Organi Shqyrtues i Prokurimit ka aprovuar si të bazuar ankesën e operatorit ekonomik “Seykos” SH.P.K. dhe ka anuluar vendimin e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për dhënie të kontratës në aktivitetin e prokurimit “Furnizim me Natrium Hipoklorit”, shkruan Kujdestari.info.
Vendimi është marrë nga Paneli Shqyrtues i OSHP-së, i kryesuar nga Kimete Gashi, më 12 shkurt 2026, duke urdhëruar që aktiviteti i prokurimit të kthehet në rivlerësim
Kontrata prej 51 mijë eurosh
Sipas dokumenteve zyrtare, KEK kishte shpallur tenderin më 10 tetor 2025 për furnizim me Natrium Hipoklorit, me procedurë të hapur dhe me vlerë të parashikuar prej 51,300 euro
Më 19 dhjetor 2025, KEK kishte publikuar njoftimin mbi vendimin (B58), duke rekomanduar për kontratë operatorin “Liridona Kaciu B.I.”. Operatorit “Seykos” SH.P.K. i ishte refuzuar kërkesa për rishqyrtim, çka e çoi çështjen në OSHP
Çfarë konstatoi OSHP?
Në vendimin e tij, Paneli Shqyrtues ka konstatuar se Autoriteti Kontraktues nuk ka vepruar në përputhje me dispozitat e Ligjit për Prokurim Publik gjatë vlerësimit të ofertës së operatorit ankues
Sipas pretendimeve të “Seykos” SH.P.K., eliminimi i ofertës ishte bërë me arsyetimin se mungonte certifikata e kualitetit me parametra dhe se disa parametra nuk ishin në përputhje me specifikacionin teknik. Megjithatë, nga analiza e ekspertit dhe e panelit rezultoi se kompania kishte dorëzuar certifikatën e kualitetit të prodhuesit dhe dokumentacion teknik që mbulonte kërkesat e dosjes së tenderit
Eksperti teknik ka konstatuar se pretendimi i KEK-ut për mungesë të certifikatës ishte i pabazuar dhe kontradiktor, pasi në një dokument thuhej se mungonte certifikata, ndërsa në vendimin për rishqyrtim pranohej ekzistenca e saj, por kontestoheshin disa parametra
Paneli gjithashtu ka konstatuar shkelje të nenit 7 të LPP-së për trajtim të barabartë dhe jo-diskriminim, si dhe të nenit 59 lidhur me ekzaminimin dhe vlerësimin e tenderëve
Vendimi përfundimtar
Në dispozitivin e vendimit, OSHP ka vendosur:
Aprovohet si e bazuar ankesa e OE “Seykos” SH.P.K.
Anulohet njoftimi mbi vendimin i KEK-ut
Aktiviteti i prokurimit kthehet në rivlerësim
Vendimi i OSHP-së nënkupton se KEK duhet të rishqyrtojë të gjitha ofertat në këtë tender, duke respektuar në tërësi dispozitat e Ligjit për Prokurim Publik dhe kërkesat e dosjes së tenderit.
Kundër këtij vendimi nuk lejohet ankesë, ndërsa pala e pakënaqur ka të drejtë t’i drejtohet Gjykatës Komerciale në Prishtinë brenda 30 ditësh nga pranimi i vendimit. /Kujdestari.info/