E premte, 13 Mars, 2026

Ofertat për autobusët e rinj janë hapur prej muajsh, por ende pa fitues- Trafiku Urban nuk tregon as kompanitë në garë

Ndaj

Projekti për blerjen e autobusëve të rinj ishte paralajmëruar prej disa vitesh si një nga investimet kryesore për modernizimin e transportit publik në kryeqytet. Sipas planit, përmes këtij projekti pritet të blihen 30 autobusë, prej të cilëve 6 elektrikë me bateri dhe 24 me standard EURO VI, si dhe infrastruktura përkatëse e karikimit, shkruan Kujdestari.info.

Megjithatë, edhe pse kredia është miratuar prej kohësh dhe procedurat e prokurimit kanë nisur, procesi nuk po arrin të finalizohet.

Sipas informacioneve që ka siguruar Kujdestari.info, hapja e ofertave për këtë tender është bërë tash e disa muaj, por deri më tani nuk është shpallur fituesi. Mungesa e transparencës shtohet edhe më shumë pasi Trafiku Urban ka refuzuar të publikojë procesverbalin e hapjes së ofertave, një dokument bazë që zakonisht tregon kompanitë pjesëmarrëse dhe ofertat e tyre.

Në një përgjigje zyrtare, ndërmarrja ka deklaruar se procedura e prokurimit për autobusët zhvillohet sipas rregullave të BERZH-it dhe se menaxhimi i dokumentacionit të tenderit bëhet në përputhje me politikat e kësaj banke.

Sipas Trafikut Urban, për këtë arsye ndërmarrja nuk ka autorizim për të shpërndarë dokumente apo informacione që janë pjesë e procedurës, pa pëlqimin paraprak të bankës financuese.

“Procedura e prokurimit për blerjen e 30 autobusëve zhvillohet dhe udhëhiqet nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), në përputhje me rregullat dhe politikat e saj të prokurimit. Në këtë kontekst, i gjithë procesi i menaxhimit të tenderit, përfshirë administrimin e dokumentacionit, hapjen e ofertave, vlerësimin dhe publikimin e informatave, realizohet sipas Politikave dhe Rregullave të Prokurimit të BERZH-it. Duke qenë se procedura është e financuar dhe e udhëhequr nga BERZH dhe i nënshtrohet ekskluzivisht rregullave të saj, Ndërmarrja jonë nuk ka autorizim ligjor për të shpërndarë dokumente apo informacione që janë pjesë e kësaj procedure pa pëlqimin dhe autorizimin paraprak të BERZH-it. Në përputhje me nenet përkatëse të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike, e drejta për qasje kufizohet në rastet kur dokumentet përmbajnë informata që administrohen nga palë të treta ose kur ekzistojnë kufizime që burojnë nga marrëveshje ndërkombëtare apo rregulla specifike të donatorit/financuesit. Në këtë rast, dokumentacioni i kërkuar administrohet në kuadër të rregullave të BERZH-it dhe i nënshtrohet politikave të saj për transparencë dhe publikim të informatave”, thuhet në përgjigjen e ndërmarrjes.

Megjithatë, edhe në rastet kur projektet financohen nga institucione ndërkombëtare, zakonisht institucionet publike bëjnë publike të paktën procesverbalin e hapjes së ofertave, i cili përmban vetëm informata bazë për kompanitë pjesëmarrëse dhe ofertat e dorëzuara.

Ndërkohë, burime të informuara për procesin kanë bërë të ditur se në garë për këtë kontratë janë disa kompani. Njëra prej tyre është prodhuesi italian Iveco, me të cilin Trafiku Urban ka pasur kontrata edhe në të kaluarën për furnizim me autobusë. Kompania tjetër që mësohet se ka dorëzuar ofertë është një prodhues nga Turqia.

Pavarësisht se ofertat janë hapur prej muajsh, komisioni i vlerësimit ende nuk ka arritur të nxjerrë një fitues.

Në projektet e financuara nga BERZH, komisionet e vlerësimit zakonisht përbëhen nga ekspertë teknikë dhe përfaqësues të institucionit përfitues, në këtë rast ndërmarrja publike që do t’i përdorë autobusët. Megjithatë, Trafiku Urban nuk ka dhënë detaje se kush janë anëtarët e këtij komisioni dhe nëse në të ka përfaqësues të ndërmarrjes.

Zvarritja e këtij procesi është bërë edhe më problematike duke pasur parasysh se projekti ishte paralajmëruar si një hap i rëndësishëm për përmirësimin e transportit publik në Prishtinë, ndërkohë që qytetarët vazhdojnë të përballen me mungesë autobusësh dhe linja të mbingarkuara.

Në këtë situatë, mbetet e paqartë se kur do të përfundojë vlerësimi i ofertave dhe kur do të shpallet kompania fituese, ndërsa një projekt që kishte nisur para disa vitesh vazhdon të mbetet në fazë tenderimi.

Projekti për furnizimin me autobusë të rinj për Prishtinën ishte paralajmëruar që para disa vitesh si një ndër investimet kryesore për modernizimin e transportit publik në kryeqytet.

Në kuadër të këtij projekti, Komuna e Prishtinës kishte siguruar financim përmes një kredie nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ndërsa Qeveria e Kosovës kishte dalë garantuese për këtë kredi.

Synimi i projektit ishte që ndërmarrja publike Trafiku Urban të furnizohej me 30 autobusë të rinj, prej të cilëve:

  • autobusë elektrikë me bateri,

24 autobusë me standard EURO VI, si dhe infrastruktura përkatëse për karikimin e autobusëve elektrikë.

Megjithatë, edhe pse kredia është nënshkruar dhe projekti është paralajmëruar prej kohësh, procesi i prokurimit nuk po arrin të finalizohet. /Kujdestari.info/

 

 

Lexo më shumë

Të tjera