Në tenderët e KEDS-it operatorëve ekonomikë u kërkohet dëshmi se nuk kanë borxhe për energjinë elektrike ndaj KESCO-s. Lidhur me këtë praktikë, KRPP nuk ka dhënë një vlerësim të drejtpërdrejtë, duke theksuar se përcaktimi i kritereve në dosjen e tenderit mbetet përgjegjësi e autoritetit kontraktues, shkruan Kujdestari.info.
Në procedurat e prokurimit që zhvillon Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), në çdo dosje tenderi është vendosur një kriter specifik për pjesëmarrje: operatorët ekonomikë vendorë duhet të dëshmojnë se janë pagues të rregullt të energjisë elektrike dhe se nuk kanë obligime ndaj furnizuesit KESCO. Ky kriter kërkon që kompanitë të paraqesin faturë apo raport përfundimtar që vërteton mungesën e borxhit për energji elektrike.

Në pamje të parë, një kërkesë e tillë mund të duket si pjesë e disiplinës financiare të një kompanie që operon në sektorin e energjisë. Megjithatë, në praktikë ajo ngre dyshime lidhur me proporcionalitetin dhe përputhshmërinë e saj me parimet e konkurrencës së lirë dhe trajtimit të barabartë të operatorëve ekonomikë, të garantuara nga Ligji për Prokurimin Publik (LPP).
Kjo çështje bëhet edhe më komplekse për shkak të statusit të KEDS-it. Edhe pse është një kompani me pronësi private, ajo operon në një sektor të rregulluar dhe licencuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE). Në procedurat e furnizimit, kompania i referohet dispozitave të LPP-së dhe përfshin në dokumentacion edhe të drejtën e ankesës sipas nenit 108/A të këtij ligji. Megjithatë, procedurat zhvillohen përmes dosjes së tenderit, pa shpallje klasike të njoftimit për kontratë në sistemin e prokurimit publik, çka në praktikë e kufizon edhe mundësinë e kontestimit të kritereve.
Në këtë kontekst, Kujdestari.info ka kërkuar një qëndrim nga Komisioni Rregullativ për Prokurim Publik (KRPP) lidhur me proporcionalitetin e kriterit që kërkon dëshmi për mos-ekzistencë të borxhit ndaj një subjekti të lidhur në sektorin energjetik. Pyetja thelbësore ka qenë nëse një kriter i tillë është në përputhje me parimin e konkurrencës së lirë dhe trajtimit të barabartë të operatorëve ekonomikë, apo nëse mund të konsiderohet si kufizim i panevojshëm i konkurrencës.
Megjithatë, në përgjigjen e dhënë, KRPP nuk ka marrë një qëndrim të drejtpërdrejtë mbi këtë kriter. Institucioni është kufizuar në sqarime të përgjithshme ligjore, duke theksuar se roli i tij është të japë ndihmë teknike dhe interpretim të dispozitave të ligjit, por jo të interpretojë apo të vlerësojë kriteret konkrete të vendosura nga autoritetet kontraktuese në dosjet e tenderit.
Sipas KRPP-së, vendosja e kritereve dhe kushteve në dosjen e tenderit është kompetencë dhe përgjegjësi e plotë e autoritetit kontraktues. Në rast se operatorët ekonomikë konsiderojnë se një kriter është diskriminues, ata duhet fillimisht të kërkojnë rishqyrtim nga autoriteti kontraktues dhe më pas të parashtrojnë ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).


Megjithatë, kjo qasje lë të hapur dilemat nëse një kriter që lidhet me pagesën e energjisë elektrike ndaj një kompanie të lidhur në sektor është realisht proporcional me objektin e kontratës për të cilën zhvillohet tenderi.
Në praktikën e prokurimit publik në Kosovë, KRPP shpesh ka dhënë opinione ose sqarime kur autoritetet kontraktuese kanë vendosur kritere që mund të konsiderohen kufizuese për konkurrencën. Për këtë arsye, mungesa e një vlerësimi më konkret në këtë rast lë të hapur dyshimet mbi mënyrën se si duhet interpretuar një kriter i tillë në raport me parimet e LPP-së.
Në anën tjetër, kriteri në fjalë praktikisht vendos një lidhje të drejtpërdrejtë mes pjesëmarrjes në tenderët e një kompanie dhe marrëdhënies financiare të operatorëve ekonomikë me furnizuesin e energjisë elektrike. Kjo ngre dyshime nëse një kërkesë e tillë lidhet drejtpërdrejt me aftësinë për të realizuar kontratën apo nëse mund të ndikojë në kufizimin e konkurrencës në treg.
Në mungesë të një interpretimi më të qartë nga autoritetet rregullatore, mbetet e paqartë nëse një kriter i tillë duhet të konsiderohet praktikë e pranueshme brenda procedurave të furnizimit, apo një çështje që kërkon sqarim më të thellë në raport me parimet e prokurimit publik.
Megjithatë, Ligji për Prokurimin Publik parashikon qartë se kriteret e vendosura nga autoritetet kontraktuese nuk duhet të jenë diskriminuese dhe duhet të lidhen drejtpërdrejt me objektin e kontratës. Neni 51 i Ligjit Nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik përcakton se autoriteti kontraktues “në asnjë rast nuk duhet të përfshijë, saktësojë apo përdorë kritere përzgjedhjeje që bazohen në konsiderata të tjera përveç atyre të lejuara nga dispozitat e neneve 65-70 të këtij ligji”. Po ashtu, parimet themelore të prokurimit publik kërkojnë që procedurat të zhvillohen në mënyrë që të sigurojnë trajtim të barabartë, transparencë dhe konkurrencë të lirë ndërmjet operatorëve ekonomikë, duke shmangur çdo kriter që mund të favorizojë apo të përjashtojë në mënyrë të paarsyeshme pjesëmarrës të mundshëm në tender. /Kujdestari.info/