Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se ka filluar shtypja e fletëvotimeve të zgjedhjeve lokale, shkruan Kujdestari.info.
Shtypja e fletëvotimeve po realizohet në shtypshkronjën e dokumenteve me siguri të lartë në Cele të Sllovenisë.
Përveç fletëvotimeve, do të shtypen edhe broshurat me listat e kandidatëve, të cilat do të jenë të disponueshme në vendvotime gjatë ditës së zgjedhjeve.
Në fazën e parë janë duke u shtypur fletëvotimet për votim jashtë Kosovës për 43.993 shtetas, të cilat, KQZ do të sigurohet që t’ua dërgojë përmes postës, ndërkohë do të vazhdohet me shtypjen e fletëvotimeve për procesin e votimit brenda vendit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) po vazhdon me praktikat e vjetra të realizimit të tenderëve me negocim, pa publikim të njoftimit për kontratë, ndonëse prej muajsh dihet data e zgjedhjeve.
Përmes kësaj procedure, KQZ ka rekomanduar dhënien e kontratës për tenderin “Shtypja e fletëvotimeve, broshurave të kandidatëve dhe listave të votuesve për Zgjedhjet Lokale 2025”. Përfitues është konsorciumi Cetis d.d. dhe CETKOS L.L.C., me lider nga Sllovenia, ndërsa e dyta nga Kosova. Vlera e kontratës është 489,362.40 euro.

Bëhet fjalë për:
- Listat e votuesve: 4,420 copë
- Broshurat e kandidatëve për Kuvende Komunale: 16,980 copë
KQZ vazhdimisht e shpërblen këtë konsorcium me kontrata përmes negocimit. Në arsyetimin e tyre për përdorimin e kësaj procedure është shkruar:
“Duke marrë parasysh ndjeshmërinë e procesit të shtypjes së fletëvotimeve, të përcaktuar nga KQZ me Rregulloren Zgjedhore nr. 10/2024 – Fletëvotimet dhe Broshurat, siç parashihet në nenin 8, paragrafi 3, procesi i shtypjes dhe paketimit duhet të realizohet nga një operator ekonomik i certifikuar, në përputhje me standardet për sistemin e menaxhimit të shtypjes me siguri të lartë dhe sistemin e menaxhimit të sigurisë së informacionit. Për të përmbushur këtë kërkesë, është e nevojshme që OE të posedojë standardin ISO 14298, i cili përcakton kërkesat për sistemin e menaxhimit të shtypjes me siguri të lartë. Ky standard siguron mbrojtjen e produktit, procesit, informatave dhe elementeve të sigurisë. Në regjistrin e Shoqatës Evropiane të Industrisë së Printimit – Intergraf, janë të listuara kompanitë që merren me shtypje me siguri të lartë dhe që janë të certifikuara me ISO 14298. Andaj, duke u bazuar në sqarimet e mësipërme, si dhe konkluzionet nga takimi i punës së KQZ-së në Tiranë, më 4–7 prill 2025, propozojmë që të zhvillohet procedura e negocimit pa publikim të njoftimit për kontratë, me qëllim që të sigurohet shtypja e fletëvotimeve në kohë dhe në përputhje me kërkesat ligjore”.
Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 12 tetor 2025, në të gjitha komunat e vendit për zgjedhjen e kryetarëve të komunave dhe asambleve komunale.
Në këtë proces zgjedhor, do të shtypen 13 për qind apo 268 mijë e 688 fletëvotime më pak se numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote, që sipas Listës Votuese të certifikuar nga KQZ është 2 milionë e 69 mijë e 98.
Sipas të dhënave nga Lista Votuese, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime në Kosovë është 2 milionë e 25 mijë e 105, ndërsa numri i qytetarëve të regjistruar për të votuar me postë jashtë Kosovës është 43.993.
Procesi zgjedhor organizohet në 938 qendra të votimit me gjithsej 2.625 vendvotime, prej të cilave 910 qendra të votimit për votimin e rregullt me 2.571 vendvotime dhe 38 qendra votimi për votimin me kusht, me gjithsej 54 vendvotime. /Kujdestari.info/