E martë, 27 Janar, 2026

OSHP i jep të drejtë Komunës së Drenasit, diskualifikohet “Korabi” për mashtrim në tender

Ndaj

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ka aprovuar ankesën e Komunës së Drenasit, duke konstatuar se operatori ekonomik N.N.T. “Korabi” ka paraqitur dokumente me përmbajtje të rreme dhe të dyshuara si të falsifikuara në një aktivitet publik të prokurimit për rehabilitimin e rrugëve, shkruan Kujdestari.info.

Organi Shqyrtues i Prokurimit, me vendimin Nr. 56126 të datës 19 janar 2026, ka aprovuar kërkesën e Autoritetit Kontraktues -Komuna e Drenasit, për marrjen e masave sipas nenit 99 paragrafi 2 të Ligjit për Prokurim Publik, ndaj operatorit ekonomik N.N.T. “Korabi” – Gllogoc.

Vendimi lidhet me aktivitetin e prokurimit “Rehabilitimi i rrugës dhe ndërtimi i trotuarit Arllat–Negrovc dhe Vuqak”, me numër të prokurimit 611-25-5498-5-1-1, të iniciuar nga Komuna e Drenasit.

Sipas OSHP-së, pas shqyrtimit të kërkesës së komunës, përgjigjeve të operatorit ekonomik, deklaratave të inxhinierit Vehbi Goxhuli dhe provave të administruara gjatë procedurës, paneli shqyrtues ka vlerësuar se ekzistojnë prova të pakontestueshme që dëshmojnë se operatori ekonomik ka mashtruar ose ka falsifikuar dokumentacionin e dorëzuar në procedurën e prokurimit.

Autoriteti kontraktues kishte pretenduar se dokumentet e dorëzuara nga OE “Korabi” për angazhimin e inxhinierit Vehbi Goxhuli ishin përdorur pa autorizim, ndërsa vetë inxhinieri kishte deklaruar se nënshkrimi i tij ishte falsifikuar dhe se bashkëpunimi i tij me operatorin kishte qenë i kufizuar vetëm në një projekt gjatë vitit 2024.

Nga ana tjetër, operatori ekonomik kishte kundërshtuar këto pretendime, duke dorëzuar kontratën e punës, dëshmi për pagesat mujore dhe kontributet pensionale të paguara për inxhinierin edhe gjatë vitit 2025, si dhe komunikime elektronike që, sipas tij, dëshmonin vazhdimësinë e bashkëpunimit.

Paneli shqyrtues ka konstatuar se, ndonëse inxhinieri ka pranuar pagesa dhe përfitime materiale nga kontrata e kontestuar edhe gjatë vitit 2025, mospërputhjet në deklarata dhe dokumentacion përbëjnë bazë ligjore për marrjen e masave ndaj operatorit ekonomik.

Si rrjedhojë, OSHP ka vendosur që N.N.T. “Korabi” të diskualifikohet nga pjesëmarrja në prokurim publik për një periudhë tre mujore, nga data 14 janar 2026 deri më 14 prill 2026.

Kundër këtij vendimi nuk lejohet ankesë, ndërsa pala e pakënaqur ka të drejtë t’i drejtohet gjykatës kompetente me kërkesëpadi për anulimin e vendimit, brenda afatit ligjor prej 30 ditësh nga data e pranimit. /Kujdestari.info

Lexo më shumë

Të tjera