Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ka vendosur ta diskualifikojë dhe ta fusë në “listë të zezë” për një periudhë njëvjeçare kompaninë OE “ARF” Sh.p.k., pasi sipas panelit shqyrtues kjo kompani ka paraqitur dëshmi me përmbajtje të rreme ose të falsifikuara gjatë një procedure të prokurimit publik, shkruan Kujdestari.info.
Vendimi është marrë më 9 mars 2026, pas shqyrtimit të kërkesës së Autoritetit Kontraktues – Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, në kuadër të aktivitetit të prokurimit me titull “Furnizim me material të ndryshëm për nevojat e Spitalit të Përgjithshëm Gjilan”.
Paneli i OSHP-së, në përbërje Isa Hasani (kryetar), Vedat Poterqoi dhe Batisah Ibrahimi (anëtarë), ka vendosur që kompania të përjashtohet nga pjesëmarrja në prokurim publik për një periudhë prej një viti, duke filluar nga 9 marsi 2026 deri më 8 mars 2027.
Në vendim thuhet se kërkesa e spitalit për diskualifikim është aprovuar dhe kompania është përjashtuar nga procedurat e prokurimit publik.
“Diskualifikohet nga pjesëmarrja në aktivitetet e prokurimit OE ‘ARF’ Sh.p.k… dhe diskualifikohet për periudhën kohore në kohëzgjatje prej një (1) viti, duke filluar nga data 09.03.2026 deri më 08.03.2027”, thuhet në vendimin e panelit të OSHP-së.
Dyshime për dokumente të falsifikuara
Sipas arsyetimit të vendimit, autoriteti kontraktues ka ngritur dyshime se kompania ka paraqitur dokumente me përmbajtje të rreme në ofertën e saj.
Në dokument theksohet se një nga dëshmitë kryesore lidhet me një certifikatë dhe nënshkrim të një dizajneri, të cilat dyshohet se janë përdorur pa dijeninë e tij.
“Autoriteti kontraktues pretendon se operatori ekonomik ARF Sh.p.k ka dorëzuar dëshmi me përmbajtje të rreme ose të falsifikuara”, thuhet në dokument.
Sipas raportit, pas kërkesës për sqarim, vetë dizajneri i përmendur në dokumente ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë marrëdhënie pune me këtë kompani.
“Unë kurrë nuk kam qenë në marrëdhënie pune me këtë kompani… nënshkrimi im është marrë nga ndonjë dokument dhe është bartur, pa dijeninë time”, citohet deklarimi i tij në arsyetimin e vendimit.
OSHP: Tentativë për mashtrim të autoritetit kontraktues
Pas shqyrtimit të provave dhe dokumentacionit, paneli i OSHP-së ka konstatuar se kompania ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik.
Në vendim theksohet se nga administrimi i provave rezulton se kompania ka tentuar të mashtrojë autoritetin kontraktues dhe vetë OSHP-në.
“Nga administrimi i provave rezulton se OE ARF Sh.p.k., me dëshmitë e dorëzuara të dizajnerit L. Tashi, ka tentuar ta mashtrojë autoritetin kontraktues – Spitalin e Përgjithshëm Gjilan dhe po ashtu OSHP-në”, thuhet në vendim.
Paneli ka konstatuar se nënshkrimi i dizajnerit është falsifikuar, fakt i cili sipas vendimit është konfirmuar edhe nga vetë personi në fjalë.
Pasoja për kompaninë
Si rezultat i këtij konstatimi, OSHP ka vendosur që kompania të përjashtohet nga të gjitha procedurat e prokurimit publik për një vit.
Në vendim theksohet se kjo masë zbatohet për të gjitha procedurat e prokurimit dhe për gjithë ciklin e tenderimit.
“Pjesëmarrja në prokurim publik është një proces që përfshin tërë ciklin nga njoftimi, aplikimi, ankesa, deri te nënshkrimi i kontratës”, thuhet në arsyetimin e panelit.
Vendimi i OSHP-së nuk mund të ankimohet brenda këtij institucioni, por palët e pakënaqura kanë të drejtë t’i drejtohen gjykatës kompetente brenda 30 ditësh për anulimin e vendimit. /Kujdestari.info/


