E martë, 16 Dhjetor, 2025

Nga qymyri te dielli: Familjet kosovare po e gjejnë kursimin në panele solare

Ndaj

Për disa familje në Kosovë, panelet solare po bëhen një alternativë për të kursyer në faturat e rrymës. Përmes rrëfimeve, përgjigjeve të institucioneve dhe ekspertëve, kjo storie shpjegon se si funksionojnë këto sisteme, sa kushtojnë dhe cilat janë përfitimet. Storia përmbledh hapat që duhen ndjekur për instalimin e tyre. Derisa Kosova nuk po arrin ta shfrytëzojë potencialin e madh diellor, procedurat mbeten një pengesë e vazhdueshme për qytetarët.

“Gjatë verës faturën e rrymës e kam pasur 70-80 euro, prej që i kam lidh panelet fatura më ka ardhur 3 euro”, thotë Milaim Berisha, i cili bashkë me dy vëllezërit e tij para pesë muajve kanë instaluar panelet solare me kapacitet prej 7 kilovat për orë në shtëpitë e tyre në Suharekë.

Në këtë vendim të Milaimit kishte ndikuar edhe një emision që e kishte shikuar në një medium amerikan.

“Aty thuhej se në të ardhmen e afërt ka me qenë i pasur ai që ka pullaz, sepse ata që kanë banesa kanë para, po s’kanë ku t’i vendosin panelet”, thotë ai.

Berisha thotë se investimi ka qenë rreth 6 mijë e 300 euro për një shtëpi dhe se ka vendosur t’i instalojë panelet duke marrë parasysh se Kosova ka një klimë të përshtatshme dhe shumë muaj me diell. Ndërkaq, shprehet i kënaqur deri më tani me funksionimin e paneleve dhe me kursimin e energjisë elektrike.

Ai është optimist se gjatë muajve kur ka diell mjaftueshëm panelet e tij do të prodhojnë energji elektrike mjaftueshëm dhe një pjesë do të injektohet apo futet në rrjetin e KEDS-it dhe në këtë mënyrë faturat e tij do të barazohen dhe se nuk do të ketë nevojë të paguaj disa muaj as gjatë dimrit.

Bazuar në përvojën e tij si përdorues i paneleve solare, Milaim Berisha u rekomandon të gjithë atyre që kanë mundësi financiare t’i instalojnë ato.

“kursimet në faturë vërehen që nga muaji i parë. Në bazë të llogaritjeve që i kam bërë, investimi do të kthehet për katër vite”, thotë ai.

Edhe Xhevat Muqa, thotë se ka instaluar panalet solare në shtëpinë e tij në fshatin Vraniq të Suharekës për të kursyer, për ta ruajtur mjedisin, por edhe për të treguar një shembull pasi që është pronar i kompanisë “Muqa Solar” e cila merret me këtë veprimtari.

Ai thotë se ka vendosur panelet termike dhe ato fotovoltaike bashkë me bateri dhe kursimi i tij arrin deri në 90% dhe se kjo i ka mundësuar të investojë edhe në pajisje tjera efiçiente.

muqa--WhatsApp Image 2025-10-20 at 19.49.47_ac87d097-1
Vendosja e paneleve solare në shtëpinë e Xhevat Muqës

I pyetur për prodhimin e energjisë elektrike gjatë dimrit, ai na shpjegon se edhe gjatë dimrit prodhohet, sepse paneleve u mjafton drita, jo domosdo ekspozimi në diell.

“Sot është ditë me shi dhe vrerët, por siç mund ta shihni në telefon, panelet po prodhojnë energji. Në bazë të përvojës personale mund të ju them se në Kosovë prodhohet 11 muaj energji dhe vetëm 30 ditë jo”, thotë ai, duke shtuar se Kosova ka më shumë potencial në këtë aspekt se shumë vende Evropiane.

alb-prosumatoret-keds.png“Gjermania e zë në vendin e parë në botë për kokë banori që kanë instaluar më së shumti solar edhe pse ka 40% më pak rreze të diellit se Kosova. Pse mos ta shfrytëzojmë këtë potencial”, thotë Muqa.

Sipas të dhënave që Preportr i ka marrë nga KEDS-i, si Berisha edhe Muqa, edhe 887 prosumatorë të tjerë – konsumatorë që prodhojnë vetë energji nga dielli – kanë instaluar sisteme solare në shtëpitë e tyre.
Më shumë instalime janë në rajonin e Prishtinës me 254 shtëpi, pasuar nga Ferizaj me 188, ndërsa Prizreni renditet i treti me 117. Në rajonin e Gjakovës janë 143, në Pejë 83, dhe në Mitrovicë e Gjilan nga 51.

“Kapaciteti i përgjithshëm i instaluar arrin në 23.17 Megavat (MW), që përbën një rritje të ndjeshme të integrimit të burimeve të ripërtëritshme në rrjetin distributiv”, thuhet në përgjigjen e KEDS-it.

Duhet theksuar se kapaciteti maksimal i lejuar për ekonomitë familjare nga ZRrE është me 7 kilovat. Ekspertët thonë se ky limit duhet të largohet, sepse është i vogël dhe të lejohet aq sa kanë nevojë ekonomitë familjare.

Sipas KEDS-it, një shtëpi që ka panele solare deri në 7 kilovat prodhon rreth 8,000 deri 9,000 kilovat-orë energji në vit. Prej kësaj sasie, zakonisht 30 deri 40 për qind e energjisë që prodhohet nuk shpenzohet në shtëpi dhe dërgohet në rrjet si tepricë.

Kompensimi i tepricës

Teprica vendoset në rrjetin e KEDS-it dhe pastaj kjo kompensohet apo barazohet në faturat vijuese të energjisë elektrike të asaj shtëpie. Ky barazim bëhet dy herë në vit dhe nëse nuk shfrytëzohet, në vitin vijues teprica kthehet në zero.

Çështja e kompensimit është ende e paqartë për disa nga ata që kanë vendosur panele solare në shtëpi. As KEDS-i nuk na ka dhënë një përgjigje lidhur me çmimin dhe mënyrën e kalkulimit.

Ky kalkulim është paksa i komplikuar, por për ta bërë një thjeshtësim, i kemi kërkuar një faturë Muqës, ku ka pasur shpenzim të rrymës nga rrjeti i KEDS-it, por edhe injektim të tepricës në rrjet.

Në faturën e tij për muajin shtator shihet se energjia e futur në rrjet kompensohet me rreth 3.5 centë për kWh. Në këtë muaj ai ka injektuar 317 kWh dhe ka marrë zbritje prej 11.24 euro. Kjo shumë i është zbritur faturës prej 45 euro, duke e ulur faturën mujore në rreth 39.5 euro me të gjitha taksat.

Sipas Rregullores për Vet-konsumatorët me Burime të Ripërtritshme, prosumatorët të cilët gjatë vitit kalendarik injektojnë më tepër se 10% të energjisë që e konsumojnë gjatë vitit të njëjtë, do ta humbin statusin e prosumatorit në momentin e vërtetimit të tij nga ana e operatorit të shpërndarjes apo të transmetimit në varësisht prej nivelit të kyçjes. Kjo do të thotë se ata nuk do të kompensohen.

Siç duket, të gjitha këto masa janë marrë që prosumatorët të fokusohen për të prodhuar në masë të madhe për nevojat e veta, e jo për ta “tregtuar”.

Për gjithë këtë proces Preportr ka dërguar pyetje dhe ka kontaktuar në vazhdimësi me Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), por edhe pas tentimeve për 3 muaj, ky institucion nuk ka kthyer asnjë përgjigje.

Nga importohen, sa kushtojnë dhe si funksionojnë?

Të gjitha panelet solare që instalohen në Kosovë importohen nga vendet tjera. Sipas të dhënave që Preportr i ka marrë në Doganën e Kosovës, rezulton se ka një trend të rritjes së importit të paneleve solare ndër vite. Në periudhën 2020- tetor 2025 vlera e importuar është 38 milionë e 216 mijë e 981 euro.

Pa logo-alb-Top Five countries of origin - visual selectionKina është shteti nga ku është importuar më së shumti në këtë periudhë kohore me rreth 32 milionë euro.

Preportr ka pyetur  dhe intervistuar pronarët e disa kompanive lidhur me çmimet e paneleve solare fotovoltaike 7 Kw. Çmimi varion nga 5000-7000 euro, varësisht nga vendi i prodhimit të paneleve, karakteristikat e kulmit etj. Ndërkaq, kostoja bëhet gati e dyfishtë nëse investohet në baterinë, e cila e ruan energjinë për përdorim të mëvonshëm.

Xhevat Muça thotë se ka filluar të merret me instalimin e paneleve solare që nga viti 2007, duke instaluar fillimisht me panele termike të cilat shërbejnë për ngrohjen e ujit, ndërsa më vonë me panele fotovoltaike, që shërbejnë vetëm për prodhimin e energjisë elektrike.

Ai na shpjegon se në tregun e paneleve solare përdoren tri lloje sistemesh: Sistemi on-grid lidhet drejtpërdrejt me rrjetin elektrik dhe energjia që prodhohet nga panelet përdoret menjëherë në shtëpi, dhe nëse ka tepricë, dërgohet në rrjet.

Sistemi off-grid është i pavarur, përdoret zakonisht në zona ku nuk ka rrjet, si në male apo vila, dhe funksionon me bateri që ruajnë energjinë.

Sistemi hibrid i kombinon të dyja: mund të përdoret për shtëpi ose biznese, të ruajë rrymën në bateri dhe, kur ka tepricë, ta injektoj në rrjet.

Muqa thotë se ndër vite ka një trend të rritjes së kërkesës për panelet solare. “Vitin e fundit ka pasur një rritje prej 20-25% nga bizneset dhe ekonomitë familjare”, thotë ai.

img-20251020-wa0008-2.jpg
Kështu duket aplikacioni që monitoron performancën e paneleve solare 

Panelet zakonisht vendosën mbi kulm, por mund të vendosen edhe në vende të tjera, ndërkaq ka edhe panele që janë dekorative dhe mund të vendosën p.sh në tarraca të shtëpive.

Xhevat Muqa thotë se për panelet fotovoltaike kompania e tij ofron garancinë 30 vite, që do të thotë se ai panel do të funksionojë së paku për atë periudhë dhe nuk deformohet apo prishet.

“Paneli termik e ka garancinë pesë vjet, por paneli termik funksionon edhe që 20-50 vjet dhe nuk ka çka prishet”, thotë Muqa.

Ai na tregon se pasi që paneli të vihet në funksion, instalohet një aplikacion në telefon i cili tregon në kohë reale se sa energji prodhohet, sa po injektohet në rrjetin e KEDS-it, ose sa është ruajtur në bateri.

Procedurat, procedurat, procedurat

Kur çdo gjë duket e lehtë dhe e thjeshtë, por edhe atraktive, sigurisht që aty shfaqen procedurat për ta komplikuar dhe zvarritur gjithë procesin.

Për shkak të shumë procedurave, qytetarët po hezitojnë të investojnë në panele solare. Për këtë arsye kompanitë instaluese, po e ofrojnë këtë shërbim. Ndërkaq, klientët duhet t’ua japin atyre një autorizim të noterizuar për t’i përfaqësuar ata në institucionet përkatëse.

“Çdo qytetar që do të merrej vet me këto procedura, do të ishte dorëzuar gjatë rrugës”, thotë Muqa.

Tani le të fokusohemi të këto procedura, të cilat jemi munduar sado pak t’i thjeshtësojmë në përshkrim.

Qytetari pas matjeve se ku do të vendosen panelet, përkatësisht marrëveshjes me kompaninë që shet dhe instalon panelet solare, nevojitet t’i ndjek këta hapa teknik dhe administrativ:

Pa logo - Steps to follow to install solar panels - visual selection (5) - CopyKëto aplikime nuk bëhen përnjëherë, por janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën dhe me punët në terren, pranimet teknike, e ku mund të jepen rekomandime për ndryshime, ose mund të kërkohen dokumente shtesë. Rrjedhimisht shkaktohen vonesa.

Sipas të gjitha kompanive që kemi kontaktuar në kuadër të këtij hulumtimi, këto vonesa variojnë nga 3 deri në 12 muaj.

E me këto vonesa është i pakënaqur Bashkim Thaçi, i cili para tre muajsh ka instaluar panelet në shtëpinë e tij në Prishtinë, por ende nuk po mund t’i përdorë ato. Arsyeja është mungesa e lejeve përfundimtare dhe e njehsorit dykahor nga KEDS-i.

“Panelet që i kam instaluar janë vetëm 7 kW, por për t’i vënë në funksion duhet kaluar një procedurë të gjatë, e që sjell shumë vonesa. Këto procedura duhet të thjeshtohen për ekonomitë familjare. Burokracia është shumë e gjatë, e paarsyeshme për një investitor për nevojat familjare në energjinë e gjelbër që është kusht dhe një nga 17 objektivat e OKB-se”, thotë ai, duke theksuar se 7 kW janë të pa mjaftueshme dhe se për një shtëpi duhet të jenë të paktën 10 kW.

Vetëm për të marrë lejen nga komuna për vendosjen e paneleve kam pritur një vit. Procedurat duhet thjeshtëzuar dhe të jenë praktike. Do të ishte mirë që të gjitha të merren në një vend— Agron Kolukaj

Megjithatë një lëvizje pozitive ishte bërë në vitin 2023 nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Pas shumë ankesave nga kompanitë dhe qytetarët, kjo ministri ka marrë vendim, që ekonomitë familjare (deri 7 kW), nuk kanë nevojë për leje ndërtimore nga komuna.

Por për bizneset duhet kjo leje nga komuna dhe problemi kryesor qëndron të vonesat.

“Vetëm për të marrë lejen nga komuna për vendosjen e paneleve kam pritur një vit. Procedurat në përgjithësi duhet thjeshtëzuar dhe të jenë sa më praktike si dhe do të ishte mirë që të gjitha të merren në një vend”, thotë Agron Kolukaj pronar i zdrukthëtarisë “Qarri”.
Ai u shpreh i pakënaqur me aspektet procedurale të këtij procesi, të cilat janë zvarritëse dhe shkaktojnë shumë vonesa.

Kosova nën rrezet e diellit

Potenciali diellor i Kosovës vlerësohet të jetë i madh. Sipas shumë raporteve, por edhe pronarëve të kompanive që merren me instalimin e paneleve solare, Kosova ka mesatarisht 290 ditë me diell brenda vitit. Një punim shkencor i publikuar në vitin 2021 thekson se Kosova ka një potencial diellor me një mesatare vjetore prej 278 ditësh dhe 2000 orë me diell.

I të njëjtit mendim është edhe Lulzim Syla, ekspert i energjisë solare.

“Treguesi më i mirë se këto të dhëna janë të sakta, janë projektet e implementuara deri tani në Kosovë në kulme apo në tokë. Të gjitha kanë performancë shumë të mirë”, thotë Syla.

Ai thotë se Kosova ka edhe klimë të përshtatshme, gjë që mundëson që prodhimi të jetë i mirë, të ruhen panelet solare dhe invertorët.

Syla thotë se Kosova ka nevojë për kapacitete të reja energjetike, prandaj duhet të shfrytëzohet ky momentum në mënyrë të mençur që të mobilizohen kapacitetet financiare, të adaptohen ligjet në dobi të investimeve dhe në funksion të qytetarëve.

Duke folur për sfidat teknike për lidhjen e paneleve diellore me rrjetin, ai thotë se në disa qytete rrjeti elektrik është i ngarkuar për të përballuar gjeneratorë të ri të energjisë. Ai konsideron se ZRrE duhet ta rishikojë rregulloren e fundit për të avancuar në këtë drejtim për t’i mundësuar biznesit dhe industrisë të instalojë kapacitete të energjisë së ripërtëritshme sipas kapacitetit konsumues dhe transformatorëve.

Nga KEDS-i thonë se rrjeti aktual i shpërndarjes kërkon modernizim dhe digjitalizim të vazhdueshëm, për t’u përshtatur me një numër gjithnjë në rritje të prosumatorëve dhe për të garantuar sigurinë e furnizimit.

Edhe pse Kosova ka një potencial të madh diellor, me mbi 270 ditë me diell në vit, ky kapacitet po shfrytëzohet pak. Siç duket, ky potencial nuk po merret me seriozitet dhe se Kosova ende ngadalësohet nga infrastruktura e kufizuar, procedurat e shumta dhe mungesa e investimeve të mjaftueshme. Kjo po ndikon që një mundësi e madhe dhe reale për prodhim të lirë dhe të pastër të energjisë të mos shfrytëzohet sa duhet.

Fatura ulet nga 50-90%

Gentiana Alija-Shala, pronare e kompanisë “Alfa Solar Energy”, thotë se sipas përvojës së saj, panelet solare mund ta ulin faturën e energjisë nga 50% deri në 90%. Ajo theksoi se kjo varet nga madhësia e sistemit krahasuar me konsumin, nga orari i shpenzimit të rrymës (sa përputhet me prodhimin), si edhe nga rregullat se si zbritet teprica e energjisë së prodhuar nga fatura.

“Për një familje që konsumon shumicën gjatë ditës, kursimet janë më të mëdha”, thotë ajo.

qarri.jpg
Panlet solare të vendosura në fabrikën e zdrukthëtarisë  “Qarri”

Ndërsa Xhavat Muqa thotë se bazuar në përvoja të shumta, ka familje që verës ka paguar 100 euro, ndërsa prej vendosjes së paneleve, fatura i ka ardhur zero, përveç taksës fikse që është rreth tri euro.

“Nëse e marrim një mesatare gjatë 12 muajve, unë them që mbi 80% ne e ulim faturën totale të asaj familje me sistemin solar që e kanë vendosur”, thotë Muqa.

Kursimi por edhe kthimi i shpejtë i investimit bëhet më shpejtë të bizneset, kjo për shkak se shpenzojnë më shumë energji elektrike, kryesisht gjatë ditës dhe çmimi i rrymës për biznese është më i shtrenjtë.

Se instalimi i paneleve solare i ka rezultuar i leverdishëm në tregon edhe Agron Kolukaj, i cili ka instaluar panelet solare me kapacitet prej 65 kW. Ai thotë se që nga muaji prill i këtij viti e ka vendosur njehsorin dy kahesh që nënkupton që tepricën e energjisë elektrike të prodhuar nga panelet solare e depoziton, përkatësisht e injekton në rrjetin elektrik të KEDS-it.

Kolukaj thotë se para vendosjes së paneleve solare faturat e energjisë elektrike i kanë ardhur rreth 600 euro, ndërsa që nga prilli e deri më tani faturat i kanë ardhur zero (Përjashto taksën fikse). Sipas tij, ky investim është i duhur dhe ia vlen të bëhet nga bizneset, por edhe nga familjet që kanë konsum më të madh të energjisë elektrike.
Faturat-qarri
Burim Ejupi ekonomist dhe drejtor i Institutit INDEP, thotë se duke marrë parasysh rritjen e çmimit të energjisë prej 16.1% këtë vit për ekonomitë familjare dhe rritjen që do të ndodh në vitet pasuese, investimi në panele solare është investimi më racional ekonomik që mund të bëhet.

Ai thotë se lajm i mirë në këtë aspekt është se çmimi i paneleve solare ka rënë rreth 50% në dy vitet e fundit.

“Nëse dikush i ka 2000-3000 euro, më mirë t’i investojë në panele solare sepse ato para do t’i shpenzojë për 3-4 vjet në faturat e energjisë elektrike. Pas 3-4 viteve panelet solare do të prodhojnë energji dhe faturat reduktohen ndjeshëm, ose nuk do të paguajë fare”, thotë Ejupi, duke shtuar se kthimi i investimit bëhet për tri deri në pesë vjet dhe se kjo varet nga kapaciteti i instaluar dhe nga shpenzimet e energjisë elektrike.

“Aktualisht nuk ka asnjë lloj investimi që kthehet më shpejtë sesa përmes paneleve solare”, thotë Ejupi.

Ai thekson se dobia maksimale përmes paneleve do të arrihej, kur ka edhe masa tjera efiçiente, siç është izolimi i shtëpive.

Aktualisht nuk ka asnjë lloj investimi që kthehet më shpejtë sesa përmes paneleve solare — Burim Ejupi, INDEP

Ejupi thotë se Fondi i Kosovёs pёr Efiçiencё tё Energjisё (FKEE) ka investuar në këtë drejtim dhe kjo e bënë të mundur që ata që kanë përfituar, tash të investojnë në panele solare.

Sipas të dhënave që Preportr i ka marrë në FKEE, nga viti 2024 deri tani, përmes këtij institucioni janë izoluar e 3 mijë e 700 shtëpi, ndërkaq aktualisht janë në proces edhe 200 shtëpi   për familjet në skema sociale.

Efekti mjedisor i solarëve

Prodhimi i energjisë elektrike përmes paneleve solare nuk e ndotë mjedisin, siç ndodh me ndotjen që shkaktohet përmes termocentraleve. Aktualisht, Kosova prodhon rreth 95 për qind të energjisë elektrike nga dy termocentrale të vjetra me qymyr, të cilat shkaktojnë ndotje të vazhdueshme.

Egzona Shala-Kadiu, drejtoreshë e organizatës mjedisore EcoZ thotë se çdo megavat-orë (MWh) energji e prodhuar nga burime të ripërtëritshme, si ajo diellore apo me erë, mund të shmangë afërsisht 1.1 ton dyoksid të karbonit – CO₂ që do të ishte emetuar nga prodhimi i së njëjtës sasi energjie nga thëngjilli.

Sipas të dhënave të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), faktori mesatar i emetimit të rrjetit elektrik në Kosovë është rreth 1.145 kg CO₂ për çdo kWh të konsumuar.

Duke e marrë për bazë këtë konstatim dhe numrin aktual prej 887 shtëpi që prodhojnë energji me panele diellore, rezulton se këto sisteme shmangin rreth 8,100–9,100 tonë CO₂ në vit.

Shala-Kadiu thotë se përdorimi i paneleve solare së pari, ndikon në reduktimin e ndotjes së ajrit pasi që energjia diellore nuk prodhon emetime gjatë procesit të gjenerimit të energjisë, çka do të ndikonte drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së ajrit. Aspekt tjetër pozitiv sipas saj është se panelet mund të vendosen në hapësira ekzistuese si kulme të shtëpive pa pasur nevojë për “uzurpim’ të hapësirave dhe me teknologjitë e fundit madje nuk kërkohet që të jenë plotësisht të ekspozuara në diell, pasi që krijojnë energji edhe në 80% vranësi.

Ajo thotë se energjia diellore kontribuon edhe në ruajtjen e burimeve ujore, pasi që panelet solare kërkojnë pak ose aspak ujë për funksionim e tyre.

“Një avantazh tjetër është se panelet diellore kanë ndikim minimal në mjedis dhe nuk shkaktojnë ndotje akustike, për dallim nga industritë e rënda që lidhen me nxjerrjen dhe djegien e qymyrit”, thotë Shala-Kadiu.

Ajo thotë se në aspektin mjedisor dhe ekonomik, energjia diellore paraqet një alternativë të pastër, të rinovueshme dhe me kosto në rënie me një laramani të bizneseve ofruese të këtij shërbimi dhe me largimin e procedurave burokratike Kosova mund të jetë vend potencial jo vetëm për prodhim por edhe për shitje të saj në tregun tashmë të liberalizuar të energjisë.

Shala-Kadiu thotë se ka pasur disa iniciativa institucionale dhe të shoqërisë civile për të rritur vetëdijesimin mbi rëndësinë e përdorimit të energjisë solare, por sipas saj, ato nuk janë të mjaftueshme. Ajo theksoi se për të arritur një ndryshim të qëndrueshëm duhet një qasje më gjithëpërfshirëse që përfshin subvencione më të gjera për individë dhe biznese, lehtësim të procedurave për instalimin e paneleve diellore, integrimin e edukimit mbi energjinë diellore në shkolla, si dhe përfshirjen e komuniteteve lokale në pilot projekte.

Përkrahja institucionale

Ministria e Ekonomisë përmes fondeve të IPA-s, ka subvencionuar instalimin e paneleve fotovoltaike për konsumatorët familjarë. Sipas të dhënave që na ka dërguar kjo ministri, kanë përfituar 283 konsumatorë familjarë, me vlere prej 461 mijë e 117 euro, ndërkaq janë instaluar 1,844.47 kW.

“Sipas vlerësimeve të bëra nga ekspertët e angazhuar për thirrje, ka rezultuar në një reduktim të vlerësuar vjetor neto prej 5,391.17 tCO₂ (ton dyoksid karboni)”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Ekonomisë.

Kjo ministri konsideron se këto investime do të kontribuojnë në uljen e kërkesës për konsum të energjisë elektrike. Sipas tyre, këto investime do të kontribuojnë në arritjen e objektivave specifike që janë planifikuar në Strategjinë e Energjisë 2022-2031 (100 MW vetë-prodhues), ku do të kontribuojnë në plotësim të këtij objektivi me një pjesëmarrje prej 3,86 %.

Strategjia e Energjisë e Republikës së Kosovës për periudhën 2022–2031 synon një zgjerim të madh të prodhimit të energjisë nga burimet diellore. Deri në vitin 2031, parashihet të zhvillohen 600 megavat kapacitete të reja fotovoltaike, ndërsa 100 megavat të tjera planifikohet që të vijnë nga konsumatorët vetë-prodhues, si shtëpitë dhe bizneset që instalojnë panele solare për nevoja të tyre.

Përveç investimeve në panele fotovoltaike për prodhim të rrymës, strategjia parashikon edhe përdorimin e paneleve për ngrohjen e ujit, me synimin që rreth 3,500 kulme banesash të pajisen me këtë sistem gjatë dekadës së ardhshme.

Në anën tjetër, edhe Ministria e Bujqësisë në vitet  fundit, në thirrjet për grante ka pasur edhe një pikë ku është inkurajuar përdorimi i paneleve solare në objektet që janë ndërtuar përmes granteve të ministrisë, veçanërisht në stalla.

Sipas të dhënave të dërguara nga kjo ministri, thuhet se me Programin për Zhvillim Rural 2022 dhe 2023 janë 955 përfitues të granteve të cilët kanë investuar në energji të ripërtritshme me fuqi të përbashkët prej 4513 kW.

Rritja e kërkesave dhe e ardhmja

Rritja e kërkesave për të instaluar panele solare ka ndikuar edhe në rritjen e bizneseve që merren me këtë veprimtari. Identifikimi i saktë i tyre është i vështirë për faktin se në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, nuk janë të regjistruara vetëm me këtë kategori. Nga kjo agjenci thonë se sipas kodit të veprimtarisë ekonomike instalime elektrike, si dhe pjesërisht te punime hidraulike, instalime të ngrohjes dhe kondicionimit të ajrit, në rastet kur përfshihet edhe integrimi i sistemeve termike diellore, janë të regjistruara gjithsej 1 mijë e 865 biznese.

Gentiana Alija-Shala është ndër të paktat gra në Kosovë që është pronare e një kompanie që merret instalimin e paneleve solare. Kompania e saj “Alfa Solar Energy” operon që nga viti 2021, ndërkaq ajo thotë se viteve të fundit ka një rritje më të madhe të kërkesës nga ekonomitë familjare, por dukshëm më shumë nga bizneset që janë të fokusuar në kursim afatgjatë.

“Janë disa faktorë që kanë ndikuar në rritjen e kërkesës, si çmimi i energjisë, ndërgjegjësimi për kursim dhe ruajtjen e mjedisit, oferta teknike më e lirë dhe mundësi financimi si subvencionet”, thotë ajo.

Gentiana Alija-Shala thotë se energjia diellore do të përdoret shumë më shpesh në çatitë e shtëpive, në biznese dhe në ferma, dhe se lidhja me rrjetin do të jetë më e lehtë.

“Pres që të ketë rritje të projekteve në çati dhe të parqeve të mëdha fotovoltaike. Kontributi i energjisë diellore në miksin energjetik do të rritet dukshëm, veçanërisht nëse ka mbështetje politike dhe investime në rrjetin elektrik”, u shpreh ajo.

Ndryshe, në maj të vitit 2023 u hap ankandi parë elektronik, për një park prej 100 MW, të cilin e fitoi konsorciumi “Orllati” me çmim prej 48.88 €/MWh. Projekti, me investim rreth 70 milionë euro, pritet të ndërtohet në Rahovec dhe konsiderohet si gur themeli për prodhimin e madh të energjisë nga dielli në Kosovë.

Lexo më shumë

Të tjera