E martë, 16 Dhjetor, 2025

OSHP rrëzon kërkesën e Komunës së Mitrovicës Veriore për diskualifikimin e kompanisë së sigurimit

Ndaj

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ka refuzuar kërkesën e Komunës së Mitrovicës Veriore për të futur në listën e zezë kompaninë “Scorpion Security” Sh.p.k nga Ferizaj, e cila kishte fituar kontratën për sigurimin fizik të objekteve komunale, shkruan Kujdestari.info.

Komuna kishte kërkuar marrjen e masave ndaj kësaj kompanie, duke pretenduar se operatori ekonomik nuk i kishte përmbushur shërbimet sipas kontratës dhe pas kërkesave të vazhdueshme, kishte vendosur ta ndërpriste marrëveshjen. Në mbështetje të kërkesës, Komuna kishte bashkangjitur disa komunikime elektronike, përmes të cilave kishte kërkuar përmirësimin e shërbimeve.

Mirëpo, pas shqyrtimit të dokumenteve, OSHP ka konstatuar se Komuna nuk ka ofruar asnjë provë që dëshmon se operatori ka paraqitur dokumente të rreme apo të falsifikuara – e vetmja bazë ligjore sipas nenit 99, paragrafi 2 të Ligjit për Prokurimin Publik (LPP), që i jep kompetencë OSHP-së për të marrë masa të tilla.

Në bazë të një kërkese me shkrim nga autoriteti kontraktues në lidhje me paraqitjen e të dhënave të rreme ose të një dokumenti të falsifikuar nga operatori ekonomik, OSHP është e obliguar dhe ka autoritetin të shqyrtojë dhe të diskualifikojë operatorin ekonomik nga pjesëmarrja në prokurim publik për një periudhë deri në një vit”, theksohet në vendim.

Sipas OSHP-së, mosmarrëveshjet që lidhen me mosrealizim të shërbimeve apo shkelje të kushteve të kontratës nuk bien në kompetencën e këtij institucioni, por mund të trajtohen në bazë të Ligjit mbi Marrëdhëniet e Detyrimeve (LMD), përmes Gjykatës kompetente.

“Për shkak se në këtë rast nuk kemi të bëjmë me mashtrim apo falsifikim, por me pretendime për moszbatim të kontratës, Komuna e Mitrovicës Veriore mund ta realizojë të drejtën e saj kontraktuale përmes Gjykatës”, thuhet në vendim.

Në përfundim, OSHP vendosi të refuzojë kërkesën e Komunës së Mitrovicës Veriore si të pabazuar në ligj, duke lënë të hapur vetëm rrugën gjyqësore për zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshjeje. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera