Paga minimale në Kosovë pritet të bëhet 500 euro, kështu u bë e ditur pas takimit të ministrit në detyrë Hekuran Murati me përfaqësuesit e komunitetit të bizneseve ku është diskutuar çështja e rritjes së pagës minimale.
Sipas Dhomës së Industrisë dhe Tregtisë dhe Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, në këtë takim u kërkua që ky proces të shtyhet deri kur vendi të ketë një Qeveri dhe Kuvend funksional dhe jo të bëhet në një kohë fushate, raporton KosovaPress.
Bëhet e ditur se në takim, ministri në detyrë Hekuran Murati ka thënë se implementimi i pagës minimale do të fillojë që nga një janari i vitit të ardhshëm.
Drejtori ekzekutiv i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, Kushtrim Ahmeti në një prononcim për media tha se përveç kërkesës për tu shtyrë ky implementim, ka kërkuar edhe të funksionalizohet Këshilli ekonomiko-social dhe ky proces i pagës të implementohet përmes saj.
Përndryshe, Ahmeti tha se kjo duket si fushatë politike, pasi që lajmi nga kryeministri ne detyrë Albin Kurti u bë të dielën kur Kuvendi duhej të votonte për formimin ose jo të Qeverisë “Kurti III”.