Ose kontrata me ndonjë kompani të licensuar për furnizim me energji elektrike ose shkyqje nga rrjeti elektrik.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë sot mori vulën e Dhomave të Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale që t’i gjuajë detyrueshëm në të ashtuquajturin treg të lirë të energjisë plot 1 mijë e 300 biznese, 300 prej tyre prodhuesit vendor.
Ndonëse në Shkallën e Parë të Gjykatës Komerciale këto 1 mijë e 300 biznese gjetën të drejtën “NË TËRËSI” në anënn e tyre, Shkalla e Dytë ua shembi përmbys: ZRRE, thanë ata, mund të vazhdojë me të veten.
Nacionale me burime përbrenda ZRRE-së kupton se tash është fundja-e-fundit për zbatimin e “tregut të lirë”: këto bizneset ose të kërkojnë kontrata me furnizues ose do të shkyqen nga rrjeti elektrike. Vetëm njëra nga këto dyja: e treta, është e përjashtuar.
E në këtë treg “të liberalizuar”, vëllau i Luan Dalipit, kompania MDA, i ka paguar reklamat në rrjete sociale me ofertën e vet: 239 euro Megavati/Orë – më shtrenjtë se ato të shteteve me ekonomi dhe industri gjigante si Franca e Holanda.
Tjerë ofertues nuk ka, përveç KESCO-s po ashtu që ka ofertuar çmime deri në katër-pesë fish më shtrenjtë se sa furnizoheshin para 1 qershorit kur nisi vendimi i zbatimit.
Oda Ekonomike e Kosovës njoftoi se do të vazhdojë betejën ligjore ndaj ZRRE-së edhe në instanca tjera gjyqësore me të gjitha mjetet ligjore në dispozicion.
Thanë se “nuk e komentojnë” vendimin e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale, por i kërkuan ZRRE-së që “të mos ndërmarrë veprime tjera që do t’i dëmtonin bizneset”.
Aktvendimi i Gjykatës Komerciale e Shkallës së Dytë ende nuk është publikuar, por Nacionale e ka parë vetëm një pjesë të njoftimit – vendim ky i marrë qysh para pesë ditësh por i pa bërë publik.
“Aprovohet si e bazuar ankesa e të paditurit Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) me seli në Prishtinë. NDRYSHOHET pika IV e Aktgjykimit K.A.nr.301/25 e datës 29.07.2025 e Gjykatës Komerciale të Kosovës – Dhomat e Shkallës së Parë – Departamenti për Çështje Administrative, ashtu që vendoset si në vijim: Refuozhet si e pabazuar kërkesa e paditësit … me seli në Prishtinë, për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit Nr.272/23 të datës 05.04.2025 dhe njoftimit të datës 12.03.2025 të nxjerrë nga ZRRE”.

Vendimi kundër ZRRE-së në Shkallën e Parë
Gjykata Komerciale, Shkalla e Parë, kishte vendosur të anulonte NË TËRËSI njoftim/vendimin e ZRRE-së për t’i vendosur dhunshëm në të ashtuquajturin treg të lirë bizneset prodhuese, ndërsa kishte pezulluar ekzekutimit e atij vendimi – i.e, zbatimin e të ashtuquajturit “treg të lirë” të energjisë – deri kur Gjykata të merr vendim të formës së prerë/.
“Anulohet në tërësi njoftimi i datës 12.03.2025 i të paditurës ZRRE, si i kundërligjshëm“.
“Aprovohet pjesërisht si i bazuar propozimiti i paditësit **** për caktimin e masës së sigurisë dhe PEZULLOHET ekzekutimi i pikës IV i vendimit Nr.275/24 të datës 05.04.2024 dhe në tërësi Njoftimi i datës 12.03,2025, të nxjerra nga ZRRE, derisa ky aktgjykim të marrë formën e prerë“.

Se në çka përkthehet zbatimi thjesht-ashtu i vendimit të ZRRE-së është elaboruar pafund nga përfaqësues të bizneseve, ekonomistë, opinionistë dhe politikanë: rritje të çmimeve, reduktim i vendeve të punës, ndërperje e reduktim i prodhimit, humbje e konkurrueshmërisë në treg, e deri te falimentim i bizneseve kostot e rrymës të të cilëve përbëjnë përqindje të lartë të operimit prodhues. Por, shqetësime këto të injoruara dhe eklipsuara deri në absolutitet nga ZRrE-ja dhe sponsoruesi i këtij vendimi: Qeveria në detyrë e Albin Kurtit.