Mbi 614 milionë euro për derivate të naftës, 481 milionë për autovetura, 182 milionë për energji elektrike dhe mbi 142 milionë euro për cigare. Të dhënat e importit për periudhën janar-shtator 2026 tregojnë për cilat grupe mallrash Kosova ka paguar më së shumti dhe nga cilat vende kanë ardhur ato, shkruan Kujdestari.info.
Në krye qëndrojnë vajrat e naftës dhe produktet e ngjashme, importi i të cilave arriti në rreth 614.87 milionë euro. Burimi kryesor ishte Greqia me rreth 184.74 milionë euro, e pasuar nga SHBA-ja me 127.87 milionë dhe Arabia Saudite me 104.17 milionë euro.
Në vendin e dytë janë autoveturat, me 481.52 milionë euro. Gjermania dominon fuqishëm këtë kategori, me rreth 341.07 milionë euro, e ndjekur nga Franca me 23.34 milionë dhe Mbretëria e Bashkuar me 20.50 milionë euro.
E treta është energjia elektrike, për të cilën Kosova pagoi 182.14 milionë euro. Rreth 74.73 milionë euro energji erdhën me origjinë nga Maqedonia e Veriut, 68.93 milionë nga Shqipëria dhe 19.51 milionë euro nga Mali i Zi.
Në vendin e katërt janë cigaret dhe produktet e grupit tarifor 2402, me një vlerë prej 142.54 milionë euro. Polonia kryeson me 81.81 milionë euro, ndërsa pas saj janë Gjermania me 19.92 milionë dhe Rumania me 19.21 milionë euro.
Medikamentet e dozuara për shitje me pakicë renditen të pestat, me 124.47 milionë euro. Sllovenia ishte burimi kryesor me rreth 12.25 milionë euro, shumë afër Gjermanisë me 12.15 milionë, ndërsa nga Turqia erdhën rreth 11.20 milionë euro.
Në vendin e gjashtë janë shufrat e hekurit dhe çelikut të grupit 7214, me 116.77 milionë euro. Turqia zë vendin e parë me 49.03 milionë euro, Egjipti me 31.77 milionë dhe Algjeria me 25.51 milionë euro.
Pas tyre vijnë pijet joalkoolike të grupit 2202, me 82.46 milionë euro. Maqedonia e Veriut ishte burimi kryesor me 20.48 milionë euro, Austria me 17.17 milionë dhe Serbia me 12.16 milionë euro.
Kosova importoi gjithashtu çimento në vlerë prej 70.98 milionë euro. Shqipëria kryeson me 34.84 milionë euro, Turqia me 16.97 milionë dhe Maqedonia e Veriut me 13.17 milionë euro. Në peshë, ky grup arrin në rreth 745 mijë tonë.
Në vendin e nëntë janë produktet e furrtarisë, me vlerë prej 69.69 milionë euro. Maqedonia e Veriut kryeson me 11.42 milionë euro, Turqia me 10.07 milionë dhe Serbia me rreth 7.50 milionë euro.
Dhjetëshen e mbyllin gjedhet e gjalla, me një vlerë prej 67.71 milionë euro. Hungaria ishte burimi kryesor me 23.23 milionë euro, Kroacia me 17.25 milionë dhe Rumania me rreth 9.60 milionë euro. Në të dhënat doganore figurojnë 49,916 krerë në këtë grup.
Në aspektin e vendeve, tabloja bëhet edhe më interesante. Kina është vendi prej të cilit Kosova ka importuar mallra me vlerën më të madhe gjatë nëntë muajve: 771.78 milionë euro. Gjermania është shumë afër me 750.17 milionë euro, ndërsa Turqia renditet e treta me 666.40 milionë euro.
Pasojnë Italia me 323.36 milionë euro, Maqedonia e Veriut me 278.03 milionë, Greqia me 269.60 milionë, Polonia me 220.17 milionë, Shqipëria me 207.90 milionë, SHBA-ja me 190.67 milionë dhe Serbia me rreth 173.81 milionë euro.
Pra, vetëm nga Kina, Gjermania dhe Turqia, Kosova importoi mallra në vlerë prej rreth 2.19 miliardë euro gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026. /Kujdestari.info/