Pagat e punonjësve të ndërtimtarisë kosovare, krahasuar me pagat e para disa vitesh, janë disa herë më të larta, madje janë më të larta edhe krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Mungesa e ofertës për punëtorë (të kualifikuar dhe sisht të thjeshtë), sipas ndërtimtarëve, nënkupton domosdonë e rritjes së pagave, si parakushti më i rëndësishëm për të gjetur punëtorë në ndërtimtarinë kosovare.
Në rritjen e kostos së ndërtimeve në Kosovë, tashmë ndikimin kryesor e kanë pagat e punëtorëve në ndërtimtari (të të gjithë punëtorëve, edhe të kualifikuarëve, edhe punëtorëve të thjeshtë, atyre të krahut), respektivisht ngritja e madhe e pagave krahasuar me 3-4 vjetë më përpara.
Vjet dhe sivjet, më saktësisht qëkur është bërë liberalizimi i vizave edhe për kosovarët, në sektorin e ndërtimtarisë kanë ndryshuar thuaja qind për qind pagat e punëtorëve. Janë dyfishuar e trefishuar pagat e punëtorëve krahasuar me vitet e kaluara dhe pagat e ngritura janë bërë përcaktuese të kostos së ndërtimeve në Kosovë.
Në këtë mënyrë, derisa vite më parë, ta zëmë në vitin 2021, edhe sipas vlerësimeve të zyrtarëve të Shoqatës së Ndërtimtarëve të Kosovës dhe agjencive të patundshmërive, kostoja e ndërtimeve, por edhe rritja e çmimeve të shitjes dhe qirave të banesave ishte e ndikuar më së shumti nga çmimi i rritur ndjeshëm i materialeve ndërtimore (rritja e çmimeve të materialeve ndërtimore, sipas zyrtarëve të Shoqatës së Ndërtimtarëve të Kosovës më 2021, ishte pothuajse 100 për qind në krahasim me vitin 2020), tani paga e punëtorëve ka pjesën kryesore të ndikimit në çmimet e ndërtimit.
Pagat e punonjësve të ndërtimtarisë kosovare, krahasuar me pagat e para disa vitesh, janë disa herë më të larta, madje janë më të larta edhe krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Dhe fakti se punonjësit e ndërtimit po marrin më shumë të ardhura pagash e bën më të shtrenjtë koston e përgjithshme të projekteve.
Tashmë në sektorin e ndërtimit në Kosovë, nuk ka pagë të punëtorëve të kualifikuar nën 1300 euro dhe nën 800 euro për punëtorë të thjeshtë (të pakualifikuar).
Nga ana tjetër, kostot e materialeve për ndërtim janë atu ku kanë qenë, ose kanë rënë paksa. Një ulje të lehtë kanë shënuar sivjet edhe materialet elektrike dhe ato hidro-sanitare. Sipas të dhënave të publikuara nga ASK-ja, të Indeksit të Kostos së Ndërtimit (IKN) për tremujorin e parë (TM1) 2025, “kostoja e ndërtimit në Kosovë pati rritje për 1,7 për qind në tremujorin e parë të 2025-tës, krahasuar me tremujorin e fundit të 2024 -tës. Ndërsa, krahasuar me tremujorin e parë të sivjetshëm me të njëjtën periudhë të vitit paraprak, Indeksi i Kostos së Ndërtimit pati rritje për 6,5 për qind”, shkruan Buletini Ekonomik
ASK-ja ka evidentuar se në këtë periudhë, pagat e punonjësve në sektorin e ndërtimtarisë janë rritur 2,4 për qind, ndërsa materialet e ndërtimit 1,9 për qind, që kishin ndikim në rritjen e kostos së ndërtimit dhe shpenzimet e tjera në këtë sektor në tremujorin e parë, e të cilat janë rritur për 1,8 për qind. Kurse, transporti ka shënuar ulje të kostos për 0,8 për qind dhe makineritë për 0,6 për qind.
Edhe sipas ndërtimtarëve, në rritjen e kostos së ndërtimit në Kosovë, kanë ndikuar më së shumti mungesa e fuqisë punëtore, e shprehur sidomos pas liberalizimit të vizave edhe për qytetarët e Kosovës, përkatësisht sigurimi i punëtorëve duke e plotësuar domosdo parakushtin e rritjes së pagave. Mungesa e ofertës për krah pune, sipas ndërtimtarëve, nënkupton domosdonë e rritjes së pagave, si parakushti më i rëndësishëm për të gjetur punëtorë në ndërtimtarinë kosovare. Por, ndërtimtarët në Kosovë ndër indikatorët e me ndikim të pamohueshëm në ngritjen e kostos së ndërtimit, në këtë vit rritjen e shohin te ngritja e çmimit të tokave me koncesion, por edhe te çmimi tashmë shumë i lartë i tokave në qendrat urbane të vendit.
Çmimi i tokave për ndërtim tashmë ka shkuar në qiell, dhe ai ndryshon shumë nga qyteti në qytet, nga rajoni në rajon, nga vendbanimi në vendbanim, madje edhe nga lagjja në lagje. Por, tokat në kryeqytet dhe përreth, dhe në disa qendra të tjera komunale, tashmë thuaja janë bërë të paprekshme. Aktualisht, një ari troll në pjesë më afër qendrës së Prishtinës tregtohet me çmim marramendës, por çmimet e tokave tashmë kanë arritur në qiell edhe në disa vendbanuime më herët të vlerësuara fare periferike nga Prishtina. Këto ditë, bie fjala në Bresje të Fushë-Kosovës dhe në Çagllavicë, një ari troll në një vend paksa më pikant nuk mund ta gjesh nën 20-25 mijë euro e përtej. Ka shkuar në qiell, sidomos çmimi i tokave që tani janë bërë të afërta me komplekset e ndërtimit të banesave kolektive, por edhe të hapësirave dhe godinave për biznes.
Në Kosovë, në muajt në vijim, ndikim jo të vogël në koston e ndërtimit do të ketë patjetër çmimi i ngritur i energjisë elektrike për 16,1 për qind dhe futja e tregut të hapur për të gjitha bizneset me qarkullin vjetor mbi 10 milionë euro dhe me mbi 50 punëtorë. Duhet thënë se ndjeshëm përtej rritjes së kostos së ndërtimit në Kosovë, kanë shkuar çmimet e ndërtimve (banesave dhe hapësirave biznesore). Në Prishtinë dhe në të gjitha qendrat komunale, qoftë ku po ndërtohet më shumë, qoftë ku fluksi i ndërtimit është më i vogël, në muajt e shkuar të këtij viti ka ngritje çmimesh të banesave dhe paralajmërime të ndërtimtarëve për ngritje të tjera gjatë 2025-tës, dhe këto ecuri i ka trajtuar tashmë deri në detaje Buletini Ekonomik.
Agjentët e pasurive të paluajtshme pohojnë se shtrenjtimi i çmimeve të apartamenteve ka filluar të ndikojë në trendin e rënies së kërkesës për banesa, ndërsa sipas tyre, rritja e çmimeve në zonat afër qendrave të qyteteve në të gjitha anët e Kosovës, ka zhvendosur kërkesën në periferi, duke bërë që edhe në pjesët periferike të ngritet tashmë çmimi i metrit katror ndjeshëm. Megjithatë, sektori i ndërtimit në Kosovë ka pasur dhe vazhdon të ketë një aktivitet të vrullshëm vitet e fundit, përkundër vështirësive evidente për të gjetur punëtorë dhe mjeshtër ndërtimesh.