E shtunë, 14 Mars, 2026

Para të shtrenjta për qytetarët, interesat bankare në Kosovë ngjiten mbi 6%

Ndaj

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, sipas kalendarit të publikimeve zyrtare, ka prezantuar statistikat e bankave komerciale për muajin dhjetor 2025, të cilat dëshmojnë për rritje të fortë të aktivitetit bankar, por edhe për një barrë gjithnjë e më të madhe financiare për qytetarët që marrin kredi, shkruan Kujdestari.info.

Sipas BQK-së, norma mesatare e interesit në kreditë e reja në muajin nëntor 2025 ka arritur në 6.78 për qind, nivel që për standardin ekonomik të Kosovës konsiderohet i lartë dhe ndikon drejtpërdrejt në koston e jetesës.

Kjo normë interesi do të thotë se huamarrja nga bankat është dukshëm më e shtrenjtë sesa disa vite më parë. Përshembull, nëse një qytetar merr një kredi prej 10 mijë eurosh, vetëm për interesa ai do t’i paguajë bankës rreth 680 euro në vit, pa llogaritur këstet e tjera dhe afatin e shlyerjes. Sa më e gjatë periudha e kredisë, aq më e madhe shuma që qytetari përfundon duke e kthyer bankës, shpesh dukshëm mbi vlerën fillestare të huasë.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, kreditë bruto në fund të muajit dhjetor 2025 kanë arritur vlerën prej 6.67 miliardë eurosh, duke shënuar rritje prej mbi 113 milionë eurosh krahasuar me muajin paraprak. Vetëm gjatë muajit dhjetor, vlera e kredive të reja të lëshuara nga bankat ka qenë 259.68 milionë euro, çka tregon se qytetarët dhe bizneset vazhdojnë të mbështeten te kreditë bankare, pavarësisht kostos së lartë të interesit.

Në anën tjetër, depozitat e klientëve kanë shënuar rritje edhe më të madhe. BQK njofton se në fund të dhjetorit 2025, depozitat kanë arritur në 7.82 miliardë euro, me një rritje mujore prej rreth 435 milionë eurosh. Megjithatë, ndonëse qytetarët po i besojnë bankave kursimet e tyre, norma mesatare e interesit në depozita të reja ka qenë vetëm 3.46 për qind. Kjo do të thotë se një qytetar që mban 10 mijë euro në bankë përfiton rreth 346 euro në vit, ndërkohë që të njëjtat para banka i jep kredi me interes gati dyfish më të lartë.

Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, margjina e normës së interesit mes kredive dhe depozitave në dhjetor 2025 ka qenë 3.33 për qind. Kjo diferencë përfaqëson fitimin bazë të bankave nga aktiviteti kreditues dhe tregon qartë se barra kryesore financiare po bie mbi huamarrësit, ndërsa kursimtarët përfitojnë më pak nga paratë e tyre.

Raporti kredi-depozita, i cili në dhjetor 2025 ka qenë 85.22 për qind, dëshmon se bankat po përdorin pjesën më të madhe të depozitave të qytetarëve për kredi, duke e kthyer këtë likuiditet në burim fitimi përmes normave të larta të interesit. Ndërkohë, sektori bankar mbetet financiarisht i fortë, pasi sipas BQK-së, kapitali i bankave komerciale ka arritur në 1.14 miliardë euro, ndërsa provizionet për kredi janë rritur në mbi 154 milionë euro, duke reflektuar masa shtesë sigurie ndaj rrezikut të mospagimit.

Në thelb, statistikat e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës tregojnë se bankat janë më të qëndrueshme dhe më fitimprurëse, depozitat e qytetarëve po rriten me ritëm të shpejtë, por kreditë po bëhen gjithnjë e më të shtrenjta. Për qytetarët kjo përkthehet në pagesa më të larta mujore dhe kosto më të madhe për çdo euro të marrë hua nga bankat. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera