Asociacioni i Komunave të Kosovës ka ritheksuar domosdoshmërinë e shtimit të buxhetit për komunat e vendit dhe rishikimit të tij në një afat sa më të shpejtë.
Drejtori ekzekutiv i Asociacionit, Sazan Ibrahimi në një intervistë për Ekonomia Online, tha se komunat po përballen me sfida të mëdha financiare pasi prej vendimeve gjyqësore po u merren me dhjetëra miliona euro, shumica të lidhura me kontratat kolektive.
“Neve si Asociacion i Komunave të Kosovës kemi kërkuar që të ketë më shumë ndarje buxhetore drejt komunave, sepse jeta zhvillohet në nivelin lokal. Gjatë takimeve kemi marrë premtimin nga ministri Murati se gjatë rishqyrtimit të buxhetit do të shqyrtohen kërkesat e komunave,” u shpreh Ibrahimi.
Ai tha se situata është veçanërisht e rënduar pasi mjetet që u janë marrë komunave kanë qenë të destinuara kryesisht për investime kapitale, projekte të cilat tashmë rrezikojnë të mos realizohen.
Ibrahimi sqaroi edhe kufizimet e komunave në rialokimin e mjeteve buxhetore.
“Komunat mund të rialokojnë deri në 5% brenda një vije buxhetore, deri në 15% vetëm me aprovimin e ministrit, deri në 25% me vendim të Qeverisë dhe mbi 25% vetëm me vendim të Kuvendit të Kosovës”, tha Ibrahimi
“Komunat nuk kanë shumë mundësi për rialokimin e mjeteve për investime kapitale, prandaj rishqyrtimi i buxhetit është i domosdoshëm që investimet të mos ndalen. Këtë e kemi kërkuar edhe në të kaluarën, por këtë vit kemi premtimin e ministrit Murati,” tha ai.
Sa i përket buxhetit aktual, Ibrahimi konfirmoi se të gjitha komunat, me përjashtim të Zubin Potokut, janë duke operuar me buxhetet e miratuara për vitin 2026.
“Problemi është se në një kohë shumë të shkurtër, mjetet e komunave janë prekur në masë të madhe dhe kjo po pamundëson zbatimin e projekteve të planifikuara. Prandaj kërkojmë që Qeveria dhe Parlamenti të ndërmarrin sa më shpejt procesin e rishikimit të buxhetit dhe të inkorporojnë kërkesat e komunave,” përfundoi Ibrahimi.
Në fund, ai theksoi se mjetet buxhetore duhet të orientohen drejtpërdrejt në interes të qytetarëve dhe zhvillimit ekonomik lokal.