Ekonomia

Pas çdo vërshimi, kontrata të reja: Shpenzimet publike për përmbytjet në Kosovë

Nga Kujdestari Media

Shkruan: Agnesa Qorri

Me mijëra e miliona euro kontrata për rregullimin e lumenjve, ndërtimin e urave, tombinave dhe mureve mbrojtëse synojnë t’i mbrojnë komunat e Kosovës nga vërshimet. Por në disa prej zonave ku është investuar, uji është kthyer përsëri, bashkë me dëmet dhe nevojën për ndërhyrje të reja. Fatura, në fund, paguhet sërish me para publike.

Ky hulumtimi gjeti raste ku në zona ku ishin realizuar investime, më vonë janë regjistruar përseri vërshime, ndërsa në disa prej tyre janë realizuar ose planifikuar ndërhyrje të tjera. Dëmet nga vërshimet, ndërkohë, vazhdojnë të arrijnë në miliona euro. Institucionet kryesisht i lidhin këto raste me reshjet intensive dhe karakteristikat e lumenjve, por jo gjithmonë kanë përgjigje të qarta se sa efektive kanë qenë investimet, pse problemi është përsëritur dhe nëse është kërkuar përgjegjësi kur është dashur të investohet përsëri.

Intensiteti i reshjeve ishte veçanërisht i lartë gjatë vërshimeve të janarit 2026, të cilat prekën disa prej zonave të trajtuara në këtë hulumtim. Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), vërshimet e 5 deri më 8 janarit arritën përmasa që korrespondojnë me një periudhë kthyese hidrologjike prej 50 vjetësh, veçanërisht në pjesën perëndimore të vendit dhe në pellgun e Drinit të Bardhë. Nga 1 deri më 10 janar, në Kosovë ranë mesatarisht 124.1 milimetra reshje, rreth 50 për qind më shumë se mesatarja e janarit për periudhën 1961–2024.

Drenasi: investime në pika kritike, por rreziku nga vërshimet mbetet

Në janar të këtij viti, uji që kalon nëpër Dobroshec të Drenasit mori me vete edhe një pjesë të asfaltit të rrugës që çon drejt lagjes Ademaj.

Për disa ditë, banorët thonë se u detyruan ta bënin vetë rrugën të kalueshme. Më vonë ndërhyri Komuna, por jo për ta kthyer në gjendjen e mëparshme.

“Me s’kanë investu diçka, qashtu ka mbetë”, thotë Bislim Ademi. Komuna, sipas tij, hodhi zhavorr mbi pjesën ku ishte dëmtuar asfalti. Sa herë bie shi më shumë, thotë ai, aty krijohen përsëri gropa.

 

(Foto nga fshati Dobroshec, Drenas. Shtator 2026)

Pak metra larg gjendet ura e lagjes Ademaj, një prej ndërhyrjeve që Komuna e Drenasit e rendit mes investimeve të bëra në pikat e rrezikuara nga vërshimet.

Komuna konfirmon se gjatë vërshimeve të janarit 2026 rruga pranë saj u dëmtua, por thotë se problemi nuk ishte te ura.

“Vërshimet e fundit kanë ndodhur jashtë urës, në një pikë tjetër të rrugës. Në kohën kur është ndërtuar ura, gjendja e rrugës ka qenë stabile”, thuhet në përgjigjen e Komunës.

Për këtë pjesë tash parashihet një ndërhyrje tjetër. Kostoja, sipas Komunës, do të dihet pas hapjes së ofertave, pasi procedura e prokurimit është ende në zhvillim.

Problemet nuk kufizohen vetëm në Dobroshec.

Çikatova e Vjetër vazhdon të jetë një prej zonave të rrezikuara nga vërshimet, edhe pse Komuna thotë se në ura dhe tombina aty janë investuar rreth 28 mijë euro. E pyetur sa e kanë zvogëluar këto investime rrezikun, Komuna nuk dha një vlerësim konkret.

“Për shkak të rrezikut të vazhdueshëm nga vërshimet, nevojiten investime shtesë, duke pasur parasysh se zona shtrihet rreth shtratit të lumit”, thuhet në përgjigjen e Komunës.

Të dhënat mbi të cilat është planifikuar rreziku në Drenas, ndërkohë, kanë qenë të vjetra. Plani Zhvillimor Komunal 2020–2028 i referohet një vlerësimi të vitit 2010 dhe thotë se Komuna nuk kishte të dhëna më të reja për vërshimet dhe pasojat e tyre.

E sa i përket përsëritjsës së dëmeve pas investimeve, pyetëm komunën nësë kishte nxjerrë në pah probleme në projektim, drenazhim apo cilësinë e punimeve. Komuna thotë se nuk ka konstatuar raste të tilla.

Sipas saj, deri më tani nuk është evidentuar ndonjë mangësi që do të kërkonte riparime nën garanci dhe nuk janë ndërmarrë masa administrative apo ligjore ndaj operatorëve ekonomikë. Përsëritjen e problemeve Komuna e lidh me reshjet intensive, karakteristikat hidrologjike dhe gjeografike dhe mungesën e një zgjidhjeje afatgjatë për shtretërit e lumenjve.

Të dhënat e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK) tregojnë se nga 8 deri më 10 janar 2026, në stacionin e Drenasit u regjistruan 50.8 milimetra reshje.

Një zgjidhje e tillë mungon edhe në zonën pranë trafostacionit të KEDS-it dhe hekurudhës, një tjetër pikë ku vërshimet janë përsëritur në këtë qytet.

Që nga viti 2020, sipas Komunës, aty nuk është realizuar ndonjë investim i madh kapital për drenazhim apo mbrojtje nga vërshimet, përveç pastrimit periodik të kanaleve.

Komuna ia atribuon përgjegjësinë për një zgjidhje afatgjatë nivelit qendror.

“Komuna i është drejtuar disa herë MMPHI-së për rregullimin e lumit, por Ministria nuk ka investuar në atë pjesë të lumit”, thuhet në përgjigje.

Vetë Komuna ka asfaltuar një rrugë të vogël pranë kësaj zone për rreth 16 mijë e 250 euro, por thotë se investimi ishte vetëm për qarkullimin e banorëve dhe nuk kishte për qëllim mbrojtjen nga vërshimet.

Sipas Komunës, problemi është dalja e ujit nga shtrati i lumit për shkak të mosrregullimit të tij.

Vetëm nga vërshimet e janarit 2026, dëmet në infrastrukturën publike të Drenasit u vlerësuan në rreth 375 mijë e 900 euro.

Në prill të të njëjtit vit, MMPHI mori një vendim që ndryshon qasjen ndaj përdorimit të betonit në disa ndërhyrje në shtretërit e lumenjve

Ministria urdhëroi pezullimin e përkohshëm të punimeve në projektet ekzistuese ku përdoret beton në shtretërit e lumenjve, për segmentet ku nuk ishin kryer 90 për qind e punimeve, dhe ndaloi projekte të reja të kësaj natyre pa autorizim të posaçëm.

Në arsyetimin e vendimit, MMPHI thotë se betonimi i shtretërve mund të rrisë shpejtësinë e rrjedhës së ujit, “duke shkaktuar rrezik më të lartë nga vërshimet në zonat e poshtme”.

Vendimi nuk identifikon projektet e Drenasit si shkaktarë të vërshimeve. Por ai ndryshon qasjen ndaj ndërhyrjeve në lumenj pikërisht në kohën kur Komuna e Drenasit thotë se disa prej zonave ku është investuar vazhdojnë të kenë nevojë për ndërhyrje të tjera.

MMPHI nuk iu përgjigj pyetjeve tona për investimet e realizuara për mbrojtjen nga vërshimet, efektivitetin e tyre dhe rastet kur në zonat e trajtuara janë nevojitur investime të reja.

Rahoveci: investime milionëshe, disa zona përsëri nën ujë

Rreth 40 kilometra larg Drenasit, Rahoveci është përballur me të njëjtin problem: investimet në lumenj dhe përrocka kanë vazhduar, por edhe vërshimet janë përsëritur.

Në disa prej zonave të prekura ndër vite, Komuna ka kontraktuar projekte që së bashku arrijnë në miliona euro.

Në Pataqan të Poshtëm, Opterushë, Polluzhë dhe Malësi të Vogël, projekti për trajtimin e shtretërve të përrockave ka vlerë rreth 816 mijë euro.

Në Sapniq, ku vërshimet kanë shkaktuar probleme edhe në të kaluarën, është kontraktuar rregullimi i rreth 4.3 kilometrave të shtratit të lumit për rreth 699 mijë euro.

Një tjetër kontratë, në vlerë rreth 1 milion e 970 mijë euro, përfshin kolektorin dhe rregullimin e shtratit të lumit në Hoçë të Madhe, Brestoc, Hoçë të Vogël, Nagac dhe Krushë të Madhe. Këto dy projekte ishin ende në realizim sipas dokumentacionit të siguruar nga ne.

Në Fortesë, ndërkaq, Komuna ka kontraktuar vazhdimin e rregullimit dhe rikonstruktimin e lumit Rimnik për rreth 956 mijë euro.

Por pikërisht Fortesa është një prej zonave ku vërshimet janë përsëritur.

Fshati ishte prekur nga vërshimet në vitet 2021 dhe 2022, ndërsa uji u kthye përsëri në janar 2026.

Komuna thotë se Lumi Bellaja ishte trajtuar dhe zgjeruar nga Fortesa deri te linja hekurudhore, me qëllim që të rritej kapaciteti i tij për përballimin e prurjeve.

Në vitin 2026, megjithatë, Bellaja doli përseri nga shtrati.

“Përkundër intervenimeve të realizuara, prurjet e jashtëzakonshme të ujit gjatë reshjeve intensive kanë tejkaluar kapacitetin e lumit, duke shkaktuar përsëritjen e vërshimeve në fshatin Fortesë”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Rahovecit.

Të dhënat e IHMK-se tregojnë se nga 8 deri me 10 janar 2026 në Rahovec u regjistruan 58.1 milimetra reshje.

Ne pyetem Komunën nëse në Fortesë apo zona të tjera që janë përmbytur përsëri pas investimeve janë konstatuar mangësi në projektim apo në punimet e kryera dhe nëse është kërkuar përgjegjësi nga operatorët ekonomikë.

Por Komuna nuk dha përgjigje konkrete për këtë.

Edhe Krusha e Madhe shfaqet në të dyja anët e këtij cikli: si zonë ku po investohet dhe si zonë ku janë regjistruar dëme.

Projekti prej rreth 1 milion e 970 mijë eurosh përfshin edhe rregullimin e shtratit të lumit në Krushë të Madhe. Në vitin 2026, ky fshat figuron përsëri në dokumentacionin e Komunës mes zonave me ekonomi familjare, bujqësi dhe biznese të dëmtuara nga vërshimet.

Megjithatë, projekti ishte ende në realizim, prandaj dëmet e vitit 2026 nuk mund të përdoren si dëshmi se projekti i ri nuk ka funksionuar.

Përtej projekteve, të dhënat e Komunës tregojnë se dëmet nga vërshimet janë përsëritur pothuajse çdo vit.

Vetëm në vitin 2022, dëmet e evidentuara arritën në rreth 3 milionë euro. Prej tyre, rreth 1 milion e 735 mijë euro ishin dëme në bujqësi dhe rreth 1 milion e 192 mijë euro në ekonomi familjare.

Dëmet vazhduan edhe në vitet pasuese.

Në vitin 2025, vetëm dëmet në bujqësi kapën vlerën e rreth 802 mijë eurove. Sipas Komunës, këto dëme nuk janë kompensuar.

Në vitin 2026 vlera e dëmeve nga vërshimet arrit rreth 487 mijë e 800 euro dëme. As këto dëme nuk ishin kompensuar deri në kohën kur Komuna u përgjigj.

Kontratat për rregullimin e lumenjve dhe përrockave në Rahovec arrijnë në miliona euro. Në të njejtën kohë, dokumentet komunale regjistrojnë Fortesën, Krushën e Madhe, Ratkocin, Celinën, Sapniqin dhe zona të tjera mes vendeve të prekura nga vërshimet.

Në Fortesë, ku Komuna konfirmon se lumi ishte zgjeruar për të përballuar më shumë ujë, shpjegimi i saj për përsëritjen e vërshimeve është se prurjet e vitit 2026 tejkaluan kapacitetin e tij. Por Komuna nuk dha përgjigje nëse pas përsëritjes së problemit është bërë ndonjë vlerësim që do të tregonte nëse ndërhyrjet e mëparshme kishin nevojë për ndryshim apo nëse kishte mangësi për të cilat mund të kërkohej përgjegjësi.

Mitrovica: pas projektit prej 820 mijë eurosh, ndërhyrjet në Lushtë vazhduan

Në Mitrovicën e Jugut, lumi Lushta është trajtuar disa herë gjatë viteve të fundit, ndërsa vërshimet kanë sjellë miliona euro dëme.

Në vitin 2019, Komuna e Mitrovicës së Jugut dhe Ministria e Mjedisit kishin lidhur memorandum për një projekt në vlerë prej 820 mijë eurosh. Tetëdhjetë për qind e financimit ishte paraparë nga Ministria dhe 20 për qind nga Komuna.

Projekti nuk ishte vetëm për Lushtën, por për mirëmbajtjen dhe pastrimin e lumenjve Lushta dhe Trepça. Operator ekonomik ishte kompania “Euro Ndërtimi”.

Në Lushtë, punimet nisën nga lagjja Bair dhe vazhduan deri te ura në Shipol. Sipas Komunës, lumi u pastrua nga mbeturinat dhe materialet inerte, ndërsa shtrati u zgjerua dhe u thellua. Në pjesët ku ishte e mundur u rregulluan edhe brigjet dhe muret mbrojtëse.

Komuna thotë se kjo ndërhyrje dha rezultat në vërshimet e nëntorit 2022.

“Pastrimi dhe mirëmbajtja e lumit ka ndikuar që vërshimet e nëntorit 2022 të mos shkaktojnë përmbytje dhe dëme të mëdha sikurse para vitit 2019”, thuhet në përgjigjen e Komunës.

Por vetëm disa muaj më vonë, në janar 2023, Lushta doli përsëri nga shtrati.

Vërshimet ndodhën gjatë një periudhe me reshje të jashtëzakonshme. Sipas IHMK-së, nga 17 deri me 20 janar 2023 në Kosove ranë rreth 144 milimetra reshje, duke shkaktuar vërshime masive, veçanërisht në zona përfshirë Mitrovicën dhe Skënderajn.

Komuna thotë se atë vit përveç Lushtës kishte dalë nga shtrati edhe Ibri. Për Lushtën, megjithatë, ajo identifikon dy arsye.

“Lumi Lushta ka dalë nga shtrati për shkak të volumit të madh të reshjeve dhe mos përmbajtjes së mureve në disa kthesa të shtratit të lumit”, thuhet në përgjigjen e Komunës.

Vërshimet e vitit 2023 lanë pas dëme të mëdha. Komuna vlerësoi se dëmet e evidentuara në ekonomi familjare, biznese, bujqësi dhe vetura private, në total arrijnë në rreth 6 milionë e 224 mijë euro.

Pas vërshimeve, ndërhyrjet në Lushtë vazhduan.

Në vitin 2024, Komuna shpenzoi rreth 230 mijë e 700 euro për pastrimin e lumit. Një vit më vonë u shpenzuan edhe 328 mijë e 150 euro, ndërsa në vitin 2026 pastrimi i Lushtës dhe Sitnicës kushtoi rreth 52 mijë e 900 euro.

Këto tri ndërhyrje arrijnë në rreth 611 mijë e 700 euro.

Punimet e viteve 2024–2026 i realizoi operatori ekonomik “Ramadani ING” SH.P.K., ndërsa projekti i mëparshëm prej 820 mijë eurosh për Lushtën dhe Trepçën ishte realizuar nga “Euro Ndërtimi”.

Komuna thotë se ndërhyrjet e mëvonshme nuk janë financuar si korrigjim i punëve të operatorit të parë, por si kontrata të reja pasi kontratave paraprake u kishte përfunduar afati.

“Korrigjimet janë bërë me financa të reja atëherë kur një operatori ekonomik i ka kaluar afati i kontratës, pastaj kemi filluar me procedurat e tenderimit dhe e ka fituar tjetër operator dhe kemi ndërhyrë me atë operator dhe financa të kontratës së re”, thuhet në përgjigjen e Komunës.

Punimet e mëvonshme, sipas saj, kanë vazhduar nga lapidari i dëshmorëve në drejtim të fshatit Lushtë, me pastrimin, thellimin dhe zgjerimin e shtratit.

Por edhe pas këtyre investimeve, Komuna thotë se një pjesë tjetër e lumit vazhdon të ketë nevojë për ndërhyrje.

E pyetur se çfarë duhet bërë për të parandaluar përsëritjen e problemit, Komuna tha se nevojitet një vlerësim më i thellë.

“Duhet të bëhet analizë e detajuar, studim dhe të ndërtohen mure me material të fortë sidomos në kthesa të shtratit të lumit dhe të mirëmbahet në çdo kohë pa ndërprerë”, thuhet në përgjigjen e Komunës.

Kjo përgjigje lë të hapur edhe pyetjen se mbi çfarë analize teknike janë përcaktuar ndërhyrjet e mëparshme. Komuna kishte thënë se pas vërshimeve janë vlerësuar shkaqet dhe nevojat për ndërhyrje, por tash thotë se për Lushtën ende duhet një analizë dhe studim i detajuar.

Pavarësisht përsëritjes së vërshimeve, Komuna nuk ka raportuar mangësi të operatorëve ekonomikë në realizimin e punimeve.

Ndërkohë, dëmet janë përsëritur edhe në vitin 2026.

Për atë vit, Komuna evidentoi dëme në vlerë rreth 797 mijë e 900 euro.

Vetë Komuna konfirmon se mes zonave që janë përmbytur përsëri ka edhe të tilla ku më parë ishin realizuar ndërhyrje në lumenj dhe drenazhim, përfshirë Lushtën.

Në këtë rast, megjithatë, Komuna nuk e lidh përsëritjen e problemit me cilësinë e punimeve të operatorëve. Për Lushtën, ajo përmend reshjet e mëdha dhe muret që nuk e përmbajtën ujin në disa kthesa, ndërsa për zgjidhjen afatgjatë thotë se ende nevojiten studim, mure më të forta dhe mirëmbajtje e vazhdueshme.

Skenderaj: mbi 600 mijë euro ndërhyrje në lumin Klina brenda pak vitesh

Në Skenderaj, lumi Klina është një prej zonave ku investimet publike janë përsëritur brenda pak vitesh.

Në vitin 2019, Komuna realizoi projektin për rregullimin e rreth 830 metrave të lumit Klina, me vlerë 360 mijë euro. Punimet i realizoi operatori ekonomik “Bajraktari” SH.P.K.

Tre vjet më vonë, në vitin 2022, u realizua një tjetër projekt për rregullimin dhe pastrimin e shtratit të të njëjtit lumë, në vlerë prej rreth 221 mijë e 600 eurosh, këtë herë nga kompania “Fetahaj Company” SH.P.K.

Në vitin 2023 pasoi edhe një kontratë prej rreth 32 mijë e 900 eurosh për ndërtimin e kaskadave në lumin Klina, e realizuar nga NNP “Wenda”.

Vetëm këto tri ndërhyrje kapin vlerën e rreth 614 mijë e 500 eurove.

Të dhënat e Komunës tregojnë se vërshimet në Skenderaj kanë vazhduar edhe pas këtyre investimeve.

Në janar 2023, Komuna e përshkruan situatën si rrezikun më të madh nga vërshimet në 50 vjet, me dëme të përgjithshme të vlerësuara në rreth 12 milionë euro. Edhe IHMK e rëndit Skënderajn ndër zonat e prekura nga vërshimet masive të asaj periudhe, kur nga 17 deri me 20 janar u regjistruan rreth 144 milimetra reshje në vend.

Dokumenti komunal për fatkeqësitë natyrore tregon se problemi nuk ishte i ri. Qysh në vitin 2007 vërshimet përshkruheshin se ndodhnin në “vendet ku ndodhin për çdo vit”, ndërsa një vit më vonë Komuna i quante disa prej tyre “zona të përhershme ku ato na përsëriten për çdo vit”.

Vërshimet vazhduan edhe pas vitit 2023.

Vetëm gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2026, Komuna regjistroi 259 raste me dëme të vlerësuara në rreth 532 mijë e 700 euro.

Përveç lumit Klina, Komuna ka investuar edhe në pjesë të tjera të prekura nga rreziku i vërshimeve. Në vitin 2018, rregullimi i shtratit të lumit në segmentin Skenderaj–Llaushë, në gjatësi prej rreth 530 metrash, kushtoi 182 mijë euro dhe u realizua nga kompania “Ileaa Gr” SH.P.K.

Në vitin 2024 nisi edhe një kontratë shumë më e madhe për ndërtimin e tetë urave në disa fshatra, përfshirë Llaushën, Aqarevën, Kuqicën, Tërnavcin, Tushilën dhe Kllodernicën. Vlera e kontratës është rreth 949 mijë e 900 euro, ndërsa operator është “Mirusha Company”.

Ne  i kërkuam Komunës të tregojë konkretisht se cilat pjesë të lumit Klina, ku ishin realizuar investimet e viteve 2019, 2022 dhe 2023, u prekën përsëri nga vërshimet dhe pse u deshën ndërhyrje të reja pas projektit të parë.

Komuna u pyet edhe nëse ndonjë urë, rrugë, kanal apo pjesë e rregulluar e lumit është dashur të zgjerohet, ridimensionohet apo rindërtohet pasi nuk kishte përballuar sasinë e ujit, si dhe nëse në raste të tilla ishte kërkuar përgjegjësi nga projektuesit, mbikëqyrësit apo operatorët ekonomikë.

Por, Komuna e Skenderajt nuk iu përgjigj këtyre pyetjeve deri në publikimin e këtij artikulli.

Kjo e lë të paqartë një pjesë të rëndësishme të historisë së investimeve në Skenderaj: dokumentet tregojnë se në të njëjtin lumë janë investuar mbi 600 mijë euro brenda pak vitesh dhe se vërshimet e mëdha kanë vazhduar, por nga të dhënat e ofruara nga Komuna nuk mund të përcaktohet nëse ndërhyrjet e njëpasnjëshme kanë qenë korrigjim i problemeve të mëparshme.

Malisheva: dëmi u pagua nga vetë fermeri

Në Carrallugë të Malishevës, Fahrush Krasniqi thotë se në qershor 2026 shpërthimi i kanalizimit në arën e tij dëmtoi një pjesë të grurit ende pa u korrur. Ai kishte të mbjella katër hektarë e pesë ari dhe, bashkë me dëmet nga breshëri, prodhimi ra nga rreth 14 mijë kilogramë një vit më parë në rreth 8 mijë e 400 kilogramë.

 

Krasniqi thotë se fillimisht kërkoi ndërhyrjen e Komunës, ndërsa më pas u drejtua te ujësjellësi, por problemi nuk u rregullua.

“Kam shku në komunën e Malishevës, e kam njoftu që kanalizimi ka shpërthy dhe hajdeni me rregullu, as që kanë ardhë me e rregullu”, thotë ai.

Në fund, thotë se pagoi vetë 250 euro për rregullimin e kanalizimit, në të cilin sipas tij janë të lidhura rreth 15 shtëpi. Përveç dëmit në prodhim, Krasniqi thotë se humbi edhe mundësinë për subvencion për shkak të sasisë më të ulët të grurit.

Vërshimet kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme edhe në pjesë të tjera të Malishevës. Sipas Komunës, dëmet e evidentuara gjatë vërshimeve të vitit 2026 arrijnë në 540 mijë e 523 euro, prej të cilave 210 mijë e 500 euro në infrastrukturë.

Komuna thotë se ndër shkaqet e vërshimeve janë reshjet me intensitet të lartë, ndërtimet e pakontrolluara përgjatë pellgut të Mirushës, mosrregullimi i shtratit të lumit dhe përroskave dhe hedhja e mbeturinave. E pyetur nëse gjatë viteve 2016–2026 ishin përmbytur zona ku më parë ishin realizuar projekte për rregullimin e lumenjve, kanaleve apo drenazhimit, Komuna identifikoi shtratin e lumit Mirusha në qendër të Malishevës.

Megjithatë, Komuna nuk ofroi të dhëna për arsyet e përsëritjes së vërshimeve në zonat ku ishin realizuar investime. Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim tha se nuk ka të dhëna as për vlerësime mbi kapacitetin apo mirëmbajtjen e sistemeve, e as nëse janë konstatuar mangësi në realizimin e projekteve apo është kërkuar përgjegjësi nga operatorët ekonomikë.

Në janar 2026, në Malishevë u përmbytën edhe nënkalimi dhe parkingu nëntokësor. Ne i kërkuam Komunës të tregojë sa kishin kushtuar këto investime, cilat kompani kishin qenë përgjegjëse për projektimin, realizimin dhe mbikëqyrjen, pse sistemi për largimin e ujërave nuk e kishte parandaluar përmbytjen dhe nëse ishin konstatuar mangësi në projektim apo realizim.

Deri në publikimin e artikullit, Komuna e Malishevës nuk iu përgjigj këtyre pyetjeve.

Kjo e lë të paqartë nëse përmbytja e këtyre dy investimeve lidhej me kapacitetin e projektuar të drenazhimit, me realizimin e punimeve apo me intensitetin e reshjeve.

Auditimi kishte gjetur mangësi në sistemin e mbrojtjes nga vërshimet

Problemet me menaxhimin e rrezikut nga vërshimet nuk kufizohen vetëm te investimet individuale të komunave.

Në auditimin për parandalimin dhe reagimin ndaj vërshimeve, Zyra Kombëtare e Auditimit kishte konstatuar se Kosova nuk kishte krijuar një sistem adekuat dhe efektiv për parandalimin dhe reagimin ndaj tyre. Auditimi kishte përfshirë periudhën 2019 deri në janar 2021 dhe, në nivel lokal, komunat e Gjakovës dhe Vushtrrisë.

Ndër problemet e evidentuara ishin dokumentet e vjetruara të planifikimit. Strategjia e Sigurisë dhe Plani i Reagimit Kombëtar nuk ishin përditësuar që nga viti 2010, ndërsa vlerësimi i rreziqeve që nga viti 2016. ZKA kishte gjetur mangësi edhe në të dhënat për fatkeqësitë dhe në monitorimin nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent.

Në Gjakovë dhe Vushtrri, auditorët kishin gjetur se pas intervenimeve gjatë vërshimeve nuk ishin hartuar raporte vlerësuese që do të dokumentonin problemet dhe nevojat për përmirësim.

ZKA kishte dhënë 11 rekomandime, por deri në kohën kur iu përgjigj BIRN-it nuk kishte një vlerësim përfundimtar se sa prej tyre ishin zbatuar. Institucioni tha se planifikonte një auditim përcjellës.

Megjithatë, auditimi nuk kishte shqyrtuar prokurimin, menaxhimin e kontratave apo cilësinë e punimeve në projektet për lumenjtë dhe mbrojtjen nga vërshimet. Për këtë arsye, ZKA tha se nga ky auditim nuk mund të nxirren përfundime për shkelje eventuale të operatorëve ekonomikë.

Për kontratat e prokurimit, KRPP na tha se nuk posedon një bazë të dhënash ku investimet klasifikohen sipas fushave si vërshimet apo rregullimi i lumenjve. Për këtë arsye, nuk mund të ofronte të dhëna të përgjithshme se sa kontrata të tilla janë monitoruar apo në sa prej tyre janë evidentuar probleme, duke na drejtuar te kërkimi i kontratave individuale në platformën e-Prokurimit.

Përtej mënyrës se si planifikohen dhe monitorohen investimet publike, ekspertët e shohin parandalimin si pjesë kyçe të menaxhimit të vërshimeve.

Profesori i çështjeve mjedisore, Zeqir Veselaj, thotë se parandalimi duhet të përfshijë mbrojtjen e shtretërve të lumenjve nga degradimi, ndalimin e ndërtimeve në zonat e drejtpërdrejta të tyre, kontrollin e eksploatimit dhe parandalimin e hedhjes së mbeturinave.

“Sa më shumë investime në parandalim, aq më pak pasoja”, thotë Veselaj.

Sipas tij, problemet mjedisore si vërshimet kërkojnë një qasje sistemike, nga sistemet e paralajmërimit të hershëm deri te reagimi i institucioneve kur vërshimet ndodhin. Rëndësi, sipas tij, ka edhe mënyra se si ndërhyhet në lumenj.

Në vend të zgjidhjeve tradicionale si betonimi dhe ndërtimi i mureve anësore, Veselaj thotë se duhet të përdoren më shumë zgjidhje të bazuara në natyrë. Ai përmend largimin e barrierave artificiale nga shtretërit e lumenjve, rregullimin e tyre për rrjedhje të lirë të ujit dhe mbjelljen e drunjve përgjatë brigjeve për të penguar erozionin.

“Zgjidhjet e bazuara në natyrë janë më afatgjata se sa ato me intervenime më të vrazhda si betonimi i mureve”, thotë Veselaj.

Ky artikull është realizuar me mbështetjen financiare të Departamentit të Shtetit të SHBA-së, përmes projektit “Shoqëria kundër Korrupsionit në Mal të Zi dhe Rajonin e Ballkanit Perëndimor”. Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e vetme e gazetarit që e ka realizuar atë dhe në asnjë rrethanë nuk mund të konsiderohet se pasqyron qëndrimin e Departamentit të Shtetit të SHBA-së.

This story has been produced with the financial assistance of the US Department of State through the “Society Against Corruption in Montenegro and Western Balkans Region” project. The contents of this story are the sole responsibility of the journalist who produced it and can under no circumstances be regarded as reflecting the position of the US Department of State.