Dikur e etiketonin si ekspertin që “e bëri sallatë” Kosovën me demarkacionin, por sot Ministria e Hysen Dumrishit po e shpërblen me tender për studimin e vlerave natyrore në Malin Mokna dhe Liqenin e Ujmani, shkruan Kujdestari.info.
Në faqen “Mbështetësit e Albin Kurtit” ende gjenden videot ku flitej “zi e terr” për Tomor Çelën, ekspertin e afërt me LDK-në, i cili demarkacionin me Malin e Zi e kishte mbrojtur madje edhe më shumë se Murat Meha.
Por tani, në qeverisjen e Vetëvendosjes, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapsinor dhe Infratukturës e drejtuar nga Dumrishi i ka dhënë atij një kontratë të re. Bëhet fjalë për tenderin “Ri-tender – Realizimi i studimit për vlerat natyrore në Malin Mokna dhe Liqenin e Ujmanit”, ku si fituese ka dalë kompania e vetme pjesëmarrëse “GIS Data Project SH.P.K”, me vlerë 38,900 euro dhe afat kontrate 12 muaj.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve, kjo kompani është në pronësi të Tomor Çelës dhe Luljeta Krasniqi Çelës. Kompania është hapur para dy viteve.


Në përshkrimin e kontratës theksohet se qëllimi i shpalljes së Malit Mokna dhe Liqenit të Ujmanit si “Zonë e Mbrojtur” është ruajtja e biodiversitetit dhe menaxhimi i qëndrueshëm i resurseve natyrore. Në kuadër të projektit parashihen: vlerësimi i biodiversitetit të zonës, hartimi i raportit për florën, faunën dhe habitatet natyrore sipas direktivave të BE-së, identifikimi i llojeve të rrezikuara, përcaktimi i kufijve dhe zonave për rezervate, mbrojtja e gjeotraditës, si dhe një vlerësim socio-ekonomik për resurset natyrore dhe potencialin turistik të zonës.

Ministria e drejtuar nga Liburn Aliu nw vitin 2022 i kishte dhënë atij një tjetër kontratë, me kompaninë tjetër që e ka “Data Gisconsulting”.

Kontrata mes kompanisë fituese “Data Gisconsulting” dhe ministrisë ishte nënshkruar sipas planifikimeve në njoftimin publik, derisa në garë për ketë tender kanë qenë katër kompani.
“Shenjëzimi i kufirit të “Parkut Kombëtar Sharri dhe Bjeshkët e Nemuna”. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimi Hapësinor Vlera e përgjithshme e kontratës 39 810,84 euro. Data e dhënies së kontratës 03.08.2022. Data e planifikuar e nënshkrimit të kontratës 05.08.2022. Numri i tenderëve të pranuar: 4. Emri dhe adresa e operatorit ekonomik, të cilit i është dhënë kontrata” DATA GISCONSULTING ” SH.P.K.”, thuhetj në njoftimin e shpallur.
Në dosjen e tenderit është treguar se shënimi i kufirit të PK “Sharri” dhe Bjeshkët e Nemuna bëhet me vendosjen e shenjave me ngjyrë të kuqe kualitative në formë të 3 vijave horizontale, me gjatësi prej 15 cm dhe gjerësi prej 1.5 cm dhe distanca midis vijave është 2 cm.
Matjet e territorit të Kosovës ishin bërë gjatë vitit 2017, pas debatit të madh që kishte kapluar vendin rreth demarkimit të kufirit me Malin e Zi dhe ashpërsimit të veprimeve të opozitës.
Këto matje të territorit ishin iniciuar me kërkesë të ish-kryeministrit Isa Mustafa, pas akuzave të Lëvizjes Vetëvendosje dhe opozitës, por edhe disa deputetëve në pushtet, se me marrëveshjen për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, Kosova ka humbur mbi 8 mijë hektarë territor.
Formimin dhe punën e këtij komisioni e kishin kundërshtuar partitë politike opozitare dhe nuk kishin dashur të marrin pjesë në këtë komision, duke thënë se “nuk dëshirojnë të legjitimojmë veprime dhe marrëveshje tejet të dëmshme për të ardhmen e Kosovës, siç është edhe Komisioni për matjen e territorit”.
Në këtë komision, si zëdhënës dhe si ekspert ishte angazhuar edhe Tomor Qela, i cili çdoherë ka mbrojtur versionin e demarkacionit të komisionit që udhëhiqej nga Murat Meha.
Për këtë tender dyshime kishte ngritur Zyra e Auditorit të Përgjithshëm (ZAP), duke konstatuar se ASK kishte nënshkruar kontratë kornizë për tre vite në vlerë 497,168€, pa dërguar letër për shpjegim te përfituesi i kontratës “Intervistimi dhe grumbullimi i të dhënave statistikore në teren”, edhe pse kishte një artikull më çmim jo-normalisht të ulët dhe mjaft të rëndësishëm”.
Tomor Çela është profesor i Gjeografisë në Universitetin e Prishtinës. Për disa vite kishte punuar edhe në Ministrinë e Ambientit. /Kujdestari.info/