Democracy Plus (D+) ka publikuar gjetjet nga monitorimi i dhjetë tenderëve publikë në nivel qendror dhe lokal, duke nxjerrë në pah sfida serioze në integritetin dhe transparencën e prokurimit publik, shkruan Kujdestari.info.
Sipas të dhënave, vlera totale e dhjetë tenderëve të monitoruar arrin në 75.7 milionë euro, ndërsa vetëm një tender është dhënë sipas kriterit të “çmimit ekonomikisht më të favorshëm”. Nëntë tenderë të tjerë janë shpërblyer vetëm në bazë të çmimit më të ulët, praktikë që ngre dyshime mbi cilësinë e shërbimeve dhe punimeve të kontraktuara.
Një tjetër problematikë është niveli i ulët i konkurrencës dhe përfaqësimit. Nga 27 operatorë ekonomikë pjesëmarrës, vetëm dy ishin biznese të grave (një në pronësi të përbashkët grua-burrë dhe një tjetër në pronësi të plotë të një gruaje). Kjo tregon mungesën e theksuar të diversitetit dhe përfshirjes gjinore në proceset e prokurimit publik.
Në dhjetë tenderët e monitoruar, mesatarisht kanë marrë pjesë vetëm 5.6 operatorë për tender, shifër që lë të kuptohet se konkurrenca nuk është në nivelin e duhur. Për më tepër, gjatë procesit janë paraqitur 12 ankesa në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OShP), duke dëshmuar për mosmarrëveshje të shpeshta dhe kontestime ligjore të procedurave.
Nga aspekti procedural, nëntë tenderë janë zhvilluar përmes procedurës së hapur, ndërsa një tender ka qenë i negociuar me vetëm një operator (njëburimor). Ky fakt ngre shqetësime për transparencën dhe përputhjen me praktikat e konkurrencës së drejtë.
Gjithashtu, analiza e vlerave tregon se nëntë tenderë ishin me vlerë të madhe, ndërsa vetëm një ishte me vlerë të mesme, duke nënvizuar se monitorimi ka prekur kryesisht kontrata të rëndësishme me ndikim të madh financiar në buxhetin publik. /Kujdestari.info/
