Një tender në vlerë prej 100 mijë eurosh për “Ndërtimin e parkut në Hajvali” është shndërruar në një shembull tjetër të mënyrës se si Komuna e Prishtinës trajton operatorët ekonomikë në proceset e prokurimit publik, shkruan Kujdestari.info.
Një raport i ekspertit shqyrtues të OSHP-së, i datës 18 gusht 2025, zbulon se gjatë procedurës së vlerësimit të ofertave janë bërë disa devijime nga ligji dhe praktikat e mëparshme të prokurimit publik.
Tenderi me numër 616-25-1776-5-2-1, i iniciuar nga Kuvendi i Komunës së Prishtinës, ishte zhvilluar me procedurë të hapur për punë ndërtimore. Pasi komuna rekomandoi për kontratë grupin e operatorëve “NPT DAQA” dhe “NTP Lulishtja Buqaj”, kompania e eliminuar “AAB Construction Sh.P.K.” parashtroi ankesë në OSHP, duke pretenduar se është diskriminuar dhe se fituesi nuk i ka plotësuar kushtet ligjore.
Eksperti: Komuna mund të kishte kërkuar sqarime nga operatori më i lirë
Në pikën e parë të ankesës, kompania “AAB Construction” pretendon se është eliminuar padrejtësisht, ndonëse mungesat në dokumentacion mund të ishin sqaruar në bazë të nenit 72 të Ligjit për Prokurim Publik (LPP). Eksperti shqyrtues pajtohet pjesërisht me këtë pretendim, duke theksuar se Komuna e Prishtinës kishte të drejtë dhe mundësi ligjore që të kërkonte sqarime shtesë, pasi operatori ankues kishte ofertuar me çmimin më të ulët.
Ky vlerësim nënkupton se komuna nuk e ka trajtuar me kujdes parimin e konkurrencës dhe të ofertës më të favorshme ekonomikisht, duke krijuar dyshime për trajtim preferencial ndaj operatorit të rekomanduar për kontratë.
Deklarata e menaxherit të projektit, e dorëzuar pas afatit ligjor
Një nga çështjet më serioze që ngre raporti lidhet me mungesën e deklaratës për menaxherin e projektit në ofertën e operatorit fitues “NPT Daqa – Lulishtja Buqaj”. Kjo deklaratë ishte një nga kriteret e domosdoshme në dosjen e tenderit.
Sipas raportit, dokumenti është dorëzuar vetëm pas kërkesës për sqarime shtesë që komuna ia ka bërë operatorit më 14 korrik 2025, pra pas mbylljes së afatit ligjor për dorëzimin e ofertave. Eksperti thekson se në këtë rast “ekzistenca e dokumentit para afatit të dorëzimit të tenderëve nuk mund të vërtetohet saktësisht”, duke e konsideruar këtë si devijim nga neni 72 i LPP-së.
Edhe ky pretendim është vlerësuar si pjesërisht i bazuar, çka do të thotë se komuna ka pranuar dokumente që nuk dihet nëse kanë ekzistuar në kohën e dorëzimit të ofertës, duke cenuar barazinë ndërmjet ofertuesve.
Dokumente në turqisht, pa përkthim zyrtar
Një tjetër gjetje që ngre dyshime të forta për mosrespektim të ligjit lidhet me certifikatat e cilësisë së gomës të paraqitura nga operatori fitues. Sipas raportit të ekspertit, dokumentet janë dorëzuar në gjuhën turke, ndonëse Ligji për Prokurim Publik lejon vetëm shqipen, serbishten dhe anglishten si gjuhë zyrtare të dokumentacionit.
Eksperti thekson se, sipas opinionit të KRPP-së të datës 22 qershor 2023, dokumentet në gjuhë të tjera duhet të shoqërohen me përkthim zyrtar në një nga gjuhët e lejuara. Kjo nuk ishte bërë nga operatori i shpallur fitues. Për këtë arsye, raporti e konsideron pretendimin e kompanisë “AAB Construction” si pjesërisht të bazuar dhe rekomandon që komuna të kërkojë përkthim zyrtar të dokumenteve në fazën e rivlerësimit.
Mungesë nënshkrimi dhe certifikata ISO të paplota
Në raport evidentohet edhe një tjetër mangësi formale: dokumenti për themelimin e grupit të operatorëve (“Aneksi 8”) nuk është nënshkruar në të gjitha faqet nga të dy anëtarët e grupit, siç kërkohet me ligj. Edhe ky pretendim është cilësuar si pjesërisht i bazuar, me rekomandim që komuna të kërkojë sqarim të menjëhershëm.
Ndërkohë, eksperti konstaton se operatori i shpallur fitues nuk ka dorëzuar certifikatat ISO për të gjithë anëtarët e grupit, ndonëse kjo kërkohet shprehimisht me Rregulloren e KRPP-së Nr. 001/2022, e ndryshuar në vitin 2024. Ligji kërkon që çdo anëtar i grupit të dëshmojë standardet përkatëse të cilësisë.
Në përfundim të raportit, eksperti shqyrtues i OSHP-së konstaton se një numër i pretendimeve të kompanisë “AAB Construction” janë pjesërisht të bazuara, veçanërisht ato që lidhen me dorëzimin e dokumenteve jashtë afatit ligjor, përdorimin e gjuhëve të palejuara dhe mungesën e certifikatave për anëtarët e grupit fitues.
Raporti rekomandon që Komuna e Prishtinës të bëjë rivlerësim të ofertave, në përputhje me nenin 72 të Ligjit për Prokurim Publik, dhe të kërkojë sqarime të reja e përkthime zyrtare nga operatori i shpallur fitues.
Edhe pse bëhet fjalë për një projekt me vlerë tw mesme – vetëm 100 mijë euro ky rast ilustron mënyrën se si Komuna e Prishtinës shpërfill standardet bazë të prokurimit publik, duke pranuar dokumente të dorëzuara jashtë afatit, në gjuhë të huaj, ose pa nënshkrime të vlefshme. /Kujdestari.info