Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu ka paralajmëruar për pasoja të mundshme ekonomike në vend si rezultat i zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme, duke theksuar se rritja e çmimeve dhe çrregullimet në tregjet globale mund të prekin drejtpërdrejtë edhe Kosovën.
Gërxhaliu në një intervistë për Ekonomia Online, tha se lufta në Lindjen e Mesme po krijon ndryshim në shumë dimensione.
“Është më se e vërtetë që pas sulmeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit në Iran dhe ajo çfarë është duke ndodhur në Gjirin Persik, bota nuk është më ajo çka ka qenë më parë. Gjërat janë duke ndryshuar në shumë dimensione, jo vetëm në aspektin gjeostrategjik, jo vetëm në aspektin politik, por edhe në aspektin ekonomik dhe social. Vetë fakti që kemi të bëjmë me vende të cilat janë prodhuesit më të mëdhenj dhe eksportuesit më të mëdhenj të derivateve të naftës, këto shtete të Gjirit Persik e dëshmon rëndësinë strategjike të tyre. Vetë fakti që partnerët më të mëdhenj të blerjes së kësaj nafte janë ekonomitë më të zhvilluara në botë, duke filluar nga Kina, duke filluar nga India, Pakistani dhe shumë shtete të tjera, dhe ato janë të varura nga kjo naftë, e dëshmon më së miri faktin e çrregullimit të tregut global në furnizim të derivateve të naftës. Bota nuk njeh distancë. Ajo çfarë sot ndodh në Amerikë apo në Kinë apo në vende të tjera, bartet me shpejtësi në vende të ndryshme të botës dhe në këtë drejtim edhe Kosova nuk mund të jetë e pa goditur”, tha ai.
Ai thotë se ngërçi politik është një prej gjërave më negative që i ka ndodhur Kosovës për vitin 2026.
“Ajo çka e vështirëson situatën më shumë në Kosovë, është fakti që Kosova po hyn me krizë në krizë dhe jemi tani në një ngërç politik. Dhe mungesa e stabilitetit politik edhe nga viti 2025 i vazhduar në vitin 2026 është më e keqja që i ka ndodhur Kosovës në këtë kohë të turbulencave globale. Në vend që të kemi një angazhim më aktiv, që të gjenden forma për të minimizuar pasojat e ngritjes së çmimeve në këtë mënyrë dhe efektit të tyre në ekonominë e Kosovës, ne ende tutje merremi me politikë. Dhe e tëra kjo po e dëmton sot edhe standardin e qytetarëve, por edhe më tepër ekonominë dhe zhvillimin ekonomik”, u shpreh ai.
Gërxhaliu sqaroi edhe çështjen e inflacionit dhe se një gjë e tillë sipas tij është më e lartë se sa vendet e rajonit dhe se po ndikon në stagflacion.
“Dhe çka e bën më të veçantë në këtë situatë Kosovën është fakti që derisa vendet e rajonit dhe vendet evropiane kanë rezervat e produkteve strategjike dhe të produkteve elementare, ndoshta në një periudhë kohore 60 apo 70 ditore me normativa evropiane duhet të jetë 90 ditë – Kosova nuk e ka një siguri të tillë dhe e bën situatën shumë më të brishtë sesa në vendet tjera. Prandaj definitivisht është duke u rritur norma e inflacionit në vende të ndryshme. Kosova e ka pasur një normë shumë të lartë krahasuar me vendet evropiane apo dyfishin e inflacionit 6%, dhe e tëra kjo që është duke ndodhur me rritjen e inflacionit në botë po ndikon në një stagflacion, i cili është kombinimi më fatal për një qëndrueshmëri ekonomike. Që krahas rritjes së inflacionit dhe ngritjes së çmimeve të produkteve qoftë bazike qoftë elementare, e kemi do të thotë edhe ngecjen e zhvillimit dhe e tëra kjo do të jetë vërtet një goditje për mbarë botën dhe ajo do të reflektohet edhe në Kosovë”, thekson ai.