Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), e cila ka për mision furnizimin me energji elektrike në vend, duket se po zgjerohet edhe në fusha që s’kanë lidhje me energjinë. Përtej termocentraleve dhe minierave të thëngjillit, KEK është vënë të merret me asfaltim rrugësh, duke shpallur një tender për asfaltimin dhe riparimin e një rruge në Obiliq, shkruan Kujdestari.info
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), ka hapur tender për “Asfaltimi dhe riparimi i rrugës Mirash, hyrja 09 deri te garderoba në Grabovc”, me një vlerë të llogaritur prej 1.3 milionë eurosh.
Rruga në fjalë ndodhet në komunën e Obiliqit dhe shpie drejt deponisë së hirit në Mirash, një zonë ku KEK zhvillon aktivitetet e saj kryesore energjetike. Megjithatë, në aspektin institucional, asfaltimi dhe mirëmbajtja e rrugëve janë përgjegjësi e komunave dhe Ministrisë së Infrastrukturës, e jo e KEK-ut.
Procedura e këtij tenderi, i cili është hapur që nga muaji korrik, ka hasur në pengesa të shumta. Kompanitë kanë kërkuar sqarime shtesë për kriteret e vendosura nga KEK, duke ngritur dyshime për transparencën dhe qartësinë e procesit. Përkundër faktit se KEK ka bërë disa herë korrigjime në dokumentacionin e tenderit, operatorët ekonomikë vazhdojnë të ankohen, duke konsideruar se ndryshimet e deritanishme nuk janë të mjaftueshme. /Kujdestari.info/

Autoriteti i Konkurrencës hap hetim për 800 tenderë të KEK-ut, mbi 200 milionë euro në lojë