Ka më shumë se një vit që Ministria e Bujqësisë ka mbyllur përfundimisht pompën e derivateve të naftës “Patroni”, e cila ndodhet në magjistralen Prishtinë–Fushë Kosovë, përballë objektit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), shkruan Kujdestari.info.
Ministri Faton Peci kishte paralajmëruar se në të njëjtin lokacion do të fillonin procedurat për ndërtimin e objektit të ri të Ministrisë së Bujqësisë. Megjithatë, prej asaj kohe, rrënimi i dy objekteve që ndodhen aty nuk ka nisur, edhe pse dy biznese janë dëbuar prej më shumë se një viti. Ironikisht, menjëherë pas demolimit të njërës pompë, në afërsi të saj u ndërtua një e re.
Sipas Ministrisë, për të ndërtuar objektin e ri është i domosdoshëm rrënimi i atyre ndërtesave. Por, siç ka parë Kujdestari.info, prokurimi i ministrisë është kthyer në një “ping-pong” burokratik me tenderin për rrënimin e tyre. Arsyeja është vendosja e kritereve të kundërligjshme që, favorizonin një kompani të caktuar.
Këto konstatime janë bërë edhe nga vetë Paneli i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), i cili deri më tani ka nxjerrë katër vendime të ndryshme, duke urdhëruar ministrinë që të bëjë përmirësime në dosjen e tenderit. Pavarësisht kësaj, procesi ende nuk ka lëvizur përpara.
Kujdestari.info ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Bujqësisë për arsyen e vonesave, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë ndonjë përgjigje.
Si rrodhi ngjarja
Më 13.08.2024, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në cilësinë e Autoritetit Kontraktues, publikoi njoftimin për kontratë lidhur me aktivitetin e prokurimit “Rrënimi i objekteve ku do të ndërtohet objekti i MBPZHR-së”. Procedura u zhvillua me procedurë të hapur, me kontratë pune dhe me një vlerë të parashikuar prej 90 mijë eurosh.
Që nga ajo ditë, tenderi është bllokuar nga një varg ankesash të operatorëve ekonomikë, të cilët pretendojnë se në dosjen e tenderit janë vendosur kritere të paligjshme dhe diskriminuese.
Me 28.08.2024 – Kompania Osmani Holding shpk parashtroi kërkesë për rishqyrtim, duke konsideruar se ministria kishte vendosur kritere të kundërligjshme. Ministria e refuzoi kërkesën. Me 03.09.2024 – OSHP pranoi ankesën e Osmanit dhe konstatoi se kriteret ishin jashtëligjshme. Ministria u urdhërua të korrigjonte dosjen.
Pas disa korrigjimeve sipërfaqësore, më 17 dhjetor kompania YBA shpk u ankua përsëri. OSHP e gjeti sërish tenderin diskriminues dhe kërkoi ndryshim.
Ministria, edhe këtë herë, bëri vetëm ndryshime kozmetike. Pas ankesës së tretë nga VB Holding shpk, më 10 janar, OSHP e urdhëroi ministrinë të korrigjonte dosjen dhe paralajmëroi masa nëse vendimi nuk respektohej.
Edhe pse ministria përsëri dërgoi dokumentet me kritere të diskutueshme, OSHP, në vend se të aplikonte masa, nxori një tjetër vendim më 22 janar, duke përsëritur kërkesën për ndryshim të dosjes.
Në ndërkohë, “VB Holding” u ankua edhe një herë, por kësaj radhe ankesa iu hodh poshtë. Ministria bëri disa ndryshime të vogla, ndërsa dy kompani të tjera – Tempo-2 shpk dhe Ideor Construction shpk paraqitën ankesa të reja, duke theksuar se dokumentet e tenderit përmbajnë kërkesa të paqarta, joproporcionale dhe që hapin hapësirë për manipulim në procesin e vlerësimit.
Për këto ankesa të fundit, OSHP ende nuk ka marrë vendim.
Tenderi aktualisht gjendet në një fazë ku ende nuk janë hapur ofertat, sepse kriteret vazhdojnë të kontestohen nga kompanitë. Nëse Paneli i OSHP-së i hedh poshtë ankesat e tyre, ministria mund të vazhdojë me hapjen e ofertave dhe shpalljen e fituesit. Por, edhe në fazën e rekomandimit për kontratë, operatorët ekonomikë kanë të drejtë ankese, gjë që mund ta zgjasë procesin edhe për muaj, ndoshta edhe për vite.
Ndërkohë, në hyrje të Prishtinës, dy objektet që duhej të rrënoheshin ende qëndrojnë aty, ndërsa projekti i ministrisë ka mbetur peng i kritereve të paligjshme dhe vendimeve të papërfillura të OSHP-së. /Kujdestari.info/