Organi Shqyrtues i Prokurimit e ka diskualifikuar kompaninë “Grand Construction” nga pjesëmarrja në prokurimin publik për një periudhë prej gjashtë muajsh, pas kërkesës së Komunës së Mitrovicës së Jugut, shkruan Kujdestari.info.
Vendimi lidhet me tenderin për asfaltimin e rrugëve në Bajgorë, Rashan, Tërsten, Kutllovc dhe Vllahi, projekt ky i paraparë të realizohet nga Komuna e Mitrovicës së Jugut në bashkëfinancim me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Sipas vendimit të OSHP-së, kompania nuk do të ketë të drejtë të marrë pjesë në tenderë publikë nga 27 korriku 2026 deri më 26 janar 2027. (DOKUMENT)
Komuna kishte kërkuar marrjen e masave ndaj operatorit ekonomik, me pretendimin se gjatë procedurës së prokurimit kishte dorëzuar dokumente ose dëshmi me përmbajtje të rreme apo të falsifikuar.
Çështja lidhej me një marrëveshje të dorëzuar ndërmjet kompanive “Lika-Trade” dhe “Grand Construction”. Kompania e kundërshtoi kërkesën, duke pretenduar se marrëveshja ishte dokument valid dhe juridikisht i vlefshëm dhe se nuk ekzistonte ndonjë vendim i organit kompetent që e dëshmonte të kundërtën.
Megjithatë, paneli shqyrtues vlerësoi se Komuna e Mitrovicës së Jugut kishte ofruar prova se operatori ekonomik kishte mashtruar ose falsifikuar dëshminë e dorëzuar në ofertë, duke aprovuar kështu kërkesën për diskualifikim.
Kundër vendimit të OSHP-së nuk lejohet ankesë, por pala e pakënaqur mund t’i drejtohet gjykatës kompetente me kërkesë për anulimin e tij, brenda 30 ditësh nga pranimi. /Kujdestari.info/