E premte, 6 Shkurt, 2026

Komuna e Ferizajt lidh kontratë rreth 150 mijë euro me kompani që në ARBK figuron e shuar

Ndaj

Komuna e Ferizajt, që udhëhiqet nga kryetari Agim Aliu, ka lidhur kontratë me një kompani e cila, sipas të dhënave zyrtare, nuk ka qenë aktive në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK), pasi rezulton të jetë e shuar që nga viti 2021, shkruan Kujdestari.info.

Bëhet fjalë për kontratën “Furnizimi dhe mirëmbajtja e teknologjisë informative në shkollat e Komunës së Ferizajt”, e cila është nënshkruar më 3 nëntor 2025, me kohëzgjatje prej tre vitesh dhe vlerë 148,346.60 euro. (Kontrata)
Kontrata është lidhur ndërmjet Komunës së Ferizajt dhe kompanisë “Comtrade Computers O.K”.

Sipas dokumenteve zyrtare, kontrata është nënshkruar nga kryetari i Komunës së Ferizajt Agim Aliu, udhëheqësja e Zyrës së Prokurimit Arbërie Bekteshi, si dhe nga Edona Konjusha, e prezantuar si menaxhere e shitjes së kompanisë fituese.

Megjithatë, të dhënat nga Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK) tregojnë se kompania “Comtrade Computers O.K” është shuar më 25 qershor 2021, rreth pesë vjet para nënshkrimit të kontratës.

Pas kësaj, Kujdestari.info ka kërkuar qasje në dokumentacionin e ofertimit të kompanisë fituese, konkretisht certifikatën e regjistrimit të biznesit. Në përgjigje, Komuna e Ferizajt ka dërguar në redaksi certifikatën e një biznesi tjetër, jo të atij me të cilin është lidhur kontrata.

Bëhet fjalë për biznesin “Comtrade Computers SH.P.K”, i cili, sipas dokumenteve, ka pronarë të njëjtë me kompaninë e shuar “Comtrade Computers O.K”. Po ashtu, edhe referencat e dorëzuara në kuadër të ofertës i përkasin kompanisë “Comtrade Computers SH.P.K”, e jo subjektit juridik me të cilin është nënshkruar kontrata.

E pyetur për këtë mospërputhje, Komuna e Ferizajt ka sqaruar se, sipas tyre, biznesi ka ndryshuar formën juridike më 25.06.2021, nga “O.K”“Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuar (SH.P.K)”, duke pretenduar se bëhet fjalë për të njëjtin operator ekonomik dhe vazhdimësi të biznesit. Sipas komunës, në momentin e regjistrimit në platformën elektronike të e-prokurimit, operatori ka mbetur i regjistruar me emrin e vjetër, përkatësisht “Comtrade Computers O.K”, dhe ka aplikuar me këtë emër në procedurë.

Ndërkohë, Kujdestari.info ka kërkuar sqarim ligjor nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) lidhur me lejueshmërinë që oferta të jetë e një subjekti juridik, ndërsa kontrata të nënshkruhet me një tjetër. Deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, KRPP nuk ka kthyer përgjigje.

Çfarë thotë ligji?

Sipas Ligjit të Prokurimit Publik:

Neni 66 dhe Neni 68 parashohin që operatori ekonomik duhet të dëshmojë statusin e tij ligjor, ekzistencën juridike dhe aftësinë për të ushtruar veprimtari ekonomike, përmes dokumenteve zyrtare të regjistrimit.

Po ashtu, Rregullorja Nr. 001/2022 për Prokurimin Publik (e konsoliduar), Neni 3, obligon operatorët ekonomik që të jenë të regjistruar si subjekte aktive, me të dhëna të sakta dhe të përditësuara, dhe që çdo ndryshim i statusit juridik të reflektohet në sistemin e prokurimit elektronik.

Në këtë kontekst, nënshkrimi i kontratës me një subjekt juridik të shuar, ndërkohë që dokumentacioni i ofertës i përket një subjekti tjetër, ngre dyshime mbi ligjshmërinë e procedurës së prokurimit dhe vlefshmërinë e kontratës. Nga ana tjetër, praktika dhe interpretimi ligjor lejojnë njohjen e historikut dhe referencave të një kompanie që ka ndryshuar statusin juridik, por vetëm në rastet kur kontrata lidhet me subjektin juridik aktiv dhe të regjistruar, e jo me një kompani të shuar. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera