Një tender për furnizim me pajisje mjekësore për nevojat e SHSKUK-së është shoqëruar me dyshime serioze për dokumente të rreme. Organi Shqyrtues i Prokurimit ka konfirmuar se certifikatat CE të paraqitura nga një konzorcium operatorësh kanë qenë false. Megjithatë, pavarësisht këtij konstatimi, OSHP ka refuzuar kërkesën për diskualifikim të kompanive, duke vlerësuar se nuk është provuar që ato kanë vepruar me qëllim mashtrues, shkruan Kujdestari.info.
Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ka konfirmuar se certifikatat CE të dorëzuara në një tender milionësh për furnizim me pajisje mjekësore për Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) kanë qenë të rreme. Megjithatë, institucioni ka refuzuar kërkesën e SHSKUK-së për diskualifikimin e operatorëve ekonomikë, me arsyetimin se nuk është provuar që ata kanë vepruar me qëllim mashtrues. (VENDIMI)
Bëhet fjalë për aktivitetin e prokurimit me numër 220-25-8216-1-1-1, ku konzorciumi Greemed nga Tirana dhe Medi Health L.L.C nga Prishtina kishte ofertuar me pajisje të prodhuesit kinez “Ari Medical Technology Co”.
Certifikatat u shpallën false
Sipas vendimit të OSHP-së, trupa certifikuese ECM ka konfirmuar me shkrim se certifikatat me numrat përkatës të paraqitura në tender nuk janë lëshuar nga ky institucion dhe rezultojnë të jenë false.
Ky konstatim erdhi pas dyshimeve të ngritura nga operatorë të tjerë ekonomikë, të cilët kishin kërkuar verifikim të autenticitetit të dokumenteve.
SHSKUK, mbi bazën e këtij konfirmimi, kërkoi nga OSHP aplikimin e nenit 99.2 të Ligjit për Prokurim Publik, që parasheh diskualifikimin deri në një vit të operatorëve që paraqesin dokumente të rreme ose të falsifikuara.
Pse nuk pati diskualifikim?
Pavarësisht se certifikatat rezultuan të rreme, Paneli Shqyrtues vlerësoi se nuk është provuar që operatori ekonomik Greemed ka falsifikuar apo manipuluar vetë dokumentet.
Sipas arsyetimit të OSHP-së:
Certifikatat janë kërkuar dhe janë dërguar nga vetë prodhuesi kinez.
Operatori ka dorëzuar komunikime elektronike që tregojnë se dokumentet i ka pranuar në atë formë.
Prodhuesi Ari Medical ka pranuar se certifikatat i ka marrë nga një agjenci lokale dhe madje ka shprehur keqardhje për situatën.
Paneli thekson se për të aplikuar masën ndëshkuese sipas nenit 99, duhet të provohet se operatori ekonomik ka paraqitur me vetëdije dokumente të rreme. Në këtë rast, sipas OSHP-së, një element i tillë nuk është dëshmuar.
Ndërkohë, anëtari tjetër i konzorciumit, Medi Health L.L.C, është përjashtuar nga çdo përgjegjësi, pasi sipas vendimit dokumentet dhe komunikimet me prodhuesin janë menaxhuar nga lideri i konzorciumit.
Një precedent i diskutueshëm
Vendimi krijon një situatë paradoksale ku dokumentet në tender rezultojnë zyrtarisht false, por askush nuk diskualifikohet.
OSHP ka sqaruar se përgjegjësia për certifikatat bie mbi prodhuesin, jo mbi operatorin ekonomik që i ka paraqitur ato. Megjithatë, rasti hap diskutime për nivelin e verifikimit të dokumentacionit në tenderë publikë, sidomos kur bëhet fjalë për pajisje mjekësore.
Në fund, Paneli vendosi të refuzojë kërkesën e SHSKUK-së si të pabazuar në dispozitat e nenit 99.2 të LPP-së. Kundër këtij vendimi nuk lejohet ankesë në OSHP, por pala e pakënaqur mund t’i drejtohet gjykatës brenda 30 ditësh.
Rasti mbetet një tjetër episod që vë në pah boshllëqet ligjore dhe vështirësinë për të ndëshkuar operatorët në rastet kur dokumentet rezultojnë të rreme, por nuk provohet drejtpërdrejt që ato janë falsifikuar nga vetë ofertuesi. /Kujdestari.info/