Vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të pezulluar pa afat Dialogun Strategjik me Kosovën ka shkaktuar reagime të ashpra nga odat ekonomike, shoqëria civile dhe partnerët ndërkombëtarë.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës dhe Oda Ekonomike e Kosovës kanë reaguar me shqetësim të thellë pas vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të pezulluar pa afat Dialogun Strategjik me Kosovën.
Ky proces ishte paraparë si një mekanizëm i rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit ekonomik, nxitjen e investimeve dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit
DhTIK thekson se marrëdhëniet me SHBA-të janë jetike për Kosovën, duke kujtuar se Amerika ka qenë gjithmonë partner strategjik në ndërtimin e institucioneve demokratike, zhvillimin ekonomik dhe integrimin euroatlantik. Institucioni vlerëson se çdo veprim që dëmton këtë raport është kundër interesave të qytetarëve dhe të ardhmes ekonomike të vendit.
Në reagimin e saj, DhTIK rikujtoi se kishte kërkuar që qeveria të hiqte me urgjencë taksën ndaj produkteve amerikane, por hapat e ndërmarrë nga ekzekutivi u vlerësuan si të vonuar dhe joefektivë.
Nga ana tjetër, kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna, tha se pezullimi i Dialogut Strategjik është një hap prapa për aspiratat ekonomike e diplomatike të Kosovës. Ai theksoi se krijimi i një imazhi të besueshëm për Kosovën si destinacion i sigurt për investime duhet të jetë prioritet kombëtar.
Rafuna ngriti shqetësimin për mungesën e investimeve të huaja dhe rënien e remitancave nga diaspora, që sipas tij po krijojnë një situatë të vështirë për ekonominë e vendit. Ai përmendi edhe sfidat e liberalizimit të tregut të energjisë, që kanë shtuar barrët për bizneset, shkruan Kujdestari.info.
Të dyja organizatat ekonomike apeluan për gjetjen sa më të shpejtë të një zgjidhjeje dhe rikthimin e Dialogut Strategjik me SHBA-të, duke kërkuar gjithashtu konsolidimin e politikave ekonomike për të rikthyer besimin e investitorëve të huaj dhe për të siguruar kushte të qëndrueshme për zhvillim.
Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane (AARC) përmes një reagimi zyrtar ka shprehur shqetësimin e thellë në lidhje me pezullimin e Dialogut Strategjik midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës.
Sipas Këshillit, ky zhvillim duhet të shërbejë si një thirrje për veprim të menjëhershëm për udhëheqësit dhe institucionet e Kosovës.
Ata bën thirrje që Kushtetuta dhe rendi kushtetues i Kosovë të respektohen, dhe të veprohet pa vonesë për krijimin e institucioneve.
“Për një kohë tani, AARC ka paralajmëruar për një erozion në partneritetin Kosovë-SHBA. Marrëdhëniet diplomatike janë në një pikë të ulët historike, dhe pezullimi i Dialogut Strategjik është shembulli më i fundit dhe më alarmues i këtij përkeqësimi. Ky trend duhet të përmbyset menjëherë. Rindërtimi i besimit dhe partneritetit kërkon koordinim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara në çdo nivel”, shkruhet në reagimin e tyre.
Ndërkaq, tutje shkruhet se në praktikë, nuk ka sovranitet për Kosovën pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.
“Pamundësia dhe mosgatishmëria për t’u angazhuar në dialog ka krijuar polarizim ekstrem në Kosovë. Edhe çështjet që janë përcaktuar dhe zgjidhur qartë nga Kushtetuta janë shndërruar pa nevojë në mosmarrëveshje ligjore dhe kushtetuese. Patriotizmi dhe dashuria për Kosovën nuk do t’i përkasin asnjë individi apo partie politike të vetme. Përkundrazi, qeveritë – qofshin ato që veprojnë në cilësinë e kujdestarit apo si të plotfuqishme – dhe partitë politike kanë detyrimin të udhëheqin me përgjegjësi dhe të krijojnë një mjedis për dialog politik. Çështjet e sovranitetit, detyrimeve ndërkombëtare, pavarësisë dhe interesave të tjera jetësore shtetërore i përkasin të gjithë popullit të Kosovës, jo vetëm një partie apo qeverie”.
Ndër të tjerash, Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane (AARC) thekson se “shpirti pro-amerikan i popullit të Kosovës nuk duhet të manipulohet ose keqpërdoret kurrë”.
“Në të njëjtën kohë, duhet të theksojmë padrejtësinë e thellë të situatës aktuale: ndërsa Kosova qortohet rëndë, Serbia – lidershipi i së cilës është rreshtuar hapur me Rusinë dhe Kinën, dhe e cila sponsorizon paqëndrueshmërinë rajonale, duke përfshirë edhe inkursionet paraushtarake në Kosovë – shpërblehet me vizita të nivelit të lartë me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së dhe diskutime për partneritet strategjik. Megjithatë, ky realitet nuk e liron Kosovën nga përgjegjësitë e saj. Për të parafrazuar një parabolë ballkanike: vrasja e lopës së fqinjit nuk të jep më shumë qumësht. Kosova duhet të shikojë brenda vetes, të ndërmarrë veprime korrigjuese dhe të demonstrojë pjekurinë e institucioneve dhe lidershipit të saj politik”.
“Për më tepër, si qeveria aktuale ashtu edhe çdo qeveri e ardhshme duhet të krijojnë urgjentisht mekanizma dhe kanale lobimi në Uashington, D.C. Kjo punë nuk mund të vonohet. Kosova nuk duhet të ndëshkohet në favor të Serbisë – veçanërisht në një kohë kur Serbia udhëhiqet nga një ish-ministër i regjimit të Millosheviqit, i cili e ka bërë të qartë qëllimin e tij kryesor për të afruar Serbinë me Rusinë dhe Kinën”.
Tutje, Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane u kërkon institucioneve dhe udhëheqjes politike të Kosovës të përballen me këtë moment krize, të veprojnë me unitet dhe përgjegjësi, dhe të sigurojnë që partneriteti i Kosovës me Shtetet e Bashkuara të mbetet i fortë, efektiv dhe i orientuar drejt së ardhmes.
Ambasada e ShBA-së, në një deklaratë të sapo kumtuar, njofton për pezullimin në kohë të pacaktuar të Dialogut Strategjik me ShBA-në.
“Shtetet e Bashkuara e kanë pezulluar për kohë të pacaktuar Dialogun e tyre të planifikuar Strategjik me Kosovën për shkak të shqetësimit rreth veprimeve të qeverisë në detyrë, të cilat i kanë rritur tensionet dhe jostabilitetin, duke e kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën për prioritetet e përbashkëta” – thuhet në komunikatën e Ambasadës Amerikane.
“Ne mbetemi të përkushtuar ndaj avancimit të interesave të përbashkëta të ndara nga Shtetet e Bashkuara dhe populli i Kosovës” – thuhet në deklaratë.
SHBA thotë se veprimet dhe deklaratat e fundit nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, kanë paraqitur sfida ndaj progresit të bërë ndër shumë vite.
“Marrëdhënia jonë me Kosovën është e mbështetur në një qëllim të përbashkët: fuqizimi i paqes dhe stabilitetit si një bazë për mirëqenie të përbashkët ekonomike. Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit nga kryeministri në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida ndaj progresit të bërë ndër shumë vite”.
Dialogu strategjik kishte për qëllim që t’i fuqizonte lidhjet ekonomike dhe diplomatike për të mirën e popullit amerikan dhe kosovar. Ne shpresojmë që të ndjekim përpjekje të tilla në të ardhmen, kur të jetë e duhur. Ne e njohim këtë si qëllim i bërë prioritet nga populli i Kosovës”- thuhet në njoftim./Kujdestari.info/.