E premte, 13 Mars, 2026

Parku i Hajvalisë anulohet nga OSHP: Komuna e Prishtinës humb një vit procedura për tenderin 100 mijë euro

Ndaj

Një projekt për ndërtimin e parkut në Hajvali, me vlerë rreth 100 mijë euro, është anuluar në tërësi nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), pasi paneli shqyrtues konstatoi parregullsi në procesin e tenderimit dhe në vlerësimin e ofertave, shkruan Kujdestari.info.

Vendimi është marrë më 18 shkurt 2026 pas ankesës së kompanisë “AAB Construction”, e cila kishte kundërshtuar vendimin e Komunës së Prishtinës për dhënien e kontratës për grupin e operatorëve “NPT Daqa” dhe “NTP Lulishtja Buçaj”. Paneli i OSHP-së e aprovoi pjesërisht ankesën dhe vendosi që aktiviteti i prokurimit për projektin “Ndërtimi i parkut në Hajvali” të anulohet në tërësi.

Tenderi ishte hapur nga Komuna e Prishtinës më 13 mars 2025 me procedurë të hapur për punë ndërtimore, ndërsa në dhjetor të vitit të njëjtë komuna kishte rekomanduar për kontratë grupin e operatorëve ekonomikë “NPT Daqa & NTP Lulishtja Buçaj”. Vendimi u kundërshtua nga kompania konkurruese “AAB Construction”, e cila e çoi rastin në OSHP.

Paneli: As fituesi dhe as ankuesi nuk i përmbushin kriteret

Gjatë shqyrtimit të dosjes së tenderit, paneli i OSHP-së konstatoi se në procesin e prokurimit kishte probleme serioze me dokumentacionin e operatorëve ekonomikë.

Sipas gjetjeve të panelit, edhe operatori i rekomanduar për kontratë dhe edhe kompania ankues nuk i kishin përmbushur plotësisht kërkesat e dosjes së tenderit dhe të njoftimit për kontratë, siç parashihet me Ligjin për Prokurim Publik.

Ndër problemet kryesore të evidentuara ishte mungesa e dokumentacionit të kërkuar për menaxherin e projektit në ofertën e operatorit të rekomanduar për kontratë, si dhe çështje që lidhen me dokumentet tatimore të njërit prej anëtarëve të grupit të operatorëve ekonomikë. Paneli konstatoi se disa dokumente janë paraqitur pas afatit të publikimit të njoftimit për kontratë, duke ngritur dyshime për përmbushjen e kritereve ligjore.

Në të njëjtën kohë, paneli vlerësoi se edhe operatori ankues nuk kishte dorëzuar disa nga dokumentet e kërkuara në dosjen e tenderit, duke bërë që asnjë nga ofertat të mos konsiderohej plotësisht e përgjegjshme.

Një vit procedura dhe në fund anulim

Pas analizimit të të gjitha provave dhe raportit të ekspertit shqyrtues, paneli vendosi të anulojë në tërësi procedurën e prokurimit dhe i kërkoi Komunës së Prishtinës që në rast të rishpalljes së tenderit të respektojë plotësisht dispozitat e Ligjit për Prokurim Publik.

Vendimi nënkupton se pas më shumë se një viti procedura, ankesash dhe rivlerësimesh, projekti për ndërtimin e parkut në Hajvali duhet të fillojë nga e para.

Komuna ka zbatuar duke e anulur procesin nsë tërsi.

Si pasojë, projekti për parkun në Hajvali, një investim relativisht modest prej rreth 100 mijë eurosh përfundoi në anulim të plotë, duke humbur kohë të konsiderueshme administrative dhe duke shtyrë realizimin e projektit për një periudhë të pacaktuar. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera