompanish i përbërë nga FST Engineering SH.P.K., LSN+Partners SH.P.K., N.N.SH. Vizion Project dhe studioja gjermane ALN Architekturbüro Leinhäupl + Neuber GmbH, të cilat kanë krijuar konsorcium për realizimin e projektit të parkut dhe bibliotekës presidenciale.

Megjithatë, ky projekt nuk kishte nisur me këtë procedurë. Dokumentet tregojnë se procesi i projektimit për parkun memorial të ish-presidentit Ibrahim Rugova ishte iniciuar më herët, në vitin 2025, përmes një konkursi projektimi me procedurë të hapur.
Fillimisht, në janar të vitit 2025, Komuna e Prishtinës kishte nisur një nga projektet më simbolike urbane të viteve të fundit, konkursin për projektimin e parkut përkujtimor “Dr. Ibrahim Rugova” dhe bibliotekës presidenciale. Projekti synonte krijimin e një hapësire të rëndësishme publike dhe kulturore në kryeqytet, me simbolikë të veçantë historike dhe shtetërore.

Procedura fillestare ishte zhvilluar përmes një konkursi projektimi me procedurë të hapur, ku arkitektë dhe studio të ndryshme kishin dorëzuar propozimet e tyre.
Juria kishte konstatuar se materialet e dorëzuara nuk arrinin nivelin e ambicies dhe të cilësisë që kërkon një projekt me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare, duke theksuar se ndërhyrja në një lokacion të tillë kërkon standard të lartë profesional dhe konceptual. Për këtë arsye juria kishte rekomanduar që të mos ndahej asnjë çmim dhe të mos lidhej kontratë me asnjërin nga pjesëmarrësit, duke ia lënë autoriteteve vendimmarrjen për hapat e mëtejshëm të projektit.
Në atë fazë, procesi ishte vlerësuar nga një juri profesionale e përbërë kryesisht nga ekspertë të jashtëm dhe profesionistë të fushës së arkitekturës dhe urbanizmit. Sipas dokumenteve të konkursit, në këtë komision kishin qenë të përfshirë arkitektë dhe ekspertë ndërkombëtarë, përfshirë Teuta Jaha, Davide Macullo, Toni Girones, Dukagjin Kastrati dhe Aferdita Gashi Sinanaj, të cilët kishin nënshkruar raportin përfundimtar të vlerësimit.

Në raportin e tyre, juria kishte identifikuar një sërë problemesh të përsëritura në projektet e dorëzuara. Në mesin e kritikave kryesore përfshiheshin mungesa e një koncepti të qartë urban për parkun, trajtimi jo adekuat i hapësirave publike, mungesa e një strategjie të qëndrueshme ekologjike dhe përdorimi problematik i formave arkitektonike që nuk përputheshin me karakterin demokratik dhe qytetar që duhet të përfaqësonte biblioteka presidenciale. Juria kishte theksuar gjithashtu se shumë projekte nuk kishin marrë parasysh orientimin diellor, efikasitetin energjetik dhe integrimin me topografinë ekzistuese të lokacionit.
Në përfundim të këtij procesi, konkursi i vitit 2025 ishte anuluar me arsyetimin se asnjë ofertë nuk ishte konsideruar e përgjegjshme apo e pranueshme për realizim, duke e mbyllur kështu procedurën e parë të përzgjedhjes së projektit.
Megjithatë, zhvillimet e mëvonshme në këtë projekt morën një drejtim tjetër procedural. Në vitin 2026, Komuna e Prishtinës vendosi të vazhdojë me projektin përmes një procedure tjetër të prokurimit. Këtë herë aktiviteti i prokurimit u zhvillua përmes një procedure të negociuar dhe pa publikim të njoftimit për kontratë, një formë procedurale që përdoret vetëm në rrethana të veçanta sipas Ligjit për Prokurimin Publik.
Një element që bie në sy në këtë fazë të dytë është ndryshimi në përbërjen e komisionit vlerësues. Ndryshe nga konkursi i vitit 2025, ku projektet ishin vlerësuar nga një juri profesionale me ekspertë të jashtëm, në procedurën e vitit 2026 raporti tregon se komisioni i vlerësimit përbëhej nga zyrtarë dhe urbanistë të punësuar në Komunën e Prishtinës.

Po ashtu, dokumentet tregojnë se në këtë aktivitet prokurimi ishte tërhequr vetëm një dosje tenderi dhe ishte pranuar vetëm një ofertë, e cila në fund është shpallur fituese. Kjo do të thotë se procesi praktikisht nuk kishte konkurrencë reale, pasi vetëm një operator ekonomik kishte marrë pjesë në procedurë.
Në aspektin financiar, dokumentet tregojnë se vetë komuna kishte parashikuar një vlerë të kontratës prej 698 mijë eurosh, ndërsa kontrata përfundimtare është lidhur për 689 mijë euro, pra vetëm rreth 9 mijë euro më pak se vlera e parashikuar.
Në raportin e vlerësimit të procedurës së negociuar, komisioni i Komunës së Prishtinës ka bërë edhe një analizë financiare për të vlerësuar nëse oferta është në përputhje me praktikat e tregut. Sipas dokumentit, bazuar në projektin konceptual, vlera e parashikuar investive e projektit është rreth 3,768,460 euro. Në praktikë, shërbimet e projektimit zakonisht arrijnë deri në rreth 10% të vlerës investive, që në këtë rast do të nënkuptonte një shumë orientuese prej rreth 376,846 euro.
Megjithatë, oferta fillestare e operatorit ekonomik ka qenë 698,000 euro, që sipas vetë raportit përfaqëson rreth 18.5% të vlerës së investimit dhe konsiderohet disproporcionale në raport me standardet e zakonshme. Dokumenti përshkruan gjithashtu se gjatë negociatave të zhvilluara më 24 shkurt 2026, operatori ekonomik ka pranuar të ulë çmimin vetëm për 3,000 euro, duke e zbritur ofertën nga 698,000 euro në 695,000 euro, ulje që komisioni e cilëson si minimale dhe që nuk reflekton një rishikim real të strukturës së kostos.
Në përfundim të analizës financiare, komisioni vlerëson se çmimi prej 695,000 euro mbetet i lartë dhe jo proporcional me nivelin aktual të elaborimit të projektit. Megjithatë, kontrata është nënshkruar në vlerën 689,000 euro, shumë që mbetet dukshëm mbi nivelin orientues prej rreth 376 mijë euro që del nga përllogaritja e vetë komunës mbi bazën e 10% të vlerës investive.
Në praktikën e prokurimit publik, veçanërisht në kontratat për projektim arkitektonik, shpesh përdoret formula e përllogaritjes së honorarit të projektimit bazuar në përqindjen e investimit të përgjithshëm të projektit. Në këtë rast, edhe vetë raporti i vlerësimit i komunës e përdor këtë metodë për të krahasuar ofertën me praktikat e zakonshme të tregut. /Kujdestari.info/