E martë, 10 Mars, 2026

Nga 1 prilli pritet rritje e qirave në Pallatin e Rinisë, ndërmarrja paralajmëron tarifa të reja

Ndaj

Ndërmarrja Publike Lokale “Pallati i Rinisë”, e cila funksionon nën administrimin e Komunës së Prishtinës, ka njoftuar se nga 1 prilli 2026 do të hyjë në fuqi një rregullore e re për dhënien me qira të hapësirave në këtë objekt. Megjithatë, në njoftimin zyrtar nuk është bërë e ditur se sa do të jenë tarifat e reja që pritet të aplikohen për bizneset qiramarrëse, shkruan Kujdestari.info.

Ndërmarrja Publike Lokale “Pallati i Rinisë” Sh.A. ka bërë të ditur përmes një komunikate se nga data 1 prill 2026 do të hyjë në fuqi Rregullorja e Re për procedurën e dhënies me qira të hapësirave në këtë ndërmarrje.

Sipas njoftimit, rregullorja e re është hartuar pas një procesi të vlerësimit të qirave, i cili – sipas ndërmarrjes – është realizuar nga ekspertë të licencuar të fushës. Ky proces ka përcaktuar çmimin dhe sipërfaqen e secilës hapësirë brenda objektit të Pallatit të Rinisë.

Megjithatë, në komunikatën e publikuar nuk janë bërë publike tarifat konkrete të qirasë që do të aplikohen, duke lënë të paqartë se sa do të ndryshojnë çmimet për bizneset që operojnë në këtë hapësirë.

Nga Pallati i Rinisë thuhet se ndërmarrja mbetet e përkushtuar për të vazhduar bashkëpunimin me bizneset, me synimin për përmirësimin e shërbimeve dhe krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e aktiviteteve që ndikojnë në imazhin kulturor të kryeqytetit.

Rregullorja e re pritet të fillojë së zbatuari nga 1 prilli 2026. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera