Ndërmarrja Publike Lokale (NPL) Pallati i Rinisë SH.A. në Prishtinë ka shpallur ftesë publike për dhënien me qira të tetë hapësirave afariste dhe depove, duke ftuar bizneset dhe subjektet e interesuara të aplikojnë deri më 12 nëntor 2026.
Sipas njoftimit të publikuar më 3 nëntor, hapësirat janë të destinuara për zhvillimin e veprimtarive afariste, ndërsa dy prej tyre janë depo në pjesën sportive të objektit.
Ndërmarrja ka bërë të ditur se lokacionet ofrojnë qasje të lehtë për qytetarët dhe mundësi për zhvillimin e bizneseve të vogla dhe të mesme.
Në mesin e hapësirave të ofruara është edhe ish-lokali i SPORT-IN, me sipërfaqe prej 231.76 metrash katrorë, për të cilin çmimi fillestar i qirasë është 18.92 euro për metër katror.
Një tjetër hapësirë, ku aktualisht ndodhet Fitness Prishtina dhe e cila pritet të lirohet më 15 nëntor 2026, ka sipërfaqe prej 693.2 metrash katrorë, me çmim fillestar prej 3.96 eurosh për metër katror.
Për qiradhënie janë shpallur edhe ish-lokali Ros Leather, me sipërfaqe prej 5.98 metrash katrorë dhe çmim prej 11.87 eurosh për metër katror, si dhe ish-Bizhuteria Troi, me sipërfaqe prej 22 metrash katrorë dhe çmim prej 18.82 eurosh për metër katror.
Në dispozicion është edhe një zyrë prej 11.96 metrash katrorë, me çmim fillestar prej 10.89 eurosh për metër katror.
Ndërkohë, hapësira ku më parë ka funksionuar Cambridge School, me sipërfaqe prej 493.66 metrash katrorë, ofrohet me çmim fillestar prej 5.56 eurosh për metër katror.
Pallati i Rinisë ka përfshirë në ftesë edhe dy depo sportive, me sipërfaqe prej 112.5 dhe 27.58 metrash katrorë, të cilat ofrohen me çmim fillestar prej 3.58 eurosh për metër katror.
Sipas njoftimit, për hapësirat sportive mund të aplikojnë vetëm federatat dhe klubet sportive, pasi ato janë të destinuara për këtë lloj veprimtarie.
Kontratat e qirasë do të lidhen për një periudhë njëvjeçare, ndërsa përzgjedhja e ofertuesve do të bëhet në bazë të çmimit më të lartë të ofruar mbi çmimin fillestar të shpallur për metër katror.
Për të marrë pjesë në procedurë, aplikuesit duhet të dorëzojnë formularin e aplikimit, dokumentet e regjistrimit të biznesit, dokumentin e identifikimit të përfaqësuesit ligjor, ofertën financiare dhe vërtetimin nga Administrata Tatimore e Kosovës se biznesi është aktiv.
Gjithashtu, kërkohet pagesa e një tarife aplikimi prej 300 eurosh.
Sipas kushteve të ftesës, kjo shumë u kthehet ofertuesve që nuk përzgjidhen. Për ofertuesin fitues që lidh kontratë, shuma mbahet si depozitë deri në përfundim të kontratës, ndërsa në rast të tërheqjes nga kontrata nuk kthehet.
Afati për dorëzimin e ofertave është 12 nëntori 2026, në orën 11:30. Ofertat duhet të dorëzohen në zarf të mbyllur, në Zyrën e Arkivës së Pallatit të Rinisë.
Hapja e ofertave është paraparë të bëhet të njëjtën ditë, në orën 11:40, nga Komisioni për Vlerësim, në prani të ofertuesve.
Të interesuarit mund t’i vizitojnë hapësirat nga data 3 deri më 11 nëntor 2026, gjatë ditëve të punës, prej orës 10:00 deri në 15:00, duke u lajmëruar paraprakisht në recepsionin e ndërmarrjes.
Formularët dhe dokumentacioni për aplikim mund të sigurohen përmes adresës elektronike [email protected], faqes zyrtare www.pallatirinise.com, ose drejtpërdrejt në recepsionin e Pallatit të Rinisë, në rrugën Luan Haradinaj në Prishtinë.

