Aktuale

Pacolli godet qeverisjen e Ramës: 19 vendime të Prishtinës kthehen për shkelje ligjore

Nga Kujdestari Media

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka deklaruar se ministria që ajo drejton ka kthyer 19 vendime të Kuvendit Komunal të Prishtinës, të cilat lidhen me caktimin e lokacioneve për projekte të ndryshme.

Përmes një postimi, Pacolli ka pretenduar se këto vendime nuk kanë bazë ligjore dhe se janë në kundërshtim me dokumentet e planifikimit hapësinor në fuqi.

Sipas saj, mënyra e vendimmarrjes nga Komuna e Prishtinës nuk është në përputhje me procedurat dhe planet hapësinore që duhet të udhëheqin zhvillimin urban.

“Destinimet dhe parametrat urbanë nuk vizatohen sipas dëshirave të momentit”, ka shkruar Pacolli, duke kritikuar qeverisjen e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.

Ajo ka akuzuar administratën komunale për mungesë të transparencës dhe ka thënë se kthimi i vendimeve nuk përbën bllokim të projekteve, por është pasojë e, siç pretendon ajo, mosrespektimit të ligjit dhe dokumenteve të planifikimit hapësinor.

Në dokumentet publike të Komunës së Prishtinës janë të publikuara vendime dhe akte të ndryshme të institucioneve komunale, ndërsa baza ligjore dhe procedurat për aktet e planifikimit hapësinor përcaktohen nga legjislacioni përkatës. /Kujdestari.info/