Oda Ekonomike Britanike në Kosovë ka ngritur shqetësime serioze lidhur me gjendjen në sektorin e minierave, duke kërkuar masa urgjente për rikthimin e funksionalitetit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM).
Sipas odës, që nga viti 2020 KPMM është përballur me probleme të vazhdueshme operacionale, ndërsa vonesat në trajtimin e licencave kanë dëmtuar rëndë industrinë minerare dhe interesimin e investitorëve të huaj. Nga 316 aplikime të dorëzuara, vetëm 60 licenca janë lëshuar nga bordi i fundit, me kohë pritjeje që kanë arritur deri në 50 muaj, ndonëse afati ligjor është maksimumi pesë muaj.
Oda kërkon trajtimin e përshpejtuar të aplikacioneve, zbatim të plotë të ligjit brenda afateve të parapara, hartimin e një Strategjie të re Minerare si dhe plotësimin urgjent të Bordit të KPMM-së, në mënyrë që të rikthehet besimi i investitorëve dhe zhvillimi i qëndrueshëm i sektorit.