Telekomi i Kosovës, i cili para pak ditësh u përfol për shpërndarjen e mbi 200 mijë eurove në pesë televizione kombëtare, ka realizuar edhe një tender të ri për marketing.
Bëhet fjalë për kontratën “Shërbime dhe furnizime me materiale për brendim në Marketing”, me vlerë të parashikuar rreth 50 mijë euro.
Në këtë procedurë, si operator i rekomanduar për kontratë është përzgjedhur kompania N.SH. “2 B”, me çmim për njësi prej 922.34 euro, ndërsa marrëveshja do të zgjasë për 24 muaj (2025–2026).
Sipas dosjes së tenderit, kompania duhet të furnizojë Telekomin me një gamë të gjerë materialesh, që nga postera dhe banera të vegjël, deri te reklama me ndriçim LED, bredha dekorativë, flamuj me bazament, e madje edhe dekorime me balona për evente.
Në dokumentin e tenderit theksohet se kontrata është e tipit “kornizë”, pra furnizimi do të bëhet me porosi të veçanta nga Telekomi, në varësi të aktiviteteve të marketingut që planifikohen në periudhën dyvjeçare.
Ky veprim vjen paralelisht kur ndërmarrja publike përpiqet ta arsyetojë shpërndarjen e qindra mijëra eurove në televizione duke thënë se ka ulur shpenzimet e marketingut, po del se një tjetër kanal i madh shpenzimesh është hapur për materiale të brendimit fizik, të cilat shpesh kanë më shumë efekt kozmetik sesa tregtar.

Në praktikë, Telekomi tashmë ka dy shtylla marketingu: reklamat në televizione dhe furnizimet e rregullta me materiale promovuese. Bashkë të dyja, shuma nuk është aspak e vogël, ndërsa transparenca mbi efektin real që kanë këto investime në rritjen e tregut të kompanisë mbetet e paqartë.


Së fundmi është raportuar se Telekomi i Kosovës, që është në pronësi të qeverisë, ua ka dhënë 200 mijë euro për marketing gjashtë televizioneve të afërta me VV-në. Televizionet si KTV, Tëvë1, RTK, ATV dhe RTV Dukagjini kanë përfituar para përmes kontratave të marketingut me Telekomin e Kosovës. Vlera e tyre është saktësisht 232,696 euro e 40 centë.