Një vendim i fundit i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) ka nxjerrë në pah tensionet dhe mospajtimet serioze ndërmjet autoritetit kontraktues, Komuna Kamenicës. dhe një operatori ekonomik në një nga procedurat e furnizimit publik. Paneli shqyrtues ka aprovuar kërkesën e Komunës së Kamenicës për diskualifikimin e kompanisë “Arm Energy Group” nga pjesëmarrja në prokurim publik për një periudhë prej tre muajsh, duke argumentuar se veprimet e operatorit kanë qenë në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik dhe kanë cenuar integritetin e procesit, shkruan Kujdestari.info.
Vendimi i OSHP-së, i marrë më 26 mars 2026, lidhet me aktivitetin e prokurimit për furnizim me dru për ngrohje, i ndarë në dy lote: furnizimi për institucionet arsimore dhe furnizimi për QKMF-në në Komunën e Kamenicës. Në këtë procedurë kishte aplikuar edhe operatori ekonomik “Arm Energy Group” Sh.p.k., ndaj të cilit më pas është kërkuar marrja e masave ndëshkuese nga autoriteti kontraktues.

Sipas vendimit, Paneli Shqyrtues ka aprovuar kërkesën për diskualifikim duke u mbështetur në nenin 99, paragrafi 2 të Ligjit për Prokurim Publik, duke e përjashtuar këtë operator nga pjesëmarrja në procedurat e prokurimit për një periudhë tre mujore, konkretisht nga 26 marsi deri më 25 qershor 2026. (DOKUMENT)
Rasti ka rrjedhur nga një sërë zhvillimesh dhe komunikimesh ndërmjet Komunës së Kamenicës dhe operatorit ekonomik, ku autoriteti kontraktues pretendon se kompania nuk ka respektuar obligimet kontraktuale dhe procedurale. Në dokumentet e paraqitura, theksohet se operatori është njoftuar për nënshkrimin e kontratës, mirëpo ka pasur vonesa dhe më pas edhe refuzim për nënshkrim në një nga lotet, duke u arsyetuar me mosrespektimin e një vendimi paraprak të OSHP-së për një procedurë tjetër.
Në njërën nga komunikimet, kompania kishte deklaruar se nuk mund të nënshkruajë kontratën për Lotin 2, pasi sipas saj nuk ishte respektuar një vendim i mëhershëm i OSHP-së për Lotin 1. Ky qëndrim është interpretuar nga autoriteti kontraktues si pengim i procesit të prokurimit dhe si veprim që ndikon negativisht në furnizimin me kohë për institucionet përkatëse.
Nga ana tjetër, “Arm Energy Group” në përgjigjet e saj ka pretenduar se nuk ka vepruar në kundërshtim me ligjin, por ka reaguar si pasojë e moszbatimit të vendimeve të mëhershme të OSHP-së nga vetë autoriteti kontraktues. Kompania ka kërkuar që kërkesa për masa ndëshkuese të refuzohet si e pabazuar, duke theksuar se veprimet e saj janë në përputhje me të drejtën për mbrojtje ligjore në procedurat e prokurimit.
Megjithatë, pas shqyrtimit të plotë të provave, dokumentacionit dhe argumenteve të palëve, Paneli Shqyrtues ka konstatuar se autoriteti kontraktues ka ofruar prova të mjaftueshme për të dëshmuar se operatori ekonomik ka vepruar në kundërshtim me dispozitat ligjore. Në veçanti, është theksuar se veprimet e operatorit kanë krijuar situata që mund të konsiderohen si paraqitje e të dhënave të pasakta apo sjellje që cenon besueshmërinë e procesit të prokurimit.
Paneli ka vlerësuar se, në bazë të nenit 99 të LPP-së, kur një operator ekonomik paraqet informacione të rreme ose ndërmerr veprime që mashtrojnë autoritetin kontraktues, atëherë OSHP është i obliguar të ndërmarrë masa, përfshirë diskualifikimin nga pjesëmarrja në tenderë publikë deri në një vit. Në këtë rast konkret, masa është përcaktuar për tre muaj.
Vendimi gjithashtu sqaron se përjashtimi nga prokurimi publik nënkupton ndalimin e plotë të pjesëmarrjes në çdo fazë të procedurave, që nga aplikimi deri në nënshkrimin e kontratës, për të gjitha llojet e kontratave gjatë periudhës së përcaktuar.
Në fund të dokumentit, OSHP ka bërë të ditur se ndaj këtij vendimi nuk lejohet ankesë brenda organit, por palët e pakënaqura mund t’i drejtohen gjykatës kompetente për anulimin e vendimit brenda afatit ligjor prej 30 ditësh nga pranimi i tij. /Kujdestari.info/