E hënë, 30 Mars, 2026

Nga Prishtina në Mitrovicë të Veriut, rrugëtimi frymëzues i grave në teknologji dhe sipërmarrje vazhdon, me mbështetjen e Bashkimit Evropian në Kosovë

Ndaj

Pas Prishtinës, publikimi “Nga vizioni në inovacion: Rrugëtime frymëzuese të grave në teknologji”, i mbështetur nga Bashkimi Evropian, vazhdoi rrugëtimin e tij me ndalesën e radhës në Europe House në Mitrovicën e Veriut.

Roli i vajzave dhe grave në inovacion dhe sipërmarrje ishte në qendër të këtij aktiviteti, i cili mblodhi përfaqësuese nga sektori i teknologjisë, sipërmarrjes, shoqërisë civile dhe akademisë për të ndarë përvojat e tyre të suksesshme në këto fusha.

Ky publikim, që ka portretizuar tregime inspiruese të grave, flet jo vetëm për arritjet individuale por edhe për potencialin për të shtyrë përpara inovacionin dhe sipërmarrjen në Kosovë.

Në hapje të aktivitetit, Shefi i të Drejtave të Njeriut në BE në Kosovë, Jarmo Helppikangas,  tha se rrëfimet e përfshira në publikim tregojnë se si “gratë në mbarë Kosovën, përfshirë edhe këtu në Mitrovicën e Veriut, po sjellin ndryshim në shumë sektorë dhe po ndihmojnë në ndërtimin e një shoqërie më dinamike, më gjithëpërfshirëse dhe më të orientuar drejt së ardhmes.”

Ai shtoi se “Bashkimi Evropian do të vazhdojë të mbështesë inovacionin, transformimin digjital dhe mundësitë e barabarta në Kosovë, duke punuar së bashku me institucionet, bizneset dhe shoqërinë civile për të forcuar aftësitë, për të nxitur sipërmarrjen dhe për të fuqizuar gratë në të gjithë sektorët. Sepse mbështetja e lidershipit të grave nuk është vetëm gjëja e duhur për t’u bërë, por është thelbësore për të ardhmen e Kosovës dhe për avancimin e rrugës së saj evropiane.”

Gjatë diskutimeve të hapura me pjesëmarrëset, u vu në pah rritja e vazhdueshme e pjesëmarrjes së grave në sipërmarrje dhe teknologji.

Jelena Xhokiq nga Universiteti Publik në Mitrovicën e Veriut, Olivera Milosheviq, Drejtore Ekzekutive e OJQ-së Women Business Association, dhe Miljana Bulatoviq, pronare dhe Drejtore Ekzekutive e PKC Akvarijus, ndanë përvojat e tyre në këtë fushë dhe bënë thirrje për përfshirje më të madhe të vajzave dhe grave.

Prof. Jelena Xhokiq tha se:“Përmes arsimit dhe teknologjisë, ne mund ta përgatisim brezin e ardhshëm për të ardhmen, por duhet gjithashtu të sigurohemi që gratë të mbështeten, të përfaqësohen dhe të fuqizohen në mënyrë të barabartë gjatë këtij procesi.”

Olivera Milosheviq shtoi: “Është jashtëzakonisht e rëndësishme që vajzat e reja sot ta shohin të ardhmen përpara dhe të bëhen aktive së bashku me të rejat tona aktiviste që tashmë kanë nisur ta ndryshojnë botën. Ajo që ka rëndësi nuk është përkatësia kombëtare; ajo që ka rëndësi është përkushtimi, e ardhmja, të mësuarit dhe fuqizimi i vajzave të reja që të bëhen pjesë e këtij sistemi, dhe që ne të jemi krenarë me to.”

Panelistet e tjera dhe pjesëmarrëset në diskutim theksuan se, pavarësisht sfidave të ndryshme me të cilat përballen, ka një numër gjithnjë e më të madh vajzash dhe grash që po ndërtojnë karrierë në fushat e inovacionit dhe sipërmarrjes në Kosovë.

Përmes mbështetjes së tij për këtë publikim, Bashkimi Evropian synon t’i bëjë më të dukshme historitë e suksesit të vajzave dhe grave, duke inkurajuar njëkohësisht edhe të tjera që ta shohin teknologjinë si një mundësi reale për të mësuar, krijuar dhe udhëhequr.

Si partneri më i fuqishëm i Kosovës dhe ofruesi më madh i mbështetjes financiare , BE-ja mbetet e përkushtuar për të çuar përpara barazinë gjinore, inovacionin dhe transformimin digjital, si pjesë e rrugës së vendit drejt integrimit evropian.

Lexo më shumë

Të tjera