Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ka dalë kundër raportit të ekspertit të vet shqyrtues në një nga tenderët më të mëdhenj të vitit, të hapur nga Ministria e Arsimit për furnizimin me tabela të mençura për shkolla, me vlerë rreth 8.5 milionë euro, shkruan Kujdestari.info.
Në procedurat e shqyrtimit të ankesave në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), praktika standarde parasheh që, pas paraqitjes së një ankese, Paneli Shqyrtues të autorizojë një ekspert të jashtëm ose të brendshëm për të analizuar provat, dokumentacionin e tenderit dhe pretendimet ankimore. Raporti i ekspertit, ndonëse nuk ka karakter detyrues, konsiderohet si bazë profesionale për marrjen e vendimit, sidomos në çështje që lidhen me interpretimin e dispozitave ligjore dhe aspektet teknike të prokurimit.
Një situatë e tillë është paraqitur edhe në tenderin e Ministrisë së Arsimit për “Blerjen, furnizimin, montimin dhe instalimin e tabelave të mençura (smartboard) për institucionet e arsimit parauniversitar”, me vlerë të parashikuar rreth 8.5 milionë euro, i cili ka qenë objekt i disa ankesave radhazi në OSHP.
Gjetjet e ekspertit shqyrtues
Në raportin e dorëzuar më 24 dhjetor 2025, eksperti shqyrtues dhe eksperti teknik i autorizuar nga OSHP kanë konstatuar se Autoriteti Kontraktues, Ministria e Arsimit ka bërë ndryshime të rëndësishme në dosjen e tenderit gjatë fazës së korrigjimit, duke futur kërkesën për dorëzim të mostrave për pajisjet e teknologjisë informative. Sipas ekspertit, kjo kërkesë nuk kishte qenë e paraparë në njoftimin fillestar për kontratë dhe as në dosjen fillestare të tenderit.
Eksperti thekson se kërkimi i mostrave për pajisje të tilla nuk paraqet praktikë të zakonshme në prokurimin publik dhe se vlerësimi i përmbushjes së specifikimeve teknike zakonisht bëhet përmes dokumentacionit teknik dhe broshurave zyrtare të prodhuesit. Për më tepër, sipas raportit, futja e kësaj kërkese në një fazë të vonshme përbën ndryshim thelbësor të kushteve të tenderit dhe ndikon drejtpërdrejt në përgatitjen e ofertave dhe konkurrencën ndërmjet operatorëve ekonomikë.
Në raport evidentohet edhe fakti se afati i dhënë për dorëzimin e mostrave ishte vetëm dhjetë ditë kalendarike, çka sipas ekspertit është teknikisht e pamundur për t’u përmbushur, duke pasur parasysh natyrën e pajisjeve, prodhimin, transportin dhe procedurat doganore. Për këto arsye, eksperti vlerëson se kërkesa për mostër nuk është as relevante dhe as e nevojshme në kuptim të nenit 69 të Ligjit për Prokurimin Publik dhe se krijon efekt përjashtues, në kundërshtim me parimet e barazisë dhe mosdiskriminimit.
Bazuar në këto gjetje, eksperti i ka propozuar Panelit Shqyrtues që ankesa e operatorit ekonomik të aprovohet si e bazuar, të largohet kërkesa për dorëzim të mostrave nga dosja e tenderit dhe të zgjatet afati për ofertim, në përputhje me dispozitat ligjore.
Qasja e Panelit Shqyrtues
Në vendimin e tij, Paneli Shqyrtues i OSHP-së ka zgjedhur të mos e përfshijë rekomandimin e ekspertit në mënyrë substanciale në arsyetimin përfundimtar. Paneli thekson se raporti i ekspertit nuk është detyrues dhe se vlerësimi i tij bëhet në kontekstin e përgjithshëm të shkresave të lëndës dhe kompetencave ligjore që i takojnë Panelit sipas Ligjit për Prokurimin Publik.
Megjithatë, në vendim nuk jepet një analizë e detajuar se në cilat pika konkrete Paneli nuk pajtohet me gjetjet e ekspertit dhe për cilat arsye juridike apo faktike konsiderohet se kërkesa për dorëzim të mostrave nuk përbën shkelje të ligjit. Paneli nuk identifikon gabime faktike në raportin e ekspertit, as nuk referon rrethana të reja që do ta ndryshonin vlerësimin profesional të dhënë në raport.
Kjo situatë ngre dyshime mbi mënyrën se si Paneli Shqyrtues ushtron diskrecionin e tij në raport me ekspertizën profesionale që vetë OSHP e autorizon. Ndërkohë që ligji i jep Panelit të drejtën të mos jetë i lidhur automatikisht me raportin e ekspertit, praktika administrative dhe parimi i sigurisë juridike kërkojnë që çdo devijim nga vlerësimi profesional të shoqërohet me arsyetim të qartë, të plotë dhe të verifikueshëm.
Në këtë rast, raporti i ekspertit paraqet një analizë të detajuar mbi proporcionalitetin, konkurrencën dhe efektet përjashtuese të kushteve të vendosura nga Autoriteti Kontraktues, ndërsa vendimi i Panelit mbetet më i përgjithësuar në arsyetim. Kjo mospërputhje ndërmjet analizës tekniko-ligjore të ekspertit dhe qëndrimit përfundimtar të Panelit mbetet një element që mund të jetë objekt vlerësimi të mëtejmë në instanca të tjera ligjore. /Kujdestari.info/