Pasojat evidente nga mosfunksionimi për një kohë të gjatë i institucioneve më të rëndësishme të vendit, u shprehën këto ditë me tone të ashpra nga ekonomistë dhe biznesmenë të shumtë të vendit.
Nuk ka dilema se pasojat e anarkisë së krijuar nga mungesa e institucioneve qeverisëse kanë nisë të shpërfaqen praktikisht në të gjithë sektorët ekonomik. Pasojat e ngërçit politik të krijuar nga zvarritja e pafund e krijimit të instititucioneve të vendit, po shihen dhe po vihen në pah nga të gjithë kosovarët kompetentë, profesionistë dhe laik, por edhe nga institucione relevante ndërkombëtare, të cilat po alarmojnë se mungesa e institucioneve do të lë gjurmë dhe ndikime negative në ekonominë e Kosovës dhe në gjendjen sociale të kosovarëve.
Nuk ka investime të jashtme fare në Kosovë që nga zgjedhjet e fundit parlamentare, ndërsa investimet kapitale të brendshme, qoftë ato të parashikuara nga buxheti i sivjetshëm, qoftë nga iniciativa private nga biznesi vendor, janë fare të pakta, sa për sy e faqe, ose aq simbolike dhe të paefektshme sa që nuk ia vlen të përmenden. Projektet energjetike, qoftë nga burime të energjisë së rinovueshme, qoftë sosh të cilat do të vazhdojnë edhe për shumë vjet ta kenë qymyrin si resurs të vetëm të prodhimit të energjisë elektrike, të parashikuara të nisin këtë vit të ndërtohen, apo të rindërtohen, janë heshtur. Madje, nuk flet kush për to dhe nuk dihet më se kur do të nisë ndërtimi dhe rindërtimi i tyre.
Pasojat evidente nga mosfunksionimi për një kohë të gjatë i institucioneve më të rëndësishme të vendit, u shprehën këto ditë me tone të ashpra nga ekonomistë dhe biznesmenë, duke trajtuar temën “Vakumi i zgjatur institucional: Kostoja dhe pasojat për ekonominë”, organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë. Me këtë rast, përfaqësues të bizneseve kanë renditur një vistër pasojash që rëndojnë ekonominë e vendit prej se ka nisur kriza politike.
Në këtë tryezë diskutimi, kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, tha se çdo ditë janë ofruar informata për përkeqësim të shëndetit financiar të bizneseve, ndërsa përfaqësues të komunitetit të biznesit kanë vënë në dukje se kriza politike ka krijuar rënie të likuiditetit të institucioneve financiare.
“Ankesat lidhen po ashtu me zvogëlimin e investimeve kapitale nga ana e institucioneve publike në vend. Duke qenë një prej shtyllave kryesore zhvillimore, e cënon edhe rrjedhën e parasë së gatshme dhe shëndetin financiar”, u shpreh Arian Zeka në këtë tryezë..
Profesori i ekonomisë, Shkumbin Misini, paraqiti në këtë tryezë të dhëna konkrete, duke alarmuar për dëmet dhe pasoja të mëdha të shkaktuara vendit nga ngërçi politik. Sipas tij, “ne, shtatëmbëdhjetë milionë euro importojmë gjatë ditës. Kreditë konsumuese nga viti 2020 deri në vitin 2024 janë rritur për 96 për qind. Investimet e huaja i kemi në rënie”.
Ndërkohë, Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) nëpërmjet një komunikate këto ditë, ka qenë shumë e ashpër, dhe për pasojat e rënda ekonomike që vendi ka pësuar në këtë periudhë ka fajësuar partinë më të madhe në vend. AKB përmes një postimi në Facebook, thotë se kjo krizë e qëllimshme politike ka paralizuar vendimmarrjen shtetërore, ka penguar funksionimin e institucioneve dhe ka shkaktuar humbje të mëdha në çdo sektor – nga prodhimi dhe eksporti, te investimet e huaja dhe projektet strategjike.
“Pasiguria politike dhe juridike për gjashtë muaj me radhë ka sjellë rreth 300 milionë euro humbje të drejtpërdrejta, rënie deri në 25% të kapaciteteve prodhuese, pezullim të kontratave ndërkombëtare dhe largim të investitorëve të huaj. Këto nuk janë vetëm statistika – janë mijëra vende pune të humbura dhe dhjetëra biznese në prag të falimentimit”, thuhet në njoftimin e AKB-së.
Ndërkohë, sipas Lidhjes së Bizneseve të Kosovës (LBK), “Kosova rrezikon të mbetet prapa, në një kohë kur vendet e Ballkanit Perëndimor po përfitojnë mbështetje të avancuar nga Bashkimi Evropian. Mbi 60 milionë euro parafinancim nga Plani i Rritjes së BE-së, pjesë e një pakete prej 880 milionë eurosh, janë në rrezik të humbjes – fonde jetike për investime në infrastrukturë, energji, digjitalizim dhe zhvillim të qëndrueshëm”.
Ngërçi institucional ka bllokuar jo vetëm fondet nga BE-ja, por edhe 90 milionë euro nga Banka Botërore, që mbeten të ngrira për shkak të mosfunksionimit të Kuvendit. Humbjet për ekonominë e vendit, sipas llogaritjeve të LBK-së, kapin vlerën e mbi 1.2 milionë eurove në ditë.
Edhe Banka Botërore në raportin “Përshtatja për Rritje të Qëndrueshme” që u publikua para disa ditësh ka alarmuar pikërisht për pasojat, që në ekonominë e vendit kanë dhe do të kenë vonesat në formimin e institucioneve qeverisëse. Nuk ka dilema se pasojat e anarkisë së krijuar nga mungesa e institucioneve qeverisëse kanë nisë të shpërfaqen praktikisht në të gjithë sektorët ekonomik. Nuk ka investime të jashtme fare në Kosovë që nga zgjedhjet e fundit parlamentare, ndërsa investimet kapitale të brendshme, qoftë ato të parashikuara nga buxheti i sivjetshëm, qoftë nga iniciativa private nga biznesi vendor janë fare të pakta, sa për sy e faqe, ose aq simbolike dhe të paefektshme sa që nuk ia vlen të përmenden.
Projektet energjetike, qoftë nga burime të eneregjisë së rinovueshme, qoftë sosh të cilat do të vazhdojnë edhe për shumë vjet ta kenë qymyrin si resurs të vetëm të prodhimit të energjisë elektrike, të parashikuara të nisin këtë vit të ndërtohen, apo të rindërtohen, janë heshtur. Madje, nuk flet kush për to dhe nuk dihet më se kur do të nisë ndërtimi dhe rindërtimi i tyre.
Edhe ministri i dorëhequr i Financave, Hekuran Murati, nga radhët e VV-së, një nga subjektet pjesëmarrëse në krijimin e ngërçit politik në Kosovë, i pohoi këto fakte duke shkruar në fillim të javës që shkoi në Facebook se “bllokimi i Kuvendit vonon dorëzimin e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve dhe ndarjen e granteve, duke kërkuar që partitë opozitare të ndihmojnë në formimin e Kuvendit”.
Rrethanat politike që vazhdojnë të dominojnë nga 9 shkurti, kur u mbajtën zgjedhjet parlamentare në vend, por edhe para kësaj kohe, më saktësisht qëkur kishte filluar parafushata zgjedhore në Kosovë kanë ndikimin e padiskutueshëm edhe në ngritjet e egra dhe brutale të çmimeve në Kosovë. Mungesa e funksionimit të institucioneve të rëndësishme të vendit (kuvendi jashtë funksionit, qeveria e dorëhequr, ose me funksion të përgjysmuar) dhe anarkia e krijuar në shumë sektorë të ekonomisë, veçmas në atë të tregtisë, u ka lënë hapësirë të pakufishme dhe gjithë mundësitë tregtarëve për të vendosur lehtësisht për të ngritur çmimet e shumë produkteve, sidomos të atyre të shportës, ose të produkteve elementare ushqimore.
Safet Gërxhaliu, ish-kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, ka thënë se “projektet publike dhe implementimi i tyre janë në pikën kritike dhe po ngufatin sektorin privat. Rritja e kredive bankare është shqetësuese, kreditë konsumuese janë në rritje të madhe dhe kur i shtohet fakti i shfrytëzimit të overdraftit nga qytetarët, e paraqet realitetin ekonomik të Kosovës. Kur e analizoni pagën minimale, pagën mesatare dhe pensionet, e kuptoni se ku është Kosova në krahasim me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe të Bashkimit Evropian”.
Kjo është gjendja aktuale në zhvillimet ekonomike të vendit si pasojë e mospasjes së institucioneve qeverisë të domosdoshme të vendit. Kur t’i shtohen kësaj gjendje plus masat ndërshkuese të Bashkimit Europian, të aplikuara ndaj Kosovës që nga pranvera e 2023-shit, atëherë gjendja ekonomike dhe sociale në Kosovë bëhet shumë më e ndërlikuar, por edhe më shqetësuese.