E mërkurë, 8 Prill, 2026

OSHP rrëzon tenderin në Drenas: Komuna eliminoi ofertën më të lirë dhe favorizoi më të shtrenjtën

Ndaj

Komuna e Drenasit, e udhëhequr nga Ramiz Lladrovci, është përballur me një vendim të rëndë nga Organi Shqyrtues i Prokurimit, i cili ka konstatuar shkelje serioze gjatë zhvillimit të një procedure tenderuese, duke e detyruar këtë institucion që ta anulojë vendimin për dhënie kontrate dhe ta kthejë të gjithë procesin në rivlerësim, shkruan Kujdestari.info.

Bëhet fjalë për projektin e ndërtimit të rrugës “Kroni i Mbretit – Liqeni i Vasilevës” në Drenas, për të cilin Komuna kishte rekomanduar për kontratë një operator ekonomik me ofertë mbi 99 mijë euro, ndërkohë që kishte eliminuar një tjetër operator që kishte ofruar çmimin më të ulët prej rreth 80 mijë eurosh, duke krijuar një diferencë të konsiderueshme që sipas pretendimeve arrin mbi 19 mijë euro dhe që shihet si potencialisht e dëmshme për buxhetin publik .

Në vendimin e tij, Paneli Shqyrtues ka qenë i qartë se problemi nuk qëndron vetëm te rezultati final, por te vetë procesi i vlerësimit, duke theksuar se Komuna nuk ka vepruar në përputhje me ligjin. Siç thuhet në vendim, “Autoriteti Kontraktues nuk ka vepruar në përputhje me dispozitat ligjore për prokurimin publik”, një konstatim i drejtpërdrejtë që e vendos përgjegjësinë mbi institucionin për mënyrën se si është zhvilluar tenderi. (VENDIMI)

Sipas analizës së ekspertit të angazhuar nga OSHP, një pjesë e madhe e arsyeve për eliminimin e operatorit ekonomik rezultojnë të pabazuara, pasi dokumentacioni i dorëzuar nga ky operator i përmbushte kërkesat e dosjes së tenderit, ndërsa në disa raste Komuna ka përdorur interpretime ose kritere që nuk kanë qenë të specifikuara qartë, duke rënë në kundërshtim me parimet themelore të Ligjit për Prokurim Publik, i cili ndalon diskualifikimin për kërkesa që nuk janë të përcaktuara në tender .

Paneli gjithashtu ka theksuar se gjatë procesit të vlerësimit është dashur të kërkoheshin sqarime shtesë nga operatorët ekonomikë, në vend që të merrej vendim për eliminim, duke nënvizuar se procedurat duhet të jenë “të shpejta, të drejta dhe pa diskriminim”, siç parashihet në ligj, ndërsa vendimet duhet të bazohen në kritere të qarta dhe të barabarta për të gjithë pjesëmarrësit .

Në një tjetër pjesë të arsyetimit, paneli vlerëson se raporti i ekspertit është hartuar në mënyrë profesionale dhe përmban analiza të detajuara për secilin pretendim, duke shtuar se ankesa e operatorit ekonomik është e bazuar dhe se anulimi i njoftimit për dhënie kontrate është i domosdoshëm për të rikthyer ligjshmërinë në proces.

Si rezultat i këtyre gjetjeve, OSHP ka vendosur që procedura të kthehet në rivlerësim, ndërsa Komuna e Drenasit është obliguar që brenda një afati të raportojë për veprimet e ndërmarra, në të kundërtën mund të përballet me masa për mosrespektim të vendimit. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera