Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot e ka mandatuar kryetarin e VV-së, Albin Kurti, për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Në njoftimin për media të Precedencës është thënë se ky vendim është marrë pas propozimit zyrtar të partisë Lëvizja Vetëvendosje.
Sipas Presidencës, dekretimi është në bazë të kompetencave kushtetuese të presidentes.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në mbështetje të kompetencave të saj kushtetuese, ka nënshkruar sot Dekretin, me të cilin mandaton z. Albin Kurti për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ky vendim është marrë pas propozimit zyrtar të partisë Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka fituar numrin më të madh të ulëseve në Kuvend nga rezultatet e zgjedhjeve të mbajtura me 9 shkurt të këtij viti”, është thënë në njoftimin e Presidencës.
Në njoftimin është treguar se tani lideri i VV-së i ka 15 ditë në dispozicion për të paraqitur para Kuvendit të Kosovës përbërjen e Qeverisë së re.
“Sipas Kushtetutës, mandatari për formimin e Qeverisë, z. Kurti, është i obliguar që jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë nga dita e dekretimit, t’i paraqesë Kuvendit të Republikës së Kosovës përbërjen dhe programin e Qeverisë për miratim. Presidentja i ka uruar suksese z.Kurti, kryeministër në detyrë, me shpresën që Republika e Kosovës sa më parë të ketë Qeveri me mandat të plotë kushtetues”, është thënë në njoftimin e Presidences.
Më pas edhe presidentja, Vjosa Osmani, ka reaguar në profilin e saj në “Facebook”.
Pasi e ka dekretuar Kurtin si mandatar, ajo ka uruar që Kosova sa më parë të ketë Qeveri me mandat të plotë kushtetues.
“Sot, në përputhje me kompetencat kushtetuese, kam mandatuar Kryeministrin në detyrë, z. Albin Kurti, mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Uroj që Republika e Kosovës sa më parë të ketë Qeveri me mandat të plotë kushtetues, ku do të merren vendime për të mirën e vendit dhe të gjithë qytetarëve tanë”, ka shkruar Osmani.