E mërkurë, 17 Dhjetor, 2025

OSHP rrëzon tenderin e Komunës së Bedri Hamzes: Shkelje flagrante të ligjit dhe dëmtim i buxhetit publik

Ndaj

Komuna e Mitrovicës, e udhëhequr nga kryetari Bedri Hamza, është kapur duke shkelur ligjin në prokurim publik, pasi Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ka konstatuar një sërë shkeljesh të rënda ligjore në tenderin për sigurimin dhe regjistrimin e automjeteve të komunës. Raporti i panelit shqyrtues tregon qartë se autoriteti kontraktues ka vepruar në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Prokurim Publik (LPP), duke lejuar tejkalimin e çmimeve të rregulluara zyrtarisht dhe duke krijuar dëm financiar për buxhetin komunal, shkruan Kujdestari.info.

Fillimisht, ky aktivitet i prokurimit është hapur më datë 25 prill 2025, me një vlerë prej 38 mijë euro.
Në qershor, Komuna ka rekomanduar për kontratë kompaninë e sigurimeve “Eurosig”, me çmim 18,226.02 euro.

Në garë kanë qenë edhe kompania “Illyria”, e cila ka ofertuar me 18,333.15 euro, si dhe kompania e sigurimeve “Prisig”, me ofertë prej 18,523.63 euro.

Me shpalljen e fituesit nuk ishte pajtuar kompania “Prisig”, e cila ishte ankuar fillimisht në Komunë, por kjo e fundit ia ka hedhur poshtë ankesën. Pas kësaj, e njëjta kompani është ankuar në OSHP.

Paneli i OSHP-së ka vlerësuar se rasti ka qenë aq i qartë dhe i dokumentuar, saqë nuk ka pasur nevojë as për seancë dëgjimore. Përmes raportit të ekspertit shqyrtues, janë vërtetuar shkelje të njëpasnjëshme të rregullave, ku kompanitë fituese janë shpallur në kundërshtim me tarifat e Bankës Qendrore të Kosovës dhe vendimet e Ministrisë së Infrastrukturës e të Punëve të Brendshme.

Shkeljet që rëndojnë mbi Komunën e Mitrovicës Veriore.

Kompania ankuese “PRISIG” ka ngritur një numër pretendimesh, shumë prej të cilave u gjetën të bazuara nga eksperti shqyrtues. Këto përfshijnë:

  • Tejkalim i çmimeve të lejuara: Për disa automjete, si Renault Kombi i vitit 2001, çmimi i sigurimit është ofruar mbi tarifat zyrtare të BQK-së. Ndërsa tarifa e lejuar ka qenë 240.72 euro, Komuna e ka pranuar ofertën prej 268.96 eurosh të kompanisë Eurosig. Ky diferencim jo vetëm që bie ndesh me ligjin, por edhe dëmton buxhetin e komunës me shpenzime të panevojshme.
  • Gabime të qëllimshme në të dhënat teknike: Raporti evidenton se për disa automjete, kapaciteti i motorit është shënuar gabimisht nga Komuna. Për shembull, Golf IV Karavan i vitit 2002 në dokumentet e komunës është regjistruar me kapacitet 1986 cm³, ndërsa në librezë figuron 1896 cm³. Ky devijim, sipas ekspertit, ka krijuar paqartësi dhe ka ndikuar në ofertimin e çmimeve të ndryshme nga kompanitë pjesëmarrëse.
  • Shkelje të tarifave të kontrollit teknik dhe regjistrimit: Për automjetet mbi 3.5 tonë, çmimi i kontrollit teknik është i përcaktuar 50 euro, mirëpo kompanitë e rekomanduara për kontratë kanë ofertuar me 30 euro – një praktikë që bie ndesh me vendimet e Ministrisë së Infrastrukturës. Po ashtu, taksat e tjera, si ajo administrative, rrugore, ekologjike dhe komunale, janë llogaritur gabim ose nuk janë përfshirë fare në ofertë.
  • Çmime fiktive që dëmtojnë buxhetin: Në rastin e Toyota Hilux dhe Mitsubishi L200, është konstatuar se çmimet e ofruara nuk përputhen me kategoritë tarifore të përcaktuara nga BQK. Për këto automjete, çmimet zyrtare janë dukshëm më të ulëta sesa ato që janë pranuar nga autoriteti kontraktues.

Në shumë prej këtyre rasteve, eksperti shqyrtues ka konstatuar se pretendimet e kompanisë ankues “PRISIG” janë të bazuara, duke e cilësuar veprimin e komunës si të dëmshëm për financat publike.

Nga dokumentet e shqyrtuara, del se Komuna e Mitrovicës ka shkelur disa nene të Ligjit për Prokurim Publik, përfshirë:

  • Nenit 1 (qëllimi i LPP-së),
  • Nenit 6 (ekonomiciteti dhe efikasiteti),
  • Nenit 7 (barazia dhe mosdiskriminimi),
  • Nenit 59 e 60 (vlerësimi dhe dhënia e kontratës).

Këto shkelje nuk janë thjesht gabime teknike apo lëshime burokratike. Ato përbëjnë një skemë të qartë të mosrespektimit të ligjit dhe të favorizimit të operatorëve ekonomikë në kundërshtim me konkurrencën e drejtë dhe barazinë e trajtimit.

Eurosig dhe Illyria, të favorizuarit e Komunës

Raporti i OSHP-së tregon se jo vetëm Eurosig, por edhe kompania tjetër e sigurimeve “Illyria” ka ofertuar me çmime të kundërligjshme për disa kategori të automjeteve. Megjithatë, Komuna i ka rekomanduar ato për kontratë, duke injoruar tarifat zyrtare dhe dëshmitë e paraqitura nga operatorët e tjerë.

Ky fakt ngre dyshime serioze për tendenca të mundshme të favorizimit dhe keqpërdorimit të procesit të prokurimit.

Këto gjetje e vendosin Komunën e Mitrovicës, nën drejtimin e Bedri Hamzës, në pozitë të vështirë përballë opinionit publik. Përkundër faktit se kryetari Hamza shpesh paraqitet si menaxher i kujdesshëm i financave, ky raport i OSHP-së tregon të kundërtën: buxheti i komunës është vënë në rrezik nga vendime të pakujdesshme, të paligjshme dhe të dëmshme.

“Duke u mbështetur te neni 111 paragrafi 5 lidhur me nenet 113 dhe 114 të LPP, Organi Shqyrtues i Prokurimit me datë 19.06.2025 ka autorizuar ekspertin shqyrtues për të bërë shqyrtimin fillestar të dosjes dhe pretendimeve sipas ankesës me nr. 2025/0487. Lidhur me ankest nr. 0487/25 me datën 26.06.2025 është dorëzuar raporti i ekspertit shyrtues me me rekomandimet si në vijim: Duke u bazuar në sqarimet e lartpërmendura, eksperti shqyrtues i propozon panelit shqyrtues, që të APROVOHET ankesa e Tenderuesit ankues, KOMPANIA E SIGURIMEVE “PRISIG” SH.A., pjesërisht e bazuar, njëherësh propozoj të anulohet aktiviteti i prokurimit dhe i njejti të ritenderohet nëse AK ende ka interesim për këtë shërbim”, ka marr vednim panli.

Ne fund, komuna ka vendosur që të bëjë anulimin e aktivitetit të prokurimit në tersi. /Kujdestari.info/

 

Lexo më shumë

Të tjera