Një tender me vlerë të parashikuar rreth 199 mijë euro në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) është kthyer në rivlerësim nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), pasi u konstatua se Autoriteti Kontraktues nuk kishte vepruar në përputhje me Ligjin për Prokurim Publik (LPP), shkruan Kujdestari.info.
Bëhet fjalë për aktivitetin e prokurimit “Furnizim me nyje për SRS 470 dhe BRS 1200”, ku pas ankesës së operatorit ekonomik “FONDERIA E & E” SH.P.K., Paneli Shqyrtues ka anuluar njoftimin për dhënie të kontratës dhe ka urdhëruar kthimin e lëndës në rivlerësim
Si nisi rasti?
KEK kishte zhvilluar procedurë të hapur për furnizim, me vlerë të parashikuar 199,470.70 euro. Fillimisht ishte rekomanduar për kontratë një operator tjetër ekonomik, ndërsa OE ankues kishte ofertuar me çmim më të ulët.
Pas kërkesës për rishqyrtim dhe refuzimit të saj nga ana e KEK-ut, çështja përfundoi në OSHP, ku u autorizua eksperti shqyrtues për analizimin e plotë të dosjes dhe pretendimeve.
Çfarë gjeti eksperti?
Raporti i ekspertit shqyrtues rezultoi kyç në këtë rast, duke rekomanduar aprovimin e ankesës dhe anulimin e vendimit për dhënie të kontratës. (Vendimi)
Eksperti konstatoi se pas rivlerësimit, KEK kishte shtuar arsye të reja për eliminimin e OE ankues, të cilat nuk ishin pjesë e vendimit fillestar. Ky veprim u vlerësua si i pabazuar dhe në kundërshtim me procedurat.
Një nga arsyet e eliminimit ishte mungesa e diagrameve të trajtimit termik. Sipas raportit, operatori kishte dorëzuar dokumentacionin e kërkuar, përfshirë deklarata dhe dokumente përkatëse, prandaj arsyetimi i KEK-ut u cilësua i paqëndrueshëm.
Eksperti konstatoi se testi i elasticitetit ishte përmendur vetëm si informacion shtesë në Aneks, por nuk ishte i përcaktuar si kriter detyrues në dosjen e tenderit. Eliminimi mbi këtë bazë bie ndesh me nenin 56.3 të LPP-së dhe rregulloren përkatëse.
Në analizë u evidentua se operatori i rekomanduar për kontratë kishte paraqitur certifikatë ISO 9001:2015 me afat të skaduar (29.01.2025). Gjithashtu, në deklaratën për origjinën e mallrave ishte përmendur Turqia si vend furnizimi, pa u specifikuar prodhuesi. Ky pretendim u vlerësua i bazuar.
Eksperti theksoi se OE ankues kishte ofertuar me çmim më të ulët dhe se duhet të respektohen nenet 1, 7 dhe 59 të LPP-së, të cilat obligojnë trajtim të barabartë dhe vlerësim sipas kriterit “tenderi i përgjegjshëm me çmimin më të ulët”.
Sa i përket pretendimit për moslejim të plotë të qasjes në dokumente për shkak të sekretit afarist, eksperti vlerësoi se KEK kishte vepruar në përputhje me dispozitat përkatëse të LPP-së dhe Rregullores, duke ofruar version të pastruar të dokumentacionit.
Paneli Shqyrtues pranoi në tërësi rekomandimin e ekspertit, konstatoi se KEK nuk kishte respektuar plotësisht dispozitat e LPP-së dhe urdhëroi: Anulimin e njoftimit për dhënie të kontratës; Kthimin e lëndës në rivlerësim dhe detyrimin e AK-së që brenda 10 ditësh të njoftojë OSHP-në për veprimet e ndërmarra.
Kundër këtij vendimi nuk lejohet ankesë, ndërsa pala e pakënaqur mund t’i drejtohet Gjykatës Komerciale brenda 30 ditësh. /Kujdestari.info/